Cilki: Të njohim tarikatet, xhematet dhe grupet e devijuara në Turqi
LËVIZJA NURXHIJE
Lëvizja nurxhije, ose ndryshe ndjekësit e Seid Nursiut në Turqi janë një lëvizje që nuk ndryshon shumë nga lëvizjet reformatore, që i ka dëshmuar Bota Islame qysh në mesin e shekullit të tetë. Kjo lëvizje e ka marrë emrin e themeluesit të saj Seid Nursiut 1873-1960, i njohuir ndryshe si Bediu Zeman. Kjo lëvizje u shfaq në Turqi në fund të shekullit XX dhe më pas u përhap nga përkrahësit e saj në Turqi dhe jashtë saj, që prej viteve pesëdhjetë të shekullit të kaluar.
Ndërkohë që Sulltan Abdulhamiti po i bënte thirrje mbarë botës muslimane, në lidhje me idenë e Bashkimit Islam, Nursiu e kundërshtoi këtë ide, duke e parë si një mundësi dhe mjet për të përfituar nga popujt e Perandorisë Osmane, në mënyrë që të ishte më e lehtë pushteti mbi ta. Ky qëndrim i Nursiut kundër pati edhe efektin e vet në vendimin e Abdulhamitit për ta mbajtur në arrest në Stamboll. Nursiu fitoi lirinë vetëm pas fitores së revolucionit xhonturk të vitit 1908.
Që nga viti 1950 lëvizjet opozitare fetare filluan të rriteshin në Turqi dhe një prej këtyre lëvizjve ka qenë edhe e ashtuquajtura Lëvizje Nurxhije, ku themeluesi i saj Said Nursiu bënte thirrje për të punuar sipas Sheriatit. Ai e filloi punën e vet me lëvizjen e ashtuquajtur “Shpëtimi i Islamit në Turqi”, dhe kjo sipas tij do të arrihej me rigjenerimin e besimit (imanit). Aktivitetet e tij u zgjeruan dhe ndjekësit e tij u shtuan dhe morën emrin “Xhemati Nursi” ose Nurxhi. Po ku përqendrohet kjo lëvizje dhe cili është ndikimi i saj në shoqërinë moderne turke?
Në vitin 1943 Seid Nursiu u paraqit para gjykatës në Denizli me akuzën e krijimit të një organizate sekrete, që kishte si qëllim ngritjen e opinionit publik kundër qeverisë, si dhe ofendimit të figurës së Qemal Ataturkut dhe përshkrimin e tij si një mashtrues. Për këtë qëllim gjykata krijoi një këshillë të posaçëm për studimin e “Risail Nur”, dorëshkrimeve të Nursiut dhe ky këshill doli në përfundimin, se ato nuk kishin asnjë lidhje me politikën apo krijimin e një partie. Si rrjedhojë gjykata e liroi në vitin 1944.
Në vitin 1947 qeveria i dha leje Nursiut, që të shypte dhe të përhapte dorëshkrimet e veta, por pas zgjerimit të lëvizjes së tij ajo e arrestoi edhe një herë Seid Nursiun në vitin 1948.
Pas zgjedhjeve shumëpartiake të vitit 1950, ku fituese doli Partia Demokratike, e cila i dha lirinë Nursiut, dhe i dha edhe më tepër hapësirë lëvizjes së tij për të lëvizur. Këtë përhapje Partia Demokratike e shfrytëzoi për të fituar zëra në zgjedhje dhe gjatë kësaj periudhe doli në pah edhe interesimi i Nursiut për politikën.
Në vitin 1952 Nursiu doli përsi përpara Gjykatës Supreme në një sallë të mbushur plot me nxënësit e tij, me akuzën e botimit të dorëshkrimit me titull Geuclik Rahberi (Drejtuesi i të rinjve) dhe gjykata vendosi për fajësinë e tij. Ndër të tjera u theksua fakti, se lëvizja nurxhije është një lëvizje që nuk merret me politikë.
Natyra e kësaj lëvizjes nurxhie dhe ndikimi i saj:
a- Natyra e saj:
Duhet patur parasysh se ndjekësit e kësaj lëvizjeje nuk e parapëlqejnë emërtimin “nurxhi” dhe aludojnë se synimi i emërtimit të tyre me ketë emër është largimi i njerëzve nga kjo lëvizje dhe akuzimi i saj se bën thirrje për një mez’heb të ri. Kryesisht ndjekësit e kësaj lëvizje dëshirojnë të quhen “ndjekësit e Nursiut”, por kjo nuk i ka penguar studiuesit dhe kërkuesit, që të komentojnë natyrën e kësaj lëvizjeje. Ata kanë mbajtur qëndrime të ndryshme në lidhje me vlerësimin e saj. Dr. Fejruz Ahmedi shprehet se nurxhitë nuk janë tarikat fetar, siç mund të besojë dikush, por ajo është një lëvizje fetaro-politike, që ka si qëllim tërheqjen e Turqve drejt kundërshtimit të parimit të laicitetit, si një përpjekje për të rinovuar apo për të rilindur Shtetin Islam, dhe ka tendencën për t’u përhapur jo vetëm në Turqi, por në të gjithë botën islame.”
Dr. Ahmed Seid Sulejman mendon, se “lëvizja nurxhije është një xhemat islam sunit me rrënjë nakshibendite.”
Dr. Xhorxh Lenshofeski sqaron, se ajo është një tarikat sufi, që “ka përqafuar një filozofi ekstreme në përqasjen e saj ndaj Islamit.”
Dr. Mustafa Zejni thotë, se nurxhitë janë një lëvizje raciste separatiste.
Për sa i përket qëndrimit të Said Nursiu për politikën, mund të thuhet se pavarësisht parrullës që e ai konfirmoi pas vitit 1926, që konsiston në mos-përfshirjen në politikë, realiteti dhe rrjedha e ngjarjeve ka vërtetuar përfshirjen e nurxhive në politikë, por me sa duket Said Nursiu nuk kishte një perceptim të qartë politik për shtetin.
Përçarja që ndodhi në lëvizjen nurxhije pas vdekjes së Nursiut pati ndikimin e vet dhe në këtë mënyrë u krijuan një numër xhematesh, që bashkëpunonin me Partinë e Drejtësisë, një grup tjetër që bashkëpunone me një rrymë fetare që u shfaq në vitet gjashtëdhjetë dhe që quhej “sulejmanije”, rrymë e cila përmes themeluesit të saj Sulejman Sejf synonte krijimin e një shteti islam në Turqi. Së fundmi, ka dalë në pah edhe bashkëpunimi i nurxhive me Partinë Islamike Çlirimtare me qendër në Jordani, dhe që ka disa degë në vende arabe dhe islame, ku njëra prej tyre është edhe në Turqi. Kjo parti punon për të shpëtuar botën islame nga problemet që vuan. Pavarësisht arrestimeve në vitet 1968-1989, kjo parti vazhdon të shpërndajë materialin e saj të ashtuquajtur “kushtetuta islame” në të gjithë anët e Turqisë.
Në vitin 1961, kur u themelua Partia e Drejtësisë, xhematet nurxhije dhanë bekimin e tyre dhe një pjesë e madhe e këtij xhemati vazhdoi të përkrahte kryetarin e kësaj partie Sulejman Demirel gjatë jetës së tij politike. Me themelimin e Partisë së Shpëtimit në vitin 1970 nën udhëheqjen e Nexhemedin Erbakanit, disa xhemate nurxhije e panë të arsyeshme bashkëpunimin me këtë parti, ndërkohë që disa xhemate të tjera nurxhije e kundërshtuan. Pjesa e xhemateve nurxhije që pranuan bashkëpunimin me këtë parti, me sa duket gjetën një shans të artë për të ngritur një lëvizje politike me përmbajtje islame. Në realitet, disa personalitete të njohura nurxhi mbajtën qëndrime pro Partisë Kombëtare të Shpëtimit në fushtatën elektorale në fillim të vitit 1973. Si rrjedhojë, Erbakani zgjodhi disa prej tyre për t’i bërë ministra në qeverine e kualicionit, që e formoi në vitin 1974 me Partinë Republikane Popullore.
Por shumë shpejt nisi një konflikt i fortë mes nurxhive dhe udhëheqësve të kësaj partie, ku secila palë pretendonte se përfaqësonte Islamin e saktë në fushën e shtetit dhe shoqërisë. Disa nga anëtarët e Partisë së Shpëtimit u përpoqën, që të ruanin figurën klasike të lëvizjes nurxhije dhe në të njëjtën kohë bënë kujdes, që partia të kishte një ndikim më të madh në jetën bashkëkohore të shoqërisë turke.
Në përfundim, themi se lëvizja nurxhije vuan nga probleme të shumta dhe një mungesë të madhe në udhëheqjen e tanishme. Nga ana tjetër përkujdesja e nurxhive për çështjet e besimit më shumë se kujdesi i tyre për strukturën shoqërore dhe ekonomike ka ndikuar shumë në dobësimin e kësaj lëvizje.
b- Xhematet e ndryshme nurxhije
Nurxhitë janë ndarë në disa xhemate pas vdekjes së Seid Nursiut. Një nga xhematet nurxhije më aktive është xhemati nurxhi i Fet’hullah Gylenit, xhemati nurxhi i Bazenxhiut, që i përket themeluesit të saj Muhsin Bazenxhi-Oglu, kryetari i Partisë së Unitetit, që është në vetvete një parti i vogël islame. Po kështu edhe xhemati i Yeni-Asya që ka orientim Islamin ekstremist dhe xhemati i davas.
Xhemati i Fet’hulla Gylenit, që është ndarë nga lëvizja nurxhije përqendrohet tek arsimi dhe vetëm në Turqi ka në zotërim më shumë se 20 shkolla dhe 20 qendra arsimore. Ata janë themeluesit e Universitetit Fatih. Për sa i përket anës ekonomike kjo lëvizje zotëron një numër të madh firmash dhe bankash, ku së fundmi ka krijuar institucionin financiar me emrin Asya-Finance. Ky xhemat përqendrohet kryesisht tek promovimi i vlerave të demokracisë dhe anon tek partitë e djathta më shumë se çdo krah dhe rryma të tjera politike. Gazeta Le Monde dhe revista e fuqishme ekonomike Forbes kanë marrë përsipër suportimin financiar dhe manaxhues të projektit të Gylenit të “Islamit Liberal”. Një nga pikat më të forta të lëvizjes së Gylenit është fakti, se ajo ndihmohet nga forcat liberale në Perëndim, të cilat janë në kërkim të një partneri islam në projektin e tyre të “Dialogut mes Civilizimeve.”
Bindjet e nurxhive:
– Nurxhitë në akide i përkasin maturidizmit dhe në fi’kh i përkasin medh’hebit hanefi, pra medh’hebit të Perandorisë Osmane.
– Nurxhitë kanë tipare të shumta sufissh në shumë sjellje dhe ibadete të tyre. Shpesh herë teprimi me kujdesin për “Risalei Nur” të Nursiut i ka shtyrë që të lënë pas dore kujdesin për Kuranin Famëlartë, si nga ana e leximit, po ashtu edhe të kuptuarit e tij. Nga ana tjetër në bindjet e tyre vihet re pranimi i ndërmjetësimit i të Dërguarit të Allahut a.s. për së vdekuri, prentendimi i prezantimit të shpirtit të tij bashkë me besimtarët, kërkimi i mbrojtjes dhe ndihmës prej sahabeve të nderuar, mbivlerësimi fuqive të evlijave etj.
– Mendësia për të krijuar një musliman të përgatitur nga dijet shkencore dhe tendenca e përballjes me laicizmin nëpërmjet shkencës ka trashëguar një padije të thellë përsa i përket dijeve fetare, Sunetit dhe dispozitave fetare tek ndjekësit e tyre. Kjo ka bërë që ligjërimi i tyre të përqëndrohet në aspektet e etikës dhe edukatës më shumë se në aspektet e dijes së mirëfilltë fetare.
– Duke qenë se orientimi i xhematit gylenxhi përqendrohet në kontributin për demokracinë dhe vlerat e saj, ky xhemat është orientuar drejt tolerancës dhe mirëkuptimit ndërfetar, por duke anashkaluar normat dhe suazat mbi të cilat ndërtohet kjo marrëdhënie në Islam.
– Ashtu si dhe në shumë rryma të tjera sufite, bindja e pakundërshtueshme ndaj të parit ka trashëguar tek ndjekësit nurxhi një mungesë të theksuar pavarësie dhe personaliteti. Kësaj të fundit i ka shërbyer edhe kontrolli i ashpër ndaj muridëve (ndjekësve) në rast kontakti me rryma të tjera islame, sidomos ato selefite dhe me aktivitetet e tyre.
– Në Shqipëri pas uzurpimit të Komunitetit Musliman të Shqipërisë, nurxhive kjo i shërbeu për të marrë nën kontroll Medresëne e Beratit, të Korçës dhe Tiranës. Po kështu xhemati gylenxhi zotëron Universitetin Bedër dhe Universitetin Epoka, të cilat nën okelion e Komunitetit Musliman të Shqipërisë në të vërtetë i manaxhon shoqata turke SEMA.
Burimi: www.islamifejaevertete.com