BallinaARTIKUJKëshilla dhe UrtësiHasedi (Zilia, Smira) dhe disa gjykime rreth tij

Hasedi (Zilia, Smira) dhe disa gjykime rreth tij

Hasedi, ose smira apo zilia në gjuhën tonë, është një sëmundje zemre prej së cilës vuajnë shumë njerëz dhe shkakton shumë mundime tek të tjerët duke ua prishur qetësinë dhe lumturinë e tyre madje ajo mund të shkojë deri dhe në mundime ekstreme si vrasja që do të thotë: dhënia fund e jetës së tjetrit.
Hasedi duke qenë se është sëmundje me shumë pasoja në jetën e njerëzve atëherë ia vlen të trajtohet nga ana fetare sepse ajo e trajton më mirë se kushdo tjetër sëmundjet e zemrës.
Çdo të thotë Hased?
Fjala [Hased] është fjalë arabe dhe referuar gjuhës arabe, përkufizimi i kësaj fjale është siç thotë Er-Ragib El-Esfahani (dijetar i njohur në fushën e gjuhës arabe dhe të tefsirit, i vdekur në vitin 502 H) është:
Lakmia në largimin e mirësisë (së Allahut) mbi atë që e meriton, gjë e cila mund të shoqërohet edhe me përpjekje konkrete të lakmuesit në largimin e saj.
Shprehja [mbi atë që e meriton] nxjerr nga përkufizimi rastin kur njeriu nuk e meriton mirësinë dhe ndoshta e kësaj natyre është duaja e Musait -alejhi selam- kundër Faraonit dhe pasuesve të tij siç përmendet në Kuran: “Musai tha: O Zoti ynë, ti i dhe faraonit dhe pasuesve të tij mirësi dhe pasuri në këtë botë dhe ata me to po humbin të tjerët nga rruga jote. O zoti ynë, shkatërroja pasuritë atyre dhe ngurtësojua zemrat që të mos besojnë derisa të shohin dënimin e dhembshëm!” sure Junus: 88.
Kështu veprimi i Musait -alejhi selam- nuk është hased, sepse Faraoni nuk ishte prej atyre që e meritojnë mirësinë e Allahut.
Shprehja [mund të shoqërohet edhe me përpjekje konkrete të lakmuesit në largimin e saj] fut në përkufizim edhe rastin kur nuk shoqërohet me përpjekje konkrete siç thotë Ibn Haxheri -Allahu e mëshiroftë- se Hasedi është: Lakmia në largimin e mirësisë mbi atë që e meriton dhe është më i përgjithshëm sesa të shoqërohet me përpjekje apo jo.
Hasedi është gjynahu i parë te krijesat e Allahut.
Shkaku i parë për kundërshtimin e urdhrave të Allahut nga krijesat e tij ka qenë hasedi siç thotë Allahu i madhëruar në Kuran:
“Ne u kemi krijuar ju, pastaj u kemi dhënë forma pastaj i kemi thënë melaikeve: bini në sexhde Ademit dhe ata ranë në sexhde që të gjithë me përjashtim të iblisit i cili nuk ishte prej atyre që bënë sexhde *Ai (Allahu) i tha: çfarë të pengoi që të bësh sexhde kur të urdhërova? Ai (Iblisi) tha: unë jam më i mirë se ai, më ke krijuar mua nga zjarri dhe e ke krijuar atë nga balta” sure El-Earaf: 11-12.
Imam Maliku thoshte: Kam dëgjuar se gjynahu i parë ka qenë hasedi, mendjemadhësia dhe lakmia: iblisi pati hased dhe u tregua mendjemadh ndaj Ademit. Ademi lakmoi dhe kur iu tha: ha prej të gjitha pemëve veç asaj të ndaluarës! Ai lakmoi dhe hëngri prej saj.
Ibn El-Xheuzij -Allahu e mëshiroftë- thotë: Hasedi është morali më i ulët. Gjynahu më i parë me të cilin është kundërshtuar Allahu në qiell është hasedi i Iblisit ndaj Ademit ndërsa në tokë hasedi i Kabilit ndaj Habilit.
Hasedi i Kabilit është përmendur gjithashtu në Kuran:
“Lexoju atyre lajmin e vërtetë të dy bijve të Ademit kur afruan nga një kurban. Prej njërit prej tyre u pranua kurse prej tjetrit nuk pranua dhe ai i tha: unë do të të vras. Ai (tjetri) i tha: Allahu e pranon prej të devotshmëve” sure El-Maide: 27.
Kjo gjë ndodhi me Shejtanin i cili kur e refuzoi urdhrin e Allahut, hasedi i tij nuk e la të mjaftohet me kaq por e ktheu në armik të çdo kujt që i përmbahet urdhrave të tij siç thotë Allahu i madhëruar në Kuran:
“Ai (Shejtani) tha: për shkak se më humbe do tju ulem atyre në rrugën tënde të drejtë * pastaj do tju vij atyre para, mbrapa, djathtas dhe majtas dhe nuk ke për ti gjetur shumicën e tyre falënderues” sur El-Eraf: 16-17.
Këtë gjë e gjejmë edhe te Ehli kitabi në lidhje me besimtarët e hershëm në Medine siç thotë Allahu i madhëruar në Kuran:
“Shumë prej atyre që u është dhënë libri do kishin dëshirë sikur tju kthenin nga besimi juaj në mohues si hased nga ana e tyre pasi që u është bërë e qartë e vërteta. Prandaj ju falni dhe mos u kushtoni rëndësi atyre derisa Allahu të sjellë urdhrin e tij dhe dijeni se Allahu është i gjithëfuqishëm për çdo gjë” sure El-Bekara: 109.
Ibn Abasi -radiallahu anhu- anhu thotë: Hujej bin Ekhtab dhe Ebu Jasir bin Ekhtab ishin prej jehudëve më me hased ndaj arabëve të cilëve Allahu i madhëruar u dërgoi profetin e tij -alejhi selam- dhe përpiqeshin me çdo kusht të kthenin njerëzit nga islami dhe për ata zbriti Allahu i madhëruar: “Shumë prej atyre që u është dhënë libri do kishin dëshirë…..”.
Hasedi është shkak për ndikimin e syrit.
Hasedi është shkak që e çon në ndikimin e keq të syrit dhe të shpirtit të hasedxhiut.
Në ajetin: “Ata që kanë mohuar gati sa nuk të rrëzojnë me shikimet e tyre” sure El-Kalem: 22.
Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me kuptimin e ajetit thotë: Kuptimi i tij është: Ata gati sa nuk të prekin me sytë e tyre për shkak të hasedit dhe urrejtjes që kanë ndaj teje sikur të mos ishte mbrojtja e Allahut.
Për tu mbrojtur nga sytë dhe veprimet hasedxhiut Allahu i madhëruar ka zbritur suren El-Felek:
“Thuaj: mbeshtetëm në mbrojtjen e zotit të agimit * prej të keqes së asaj që ka krijuar * dhe prej të keqes së mbrëmjes kur bie * dhe prej të keqes së atyre që lidhin dhe fryjnë nyje * dhe prej të keqes së hesedxhiut kur vepron”.
Katadja një prej komentuesve të Kuranit thotë për fjalën e Allahut [dhe prej të keqes së hesedxhiut kur vepron] dmth: prej të keqes së syrit dhe shpirtit të tij.
Ndikimi i syrit është i vertetë sepse Profeti -alejhi selam- thotë:
“Syri është hak dhe sikur të ishte diçka që ia kalon kaderit do të ishte syri” e transmeton Muslimi.
Dhe ajo që e vë në lëvizje syrin është hasedi.
Llojet e hasedxhive dhe gjykimet e tyre.
Hasedxhitë janë katër llojesh siç thotë Ibn Raxheb El-Hanbelij:
Lloji i parë: Ata të cilët kanë hased dhe punojnë për tia larguar mirësinë tjetrit me fjalë dhe vepra pastaj prej tyre ka që duan që ajo mirësi të zhvendoset te ata dhe prej tyre ka që vetëm duan tia largojnë mirësinë tjetrit pa e kaluar atë te vetët e tyre dhe ky është hasedi më i keq.
Ky lloj hasedi është hasedi i ndaluar në të cilin ra Iblisi ndaj Ademit -alejhi selam-, Kabili ndaj vëllait të tij, ehlu kitabi ndaj arabëve etj dhe këtë profeti -alejhi selam- e ka quajtur sëmundja e popujve të mëparshëm dhe ka njoftuar se do të shfaqet edhe në këtë ymet:
“Do ta prekë ymetin tim sëmundja e ymeteve të mëparshëm. Ata (sahabet) i thanë: o i dërguari i Allahut, cila është sëmundja e ymeteve? Ai u tha: mendjemadhësia, shumimi i mirësive, mashtrimi për hir të dynjasë, urrejtja dhe hasedi derisa të ndodh zullum” e transmeton Hakimi dhe e saktëson sheikh Albani.
Lloji i dytë: Ata të cilët kanë hased por nuk veprojnë për ta munduar tjetrin as me fjalë dhe as me vepra. Ky lloj hasedi është transmetuar nga Hasen El-Basriu se njeriu nuk ka gjynah për të dhe ja fjalët e tij:
Një burrë shkon te Hasen El-Basrij dhe i thotë: A ka hased besimtari? Ai i thotë: mos paç babë (shprehje që thuhet për të tërhequr vëmendjen e tjetrit)! Ai i harrove bijtë e Jakupit -alejhi selam-?! Ai (besimtari) e mban të mbyllur në veten e tij dhe nuk e mundon tjetrin as me gojë dhe as me vepra.
Ibn Rexhepi thotë: këtë lloj hasedi nëse njeriu e ka të pamundur ta largojë atëherë nuk ka gjynah për të dhe nëse ai vetë sjell atë nëpër mend atëherë dijetarët janë në kundërshtim në lidhje me gjykimin e tij por ky lloj njeriu është vështirë të mos kalojë në mundimin e tjetrit me gojë apo vepra.
Lloji i tretë: Ata të cilët kur kanë hased nuk dëshirojnë që ti largohet mirësia tjetrit por përpiqet të ketë si ai.
Ky lloj hasedi nëse është për mirësitë e dynjasë është i padobishëm siç tregon Allahu i madhëruar për ata të cilët lakmuan të kenë si Karuni kur panë zbukurimet dhe pasuritë e tij: “Ata të cilët duan dynjanë thanë: ah sikur të kishim siç ka Karuni! Ai është me fat të madh * Kurse ata që u ishte dhënë dija thanë: mjerë për ju se shpërblimi i Allahut është më i rëndësishëm për atë që beson dhe punon të mira” suratu El-Kasas: 79-80.
Ndërsa nëse është në punët e ahiretit është i pëlqyeshëm sepse nxit për mirë dhe kështu duhet të kuptohet hadithit të profetit -alejhi selam-: “Nuk duhet të ketë hased veçse ndaj dy njerëzve: një njeri i cili i është dhënë Kurani dhe e lexon atë ditë e natë dhe një njeri i cili ka pasuri prej të cilës shpenzon ditë e natë” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Lloji i katërt: Ata të cilët kur kanë hased mundohen ta largojnë atë nga zemra duke i bërë mirë tjetrit, apo duke bërë dua për të apo duke e përmendur atë për mirë dhe kjo është prej gradave më të larta të besimit siç thotë profti -alejhi selam-: “Pasha atë që në dorën e tij është shpirti im nuk ka për të besuar njeri derisa të dojë për vëllain e tij atë që do për vete” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Si të mbrohemi nga Hasedi?
Duke parë në Kuran dhe fjalët profetike gjejmë disa gjëra me të cilat mund të mbrohemi nga hasedi:
1- Kujtimi dhe përmendja e porosive të Allahut dhe profetit të tij në lidhje me hasedin dhe dëmin e tij si fjala e Allahut:
“Mos shpresoni atë të cilën Allahu ka dalluar disa prej jush ndaj të tjerëve” sure El-Bekara: 32.
Ibn Abasi -radiallahu anhu- në lidhje me këtë ajet thoshte: të mos shpresojë njeriu duke thënë: ah sikur të ishte e imja pasuria e filanit dhe familja e tij sepse Allahu ka ndaluar për këtë gjë por secili ti lutet Allahut për të mira.
Apo fjala e profetit -alejhi selam-:
“Kini kujdes paragjykimin sepse ai është fjala më e gënjeshtërt! Mos gjurmoni, mos gërmoni, mos mashtroni, mos kini hased, mos urreni, mos i ktheni shpinën nga njëri-tjetrit por jini vëllezër për hir të Allahut” e transmeton Buharu dhe Muslimi.
Apo fjala e profetit -alejhi selam-:
“Njerëzit do vazhdojnë të jenë mirë përderisa nuk kanë hased njëri-tjetrin” e transmeton Taberani dhe e saktëson sheikh Albani.
2- Ti kërkosh mbrojtje Allahut nga e keqja e hasedxhive siç na ka mësuar Allahu i madhëruar në suren El-Felek.
3- Rukja nga syri sepse hasedi ndikon në prekjen e syrit siç i ka bërë Xhibrili -alejhi selam- profetit -alejhi selam- duke i thënë: “Me emrin e Allahut të bëj rukje që të mbrojë nga çdo gjë që të mundon dhe nga e keqja e çdo shpirt apo syri me hased” e transmeton Muslimi.
4- Mos e përmend punën para se ta bësh se ndoshta hasedi i të tjerëve nuk të le ta bësh siç thotë profeti -alejhi selam-:
“Ndihmohuni në realizimin e kryerjes së nevojave me fshehtësi sepse çdo kush që ka një mirësi të tjerët e kanë zili” e transmeton Ukajli, Taberani etj dhe e saktëson sheikh Albani.
5- Mbështetu te Allahut dhe vazhdoje punën dhe mos e le atë për shkak të hasedxhive sepse hasedxhiu nuk kënaqet asnjëherë derisa ta lësh punën.
Një poet thotë:
Armiqësia e çdokujt
në dashuri mund të kthehet,
përveç armiqësisë së atij
që nga hasedi shtyhet.
Ndoshta këtu vlen të përmendet edhe fjala e Allahut të madhëruar kur i thotë profetit të tij tju thotë munafikëve të cilët gati sa nuk hanin duart e tyre nga urrejtja për besimtarët:
“Vdisni në mllefin tuaj se Allahu e di mirë çfarë mbajnë kraharorët” sure Ali Imran: 119.
Këtu mbaron kjo përmbledhje e shkurtër në lidhje me këtë sëmundje të keqe të shoqërisë dhe lus Allahun të jetë kjo gjë në peshoren e punëve të mira! Amin!
Dr. Abdullah Nabolli
Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

Must Read