BallinaARTIKUJKëshilla dhe UrtësiThirrje për ty – O lënës i namazit!

Thirrje për ty – O lënës i namazit!

Vërtetë njeriu në këtë jetë preokupohet me brenga dhe probleme të ndryshme. Ai hasë në këtë jetë sprova dhe sakrifica të mëdhaja dhe të llojllojta. Por, sprova më e madhe që mund ta godet atë është sprova në fenë dhe imanin e tij. Kjo është sprova më e madhe, që nuk ka sprovë mbi të. Nëse njeriut i rrezikohet besimi dhe feja e tij, çfarë sprove tjetër e kësaj bote mund të krahasohet me këtë sprovë?!

Thotë Kadi Shurejh: Kur më godet ndonjë sprovë, e falenderoj Allahun për tri gjëra: Për shkak se ajo ka pasur mundësi të jetë më e madhe se sa më ka goditur, se Allahu më ka dhënë durim që ta përballoj atë, dhe se sprova është në dunjanë time e nuk është në fenë time.

Hatim ibn Esam thotë: Kur më ka vdekur vajza ime, më kanë ardhur mijëra njerëz të më ngushëllojnë, ndërsa kur më ka ikur një namaz me xhematë, nuk ka ardhur të më ngushëllojë askush, andaj edhe e kam kuptuar se sprova në fe është shumë më e madhe se sprova në dunja.

Për atë edhe Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) bënte dua edhe thoshte: “O Zot, mos e bën sprovën tonë në fenë tonë”. Ngase sprova në fe është sprova më e madhe që mund ta godet njeriun.

O lënës i namazit, vërtetë ti je në një sprovë të madhe. Vërtetë ti je në një humbje të madhe. Thotë Allahu (azzevexhel): “Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurtë. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri tjetrin të jenë të durueshëm”. (El-Asr-1/3) A je ti prej atyre që bën punë të mira? A je ti prej atyre që kënaqesh me adhurim ndaj Allahut?

Thotë Imam Ibn Xheuzij: Një njeri prej Beni Israilëve tha: O Zot sa shumë mëkate që bëj, e Ti nuk më dënon! Atëherë Allahu e dërgoi një melek dhe i tha: A nuk ta ka marrur Allahu kënaqësinë e adhurimeve? Tha: Po. Tha: Allahu është duke të dënuar, por ti ende nuk je duke e kuptuar atë.

O lënës i namazit, a e di që urdhëruesi yt për namaz është Allahu? A e di që nuk ka urdhër më të madh se urdhëri i Tij? A e di që namazi është i vetmi adhurim që është bërë obligim në qiell, për të treguar madhështinë dhe rëndësinë e këtij adhurimi? A e di që Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) para se të ndahet prej kësaj bote të ka lënë një testament dhe të ka porositur që ta ruash namazin? A e di që Iblisi ka dalur prej mëshirës së Allahut, vetëmpse ka refuzuar një sexhde? A e di që dallimi ndërmjet muslimanit dhe jomuslimanit është namazi? A e di që pyetja e parë që do të parashtrohet ty, është pyetja për namazin tënd?

O lënës i namazit, cila është arsyeja që ti nuk i bjen në sexhde Allahut? Mos ndoshta do të arsyetohesh se ke punë dhe je i nzënë? Se namazi sikur është bërë obligim vetëm për të papunët, ndërsa ata që punojnë.. Deri kur fjala e firmës dhe e shefit tënd, do të jetë më me rëndësi se fjala dhe urdhëri i Krijuesit tënd? Je në gjendje të kujdesesh për punën tënde, për shëndetin tënd, për familjen tënde, për fëmijet e tu, për shtëpinë dhe pasurinë tënde, për të gjitha që i sheh të nevojshme në jetën tënde, ndërsa të vetmen gjë e cila është më me rëndësi se të gjitha këto që u përmendën, nuk je në gjendje të kujdesesh për të. Nuk je në gjendje të kujdesesh për imanin tënd. E nëse e humbë atë, më thuaj çka mund të fitosh?!

Apo ndoshta ke mendjemadhësi dhe mendon se nuk të takon ty të përulesh dhe t’i bësh sexhde Allahut? Apo Allahu nuk e meriton që ti të përulesh ndaj Tij? Ndërsa njerëzit të cilët së paku një të mirë që të bëjnë ty, mundohesh që t’ua kthesh atë me të mirë. E sa të mira i ke prej Allahut? Thotë Allahu (azzevexhel): “Në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i përkufizoni ato. Vërtetë, njeriu është i padrejtë dhe përbuzës“. (Ibrahim-34)

O lënës i namazit, si do të ishte gjendja yte sikur nëpër xhami njerëzit të shpërndanin të holla? Nëse për çdo namaz do të fitoje vetëm nga pesë euro, do ta lije namazin? Jo sigurisht, sepse për një ditë do të fitoje njëzet e pesë euro, ndërsa rrogën në muaj do e kishte shtatëqind e pesëdhjetë euro! Do të mungoje? Do të ishe i nzënë? Do të thoje le të falen ata mëkatarët? Do të thoje se mjafton që të keshë zemrën e pastër? Apo do të ishte prej të parëve në namaz? Do të ishte më i “devotshmi“ i namazfalësve.. E kjo bëhet kur imani yt është në të holla. Kur namazi për ty nuk vlen as sa pesë euro. Kur Xheneti për ty nuk vlen as sa një rrogë në muaj. Kështuqë ti je shëndërruar në një rob i pasurisë dhe i kësaj bote, i cili ka harruar Krijuesin dhe të mirat e Ahiretit.

Apo do të thuash se nuk është aq me rëndësi namazi. Me rëndësi është që ta keshë zemrën e bardhë dhe të pastër dhe mos t’i bësh dëm askujt. Subhanallah! A mund të ketë ndonjë njeri i cili ka zemër të pastër dhe e urren Allahun? Dhe nuk e don takimin me Të? Dhe bëhet rob i pasurisë dhe të mirave të kësaj bote? Assesi. Përkundrazi, zemra yte është nxirë prej katranit të mëkatit dhe shfrenimit të kësaj bote, e cila ka harruar adhurimin dhe pendimin ndaj Allahut (azzevexhel).

Por, ja edhe nëse pranojmë se zemra yte është e pastër, kush të ka thënë se namazi nuk është obligim për ata që kanë zemër të pastër? A nuk qenë zemra më e pastër e mbarë njerëzimit zemra e Muhamedit (salallahu alejhi veselem)?! Por megjithatë ai është falur natën dhe ditën, derisa i janë enjtur këmbët e tij duke qëndruar në namaz, ndërsa zemra yte “e pastër“.. ku është?!

O lënës i namazit, është për t’u habitur me ty si ka mundësi të mos falesh. A e di që nuk ka asnjë krijesë në këtë botë, që nuk i bën ibadet Allahut? Thotë Allahu (azzevexhel): “A nuk e di për Allahun se Atij i nënshtrohet (i bën sexhde) kush është në qiej dhe kush është në tokë, edhe dielli, edhe hëna, edhe yjet, edhe kodrat, edhe bimët, edhe shtazët, e edhe shumë njerëz. Por shumë (njerëz) janë që e meritojnë dënimin. E atë që e poshtëron Allahu nuk ka kush që mund ta bëjë të ndershëm. Allahu vepron atë që dëshiron“. (El-Haxh-18)

O lënës i namazit, deri kur nuk do të falesh? Deri kur të dalësh në penzion? Deri kur të plakesh? Deri kur të lirohesh nga obligimet dhe problemet e kësaj bote? Deri kur..?! Apo pret që të thotë imami për ty, sikur që tha për dikënd para teje: E falim sot, atë që vendosi të falet prej nesër!!

O lënës i namazit, falu! Falu, para se të vjen momenti që të thahet pështyma, të ngjitet fyti, të ngushtohet gjoksi, dhe nuk të pranohet besimi as pendimi. Falu para se të vjen meleku i vdekjes dhe të thotë: Dil o shpirt i fëlliqur, te Zoti yt i hidhëruar dhe i pakënaqur me ty. Falu, para se të thuash: “Ah i mjeri unë, sikur të isha parapërgatitur për jetën time“. (El-Fexhr-24) Falu para se të thuash: “Ah mjer për mua, sikur të isha bërë dhe“. (En-Nebe‘-40)

Thotë Allahu (azzevexhel): “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, sepse vërtetë Allahu i falë të gjitha mëkatet. Ai është që falë shumë dhe është Mëshirues”. (Ez-Zumer–53)

Hoxhë Omer Bajrami

Must Read