BallinaTEZKIJEAmbiciet dhe SuksesiDurimi (Sabri) kjo cilësi e besimtarëve

Durimi (Sabri) kjo cilësi e besimtarëve

Durimi (Sabri) kjo cilësi e besimtarëve

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet dhe lavdërimet janë për Allahun, Zotin e gjithë botëve. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhamedin, familjen dhe shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, ndërsa udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, e çdo lajthitje të çon në zjarr.

Në këtë hytbe, me lejen e Allahut, do të flasim për durimin, për këtë cilësi të besimtarëve tepër të lavdëruar në Kuran dhe Sunet.

Të nderuar vëllezër dhe motra!

Durimi është frenimi i shpirtit nga shqetësimi, gjuhës nga pikëllimi, duarve nga goditjet, etj.

Durimi është virtyt i njeriut, i cili nuk e lë që ta bëjë atë që nuk është e mirë. Ai është fuqi shpirtërore, i cili rregullon karakterin e individit.

Durimi është ikje nga e ndaluara dhe përmbajtja e vetes në fatkeqësi, mjerim, etj.

Allahu i Lartësuar durimin e ka bërë mirësi të pafund, shpatë të pathyeshme, ushtri të pamposhtur, kështjellë të pa pushtuar, si dhe fitore të besimtarit.

Duke i lavdëruar durimtarët, Allahu i Lartësuar thotë: “…Vetëm ata që janë durimtarë do të shpërblehen pa hesap.” Zumer, 10.

Allahu i Lartësuar është Ai që i orienton durimtarët, i ndihmon me mbështetjen e tij, si dhe u jep fitore, ashtu siç thotë: “…Dhe bëhuni të durueshëm, sepse Allahu është në anën e durimtarëve.” Enfal, 46.

Falë durimit, durimtarët arrijnë të mirën në këtë dhe botën tjetër. Përveç kësaj, Allahu i Lartësuar të duruarve u ka besuar rolin e udhëheqjes në fe, për shkak të durimit dhe bindjes së tyre. Për këtë Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Dhe prej tyre Ne caktuam prijës të cilët me urdhrin tonë, udhëzonin, pasi ishin të durueshëm dhe besonin në argumentet tona.” Sexhde, 24.

Allahu i Lartësuar i vë në dijeni durimtarët se durimi është më i mirë se sa hakmarrja për padrejtësi dhe thotë: “…E nëse duroni, kjo është më e mirë për durimtarët.” Nahl, 126.

Duke na lajmëruar se durimi dhe devotshmëria janë parakushte për arritjen e suksesit, Allahu i Lartësuar na thotë: “O besimtarë, bëhuni të durimtarë dhe të fortë, rrini të përgatitur dhe kini frikë Allahun, që të arrini atë që dëshironi.” Ali Imran, 200.

Allahu i Lartësuar, gjithashtu, na njofton se me durim dhe devotshmëri besimtarëve nuk mund tu shkaktojnë dëm dinakëria e armiqve, madje edhe kur armiku është i fuqishëm dhe më i madh në numër. Për këtë Ai thotë: “Dhe nëse duroni dhe largoheni nga ajo që ju ndalohet , dinakëria e tyre nuk do t’ju dëmtojë. Allahu është në dijeni për atë që bëjnë.” Ali Imran, 120.

Allahu i Lartësuar i përgëzon durimtarët kur thotë: “Dhe përgëzoi durimtarët. Ata të cilët kur i godet ndonjë fatkeqësi, thonë: ‘Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi.’ Ata te Zoti i tyre i pret falja e mëkateve dhe mëshira , të tillët janë në rrugë të drejtë.” Bekare, 155-157.

Përveç të tjerave Allahu i Lartësuar i premton durimtarëve se do t’i kursejë nga zjarri i xhehenemit dhe do t’i fusë në xhenet. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata sot i shpërbleva se ishin durimtarë. Ata vërtet e kanë arritur atë që kanë dëshiruar.” Muminun, 11.

Të pikëlluarit dhe të ankuarit për gjendjen e vet para të tjerëve është cilësi e kundërt me durimin, mirëpo kur njeriu i ankohet Allahut për gjendjen e vet, kjo nuk është në kundërshtim me durimin. Për këtë kemi shembujt e dy profetëve:

Jakubit kur thotë: “Unë dhimbjen time dhe hidhërimin tim ia parashtroj Allahut.” Jusuf, 86.

Po kështu edhe Ejubi, i cili ka thënë: “Më gjeti belaja, ndërsa Ti je ndër mëshiruesit më i Mëshirshëm.” Enbija, 83.

Duke bërë një krahasim mund të themi se shpiti është si një mjet transportues i njeriut, i cili e çon ose drejt xhenetit, ose drejt xhehenemit. Ndërsa durimi në krahasim me të është drejtues i mjetit transportues. Nëse mjeti transportues nuk ka drejtues ai e lëshon rrugën dhe futet nga të dojë.

Njëri nga dijetarët ka thënë: “Frenojeni shpirtin tuaj, sepse ai është kurioz dhe do të provojë gjithçka që nuk vlen… Kjo për shkak se është më lehtë të ruhemi nga ndalesat e Allahut, sesa të durojmë dënimin e tij.”

Pas gjithë përkujtimit të këtyre ajeteve më se të qarta, të nderuar besimtarë, ju njoftojmë se durimin mund ta ndajmë në disa lloje:

1. Durim i obliguar. Ky ndodh në atë rast kur ikën, largohesh nga të gjitha ato gjëra që Allahu i Lartësuar dhe Pejgamberi (alejhi selam) i ka ndaluar.

2. Durim i lavdëruar. Ndodh në atë rast kur largohesh nga të gjithë ato gjëra që Allahu i Lartësuar dhe Pejgamberi (alejhi selam) i ka qortuar.

3. Durim i ndaluar. Ndodh në ato raste kur largohesh nga ngrënia, pirja dhe gjithçka e nevojshme për jetesë, deri sa të vijë vdekja.

4. Durim i qortuar. Ndodh kur këmbëngulim në kryerjen apo veprimin e asaj që është e qortuar, si p.sh.: këmbëngulja në largimin e tepërt nga buka, uji, veshmbathja, marrëdhëniet me bashkëshortin apo bashkëshorten, deri në atë masë sa dëmton shëndetin e organizmit.

5. Durim i lejuar. Ndodh në ato raste kur duron në kryerjen e disa veprave, gjykimi i të cilave është njësoj si të kryen e si mos të kryen.

E lusim Allahun e Lartësuar të na bëjë prej durimtarëve, fitimtarëve dhe të shpërblyer me xhenetet e Tij!

Burimi:
Erion Sulo
Burimijetes.info

Must Read