Mendo përjashta kutisë!
Lexues i nderuar,
Jeni duke lexuar letrën hyrëse të materialeve që do t’ju paraqesim, të cilat do t’ju bëjnë dobi në udhëtimin tuaj gjatë jetës. Krejt çfarë duhet të bëni, është t’i shqyrtoni ato duke përdorur mendjen dhe zemrën tuaj. Janë përgatitur posaçërisht për ju, që të mendoni për dikë shumë të rëndësishëm dhe të çmuar… Veten! Gjithashtu do t’ju japin një pamje të thellë dhe të veçantë mbi një mënyrë shumë të keqkuptuar të jetës.
Paramendoni sikur u zgjuat në një fabrikë të madhe, në të cilën nuk keni qenë kurrë më parë. I shikoni mijëra njerëz që punojnë, ndërsa të gjitha dyert dhe dritaret janë të mbyllura.
Njerëzit punojnë, flenë dhe shpenzojnë gjithë jetën e tyre brenda kësaj fabrike. Në këtë situatë, çfarë do të mendonit në vetvete? “Pasi jam këtu, t’i bashkohem edhe unë të tjerëve”, apo do të mendonit: “Si kam ardhur këtu? Çfarë ka jashtë fabrikës? Përse jam vënë këtu?”
Ky shembull, është i njëjtë me ekzistencën tonë këtu në Tokë. Ne, qeniet njerëzore, jemi vënë në ekzistencë pa ndonjë zgjedhje të vetëdijshme, prandaj vijon pyetja: Kush jemi ne dhe çfarë është qëllimi ynë?
Bota Jonë
Të pyeturit rreth ekzistencës sonë mund të bëhet edhe rreth gjithësisë (universit): “Përse ekziston gjithësia? Përse është ashtu siç është?”
Një vend i mirë për të filluar është, që të shikojmë botën rreth nesh. Kur mendojmë mbi natyrën e botës, shohim rregull dhe rend, që shfaqet kudo: nga cikli i ujit e deri te lëvizja e Tokës rreth Diellit. Sa më shumë që e studiojmë botën tonë, aq më shumë rregull dhe rend zbulojmë. Duke folur mbi rregullin e gjithësisë, fizikani Stefan Haking (Stephen Hawking) tha:
“Përshtypja më e madhe është ajo e rregullit, sa më tepër që zbulojmë rreth gjithësisë, aq më tepër kuptojmë se ajo drejtohet nga ligje racionale.”
Meqë gjithësia i bindet “ligjeve të shkencës”, qofshin ato kimike, fizike a biologjike, shtrohet pyetja: Nga erdhi i gjithë ky rregull?
Ne kurrë nuk kemi parë që një makinë, telefon celular, aeroplan apo ndonjë gjë tjetër që është e rregulluar, të formohet rastësisht. Përkundrazi, ku shohim rregull dhe rend, e dimë se është një organizator pas tij. Tani, duke parë regullin dhe strukturën në gjithësi, a nuk do të ishte e logjikshme të thuhet se gjithësia ka një organizator? Ky organizator, shpjegohet më mirë si Zot.
Natyrshmëria Jonë
Besimi në Zot nuk është vetëm një pikëpamje intelektuale, më tepër se kaq, ajo është natyrë e qenies njerëzore.
Shumë fëmijë të kulturave të ndryshme, shfaqin prirjen e natyrshme për të besuar në Zot, ashtu siç Dr. Xhastin Barret (Justin Barrett), një hulumtues me përvojë në Universitetin e Oksfordit, Qendra për Antropologji dhe Mendje, thotë:
“Shumica e fakteve shkencore, për afër dhjetë vitet e fundit, tregojnë se zhvillimi i natyrshem në mendjen e fëmijëve është më i madh se që kemi menduar më parë, duke përfshirë edhe një predispozitë, që i bën të shohin botën natyrore si të dizajnuar e me qëllim të caktuar, dhe se, një lloj qenie inteligjente është prapa këtij qëllimi…”
Kjo është arsyeja pse shumica e njerëzve përgjatë historisë, kanë besuar në një lloj krijuesi, edhe pse mund ta kenë thirrur atë me emra dhe veti të ndryshme. Shpjegimi më i mirë për këtë besim, është se Zoti e ka ngulitur këtë te njerëzit.
Qëllimi Ynë
Besimi në Zot, shkon në përputhje me kërkesën e njeriut për një qëllim. Çdo gjë rreth nesh ka një qëllim, kështu që, do të kishte kuptim që edhe ne ta kemi një. Kurani, libri që besohet nga muslimanët të jetë Fjala e Zotit drejtuar njerëzimit, na parashtron pyetje të thella për ekzistencën tonë:
“Mos vallë, keni menduar që Ne ju kemi krijuar kot (pa ndonjë qëllim) dhe që nuk do të ktheheshit te Ne (për t’ju gjykuar)?!” [23:115]
“A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi apo mos janë ata krijues të vetvetes?! A mos vallë ata kanë krijuar qiejt dhe Tokën?! Nuk është kështu, por ata nuk janë aspak të bindur.” [52:35-36]
“Vallë, a nuk mendojnë ata në vetvete? Allahu ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe ato që gjenden në mes tyre – vetëm me qëllim dhe afat të caktuar. E, me të vërtetë, shumica e njerëzve nuk besojnë në takimin me Zotin e tyre.” [30:8]
Kurani trajton çështjet kryesore të jetës, që e bëjnë atë të mundshëm për t’u lidhur thellësisht me qenien njerëzore. Kjo nismë (Një Arsye), përmban një libërth të quajtur “Një udhëtim i shkurtër nëpër Kuran”, i cili është një përmbledhje me pjesë të shkëputura nga Kurani, si dhe materiale të tjera që kanë të bëjnë me tema të tilla si: ekzistenca e Zotit, paqja shpirtërore, qëllimi i jetës sonë etj.
Ju falënderojmë që morët kohën tuaj për ta lexuar këtë letër! Shpresojmë t’i pëlqeni dhe të përfitoni shumë nga materialet që do t’ju paraqesim!
—
Njearsye.org