Prezantim i librit: “QËNDRIMI I ISLAMIT NDAJ LAICIZMIT – ndikimi i laicizmit në vendet ballkanike”
Në librin “QËNDRIMI I ISLAMIT NDAJ LAICIZMIT”, autori Dr. Zekirija BAJRAMI trajton një tematikë që zë vend të rëndësishëm në hulumtimet për popullatën islame.
Çdo kapitull i këtij libri është material e shtjelluar sipas radhitjes së një logjike dhe në mënyrë të kuptueshme paraqitet si temë, me një kronologji shkencore.
Kam bindjen se nga literatura e konsultuar nga autori, duke pasur parasysh edhe përvojën e tij kërkimore, me këtë libër, studiuesve shqiptarë mysliman i ofrohet një mundësi ideale për të kuptuar fenomenin e laicizmit dhe qëndrimin e Islamit ndaj këtij fenomeni, që në shumë raste edhe në shoqërinë shqiptare, trajtohet herë-herë edhe në mënyra të ndryshme madje edhe politizuese dhe të gabueshme.
Vepra “Qëndrimi i Islamit ndaj laicizmit – ndikimi i laicizmit në vendet ballkanike” e përgatitur për disertacionin e doktoraturës, është e përbërë me këto kapituj: Paraqitja e laicizmit; Laicizmi në jetën e evropianëve; Qëndrimi i Islamit ndaj laicizmit; Ndikimi i shekullarizmit në vendet ballkanike. . .;
Ky libër është një pasuri e madhe e publikimeve shqipe, e cila përpos që na njofton me çështjen e laicizmit, gjithashtu na njofton edhe me autorin e saj, ku me një përkushtim shkencor dhe hulumtues i cili është i dukshëm në këtë vepër, në të cilën rrahet një çështje, për të cilën s’është shkruar ndonjë përsiatje më parë si kjo për të cilën po bëjmë fjalë.
Vepra që mëton të shpjegojë dy sisteme, laicizmin dhe fenë Islame, dhe gjykimin e kësaj të fundit ndaj të parës, ka vlerë shumë të madhe, dhe për shtjellimin e kësaj teme autori ka pasur një synim, i cili, siç thotë ai vet“është korrigjimi i koncepteve të gabuara duke u mbështetur në metodologjinë islame që buron nga Kur’ani Famëlartë dhe sunneti i Pejgamberit tonë salallahu alejhi ue selem”.
Hyrjen e librit, Dr. Zekerija Bajrami e fillon me historikun e laicizmit, përkufizimin e tij në aspektin gjuhësorë, porse edhe në aspektin e domethënies terminologjike, në këtë rast duke treguar shumë të vërteta, duke përgënjeshtruar pohimin se gjoja termi laicizëm është ngritur mbi shkencë, gjë që “…nuk ka lidhje me shkencën dhe me doktrinën shkencore” , dhe duke treguar se thirrja e saj është “për të formuar jetën jo në baza fetare” .
Autori tregon se fillet e kësaj thirrje janë bërë në kohën kur, në dominim ishte Kisha e cila kontrollonte me të gjitha përbërjet shoqërore, atëbotë kur, shkencës dhe diturisë s’i ishte dhënë vendi i merituar, e që kjo çoi deri te revoltimi i njerëzve kundër klerikëve kishtar, deri sa e ndanë fenë, përkatësisht – në atë kohë Kishën nga shteti i tyre.
Në pjesën e parë “Paraqitja e laicizmit” njoftohemi hollësisht me shkaqet që çuan deri te shfaqja e laicizmit, i cili u formua nga ajo pjesë e popullsisë, e cila nuk pajtohej dot që t’ua mbushë xhepat me të holla peshkopëve dhe udhëheqësve të manastireve, të cilët klerikë flisnin për ndershmëri e drejtësi, kurse veprat e tyre nuk qëndronin me fjalët, nxitnin në injorancë, pandershmëri e jo në dituri, në mënyrë që ta lënë popullatën në prapambeturi, e t’ju besojnë legjendave e miteve të tyre. Peshkopët akuzonin mendimtarët dhe iu konfiskonin librat, pengonin përparimin shkencorë dhe i mbytnin shkencëtarët, madje mbytnin edhe monoteistët që s’pranonin tezën e trinitetit, e edhe formonin gjykata të inkuizicionit, e cila mes gjithë të bëmeve të saja, mbyti me miliona njerëz. Pas gjithë kësaj çthurrjeje, kolapsi e shkatërrimi, popullata doli kundër Kishës dhe kërkoi ndarjen e fesë nga shteti.
Në pjesën e dytë “Laicizmi në jetën e evropianëve”, autori shumë bukur shpjegon çështjen se Kisha, e cila udhëhiqte me masat, fenë të cilën e predikonte, ajo e shfaqte vetëm si lidhje njeri – Zot, e jo më gjerë, përkundër që ajo kishte në dorë edhe pushtetin. Si rrjedhojë e një mungese të një kushtetute apo sistemi politik dhe administrativ, Evropa bëri laicizmin e pushtetit, gjegjësisht ndarjen e fesë nga shteti, i cili pushtet duhet të përmbajë sistemin shtetërorë që përcakton sjelljen e njerëzve, rregullat, ligjet dhe rrugën e jetës së tyre, gjë që s’e rregulloi Kisha.
Në pjesën e tretë “Qëndrimi i Islamit ndaj laicizmit” autori bën fjalë për çështjen se si arriti laicizmi në vendet islame, në të cilat për trembëdhjetë shekuj u punua me Sheriatin Islam, që llogaritet pjesë e fesë. Fillimi i regresit të myslimanëve, prapambeturia, ngecja në shkencë dhe dekadenca, qenë disa ndër shumë shkaqe, të cilat në kohën kur Evropa përparonte e ishte në progres, u importuan tek masa myslimane ligjet njerëzore, në mënyrë që t’i braktisin ato Hyjnore, e që kësaj i shërbeu më së shumti gjenerata e cila besonte në ndarjen e fesë nga shteti, e që aplikimi i kësaj ideje u bë e mundur me arritjen e tyre në pozicionet politike, të cilën ua bëri të mundur kolonializmi. Mirëpo, siç tregon edhe autori: “Kur shndërrohet shoqëria në shoqëri laike, kur përkufizohet feja vetëm në marrëdhëniet mes njeriut e Zotit, kur aplikohen ligjet pozitive në mes njerëzve, atëherë fillon kaosi, përçarja, çrregullimi shpirtëror njerëzor si dhe përhapet fenomeni i vjedhjes, i dhunës dhe formave tjera të amoralitetit e devijimit” dhe e gjithë kjo shfaqet si shkak i largimit nga Sistemi Hyjnor i Zotit, Islami, për të cilin autori bën një sqarim të shkëlqyer ku thotë: “Islami është fe e cila i ka caktuar marrëdhëniet e shëndosha mes njeriut dhe Krijuesit të tij të Madhëruar dhe në të njëjtën kohë është metodë jete e përgjithshme, e plotë dhe precize, ngase i rregullon marrëdhëniet mes individit dhe shoqërisë. Islami ka formuar një balancë mes individualizmit dhe bashkësisë nëpërmes të cilit realizon unin, lirinë dhe respektin e individit dhe në të njëjtën kohë mbron shoqërinë, rolin e individit dhe në formimin, zhvillimin dhe qytetërimin e saj. Islami, po ashtu, është sistem i plotë që përmban në vete një konglomerat thirrjesh që njiheshin në atë kohë, madje lirinë, drejtësinë, barazinë dhe solidaritetin shoqëror” . Në kohën kur ishte vendosur për ndarjen e fesë krishtere nga shteti, ndikim të madh kishte ajo se Kisha shpjegonte vetëm çështjet e lidhjes njeri-Zot e jo më shumë, kurse një gjë e tillë nuk ndodh edhe në Islam, e cila fe është Sistem i përgjithshëm, që kaplon me rregullat e veta çdo pore të jetës, e jo vetëm relacionin në fjalë. Islami i dha vlerën dhe vendin e merituar shkencës, ngriti shtetin mbi vlera e rregulla të kuptimta dhe të përkryera.
Autori në këtë pjesë të librit të tij, të cilin libër ia rekomandojmë për lexim, studim dhe hulumtim çdo juristi, politikologu e intelektuali shqiptarë, shpjegon edhe karakteristikat e pushtetit islam, shtetin e Profetit Muhamed salallahu alejhi ue selem, flet rreth Islamit në tërësi, për pushtetin sipas metodës islame, pushtetin islam dhe politikën, karakteristikat e metodës politike islame, dhe më pas rreth shkatërrimit të parimeve të laicizmit, aktivitetit të Islamit në këtë drejtim. Autori në mënyrë hulumtuese, flet rreth Islamit dhe materies, qëndrimin e Islamit ndaj kësaj të fundit, më tej hap temën se si të rezistohet laicizmi, flet rreth disa temave shumë të rëndësishme, devijimit të besimit dhe legjislaturës, rreth moralit të laicizmit, moralit islam, ekonomisë islame dhe asaj laike etj.
Në pjesën e katërt “Ndikimi i shekullarizmit në vendet ballkanike – shembulli i Shqipërisë, ish-Jugosllavisë dhe Bullgarisë”, tregohet se kush ishte promovues i laicizmit në vigjiljen e saj, ku përmenden xhon turqit si pionier të ideve laike, e që vitin 1839, kur u bë shpallja e reformave të Tanzimatit, autori e përmend si kohë e shfaqjes së filleve të laicizmit. Më tej, gjerësisht flet për periudhat e ndryshme në të cilat ndodhej shteti ynë amë, Shqipëria pas pavarësisë së saj, me gjithë sistemet që e udhëhiqën atë, feja në periudhën e Shqipërisë komuniste, e më pas demokratike. Gjithashtu, një shtjellim të këtillë i jepet edhe vendeve tjera ballkanike, duke përfshirë këtu Bullgarinë dhe trojet që ishin në ish-Jugosllavi. Periudha postkomuniste dhe gjendja e fesë në to është pikë e elaborimit të temës, duke përmendur disa nga shtetet ballkanike, ndër to: Maqedonia, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi.
Ashtu si në veprat e tipit teorik shkencor, që njohuritë shtrohen që nga përkufizimi dhe etimologjia e fjalës, e deri te përkufizimi shkencor për dhënien e kuptimit të një rrjedhe të zhvillimeve të ngjarjeve apo të një fenomeni që duhet të hulumtohet, autori Zekirija BAJRAMI, ofron argumente të verifikuara, për format e paraqitjes së laicizmit si rregull i “legjitimuar” edhe për normat shtetërore, por edhe për dukuritë deformuese të shoqërisë që janë pasojë e laicizmit. Për të gjitha këto, autori ofron një vepër që do të jetë literaturë bazë për shumë hulumtues që do të trajtojnë këtë fenomen.
Nëse lexuesi do të thellohet në hulumtim, do të bindet se çdo kapitull në librin “Qëndrimi i Islamit ndaj laicizmit”, paraqitet si temë, me një kronologji shkencore. Pa dilemë, autori bën një hulumtim serioz shkencor, me një qasje të suksesshme dhe kualitative, bazuar në standardet e hulumtimit shkencor.
Kam bindje se ky libër, duke pasur parasysh metodologjinë e punës shkencore, apo për hir të lexuesit që shfaq interesin për t’u pajisur me njohuri teorike që mund t’i shërbejnë si bazament për njohjen e fenomeneve të laicizmit, dhe të qëndrimit të Islamit ndaj laicizmit, është risi në hapësirat hulumtuese shqiptare.
Autorit i urojmë suksese të mëtutjeshme të hulumtimeve shkencore në promovimin e vlerave islame, ndërsa lexuesve dhe hulumtuesve i urojmë lexim të këndshëm të këtij libri. Zoti e shpërbleftë autorin Zekirija Bjaramin dhe familjen e tij. Zoti qoftë razi.
Përgatiti: Nazmi Maliqi
Burimi: http://www.albislam.com – Faqja e parë Islame në gjuhën shqipe