Kur do të kthehesh tek Zoti?
Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe kthehuni tek Zoti juaj.” (Kur’an, 39:54)
Kujtimet që të mbeten nga fëmijëria janë vetëm lagjja ku u rrite dhe ëndrrat që nuk t’u realizuan. Kur ishe i vogël nuk e kuptoje se çfarë po ndodhte me ty. Më e keqja ishte kur mendoje se u rrite, por ishe ende i vogël.
Ëndrrat më të këqija të jetës janë ato që t’i mësojnë të tjerët dhe jo që thur vetë. Hapi më i gabuar në jetë është kur mendon se je rritur dhe në realitet je ende i vogël për të luajtur me zjarrin dhe bëhesh si fluturat, që sa herë shohin vezullimet e dritës vrapojnë drejt saj duke harruar se është vetë zjarri.
Hapat e gabuar të çuan drejt moçaleve duke menduar se po lundron mbi detin e kthjellët. Pjesët më të këqija të jetës qenë ato net të errëta, kurse njerëzit më të këqij ishin ata që të panë se po bëje hapa të gabuar e nuk të orientuan.
I vazhdove hapat e gabuar dhe harrove se gjurmët nuk mund të fshihen lehtë. Distanca që kalove me hapat e tu në të vërtetë nuk ishte rruga që po kërkoje, por qorrsokakët që vonë e kuptove se ishin rruga e gabuar.
Më e keqja e jetës është kur njeriu ia vë vetes prangat dhe pastaj mundohet të fajësojë të tjerët, duke harruar se ato pranga i lidhi vetë me mëkate si pasojë e asaj që veproi.
Po të pyes: Kur do të kthehesh?!
Dua që këta hapa t’i ndalosh një ditë edhe pse brendësia e zemrës shushurit se ende je larg. Je larg sepse ke perden e errësirës, sytë të janë verbuar dhe nuk sheh dritën e së vërtetës dhe udhëzimit.
Vetëm hapat konkretë janë ata që japin rezultate në jetë për të dalë nga moçali, që të braktisësh mëkatin e të kërkosh dritën e zemrës, që të mos jesh si flutur e të shkosh drejt zjarrit, që ëndrrat t’i ndërtosh vetë, të ecësh në rrugën e drejtë e jo qorrsokakëve dhe të duash lirinë e jo prangat.
Dua që hapat e tu të jenë drejt rrugës së paqes, drejt jetës plot dashuri e lumturi.
Thuaj: Zot, më bëj që hapat t’i kthej në rrugën Tënde. Zot, Ti më premtove që nëse kthehem, do të më falësh. Më fal!
Zot, dua të kthehem…
Rashit Zylfiu