Namazi është shkak për tejkalimin e vështirësive
AJET KURANOR
Allahu i Madhërishëm thotë:”O besimtarë! Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit! Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit.” (Kurani, 2:153)
THËNIE PROFETIKE
Hudhejfe ibn Husejni, Allahu qoftë i kënaqur me të!, thoshte: “Kur të Dërguarit të Allahut صلى الله عليه وسلم i vështirësohej ndonjë çështje, falte namaz.” [E SHËNOJNË EBU DAVUDI, AHMEDI DHE NESAIU.]
URTËSI
Abdurrahman es Sadi ka thënë: “Nëse namazi i robit është i plotë, gjegjësisht i përfshin gjërat e detyrueshme, të pëlqyeshmet dhe praninë e zemrës, atëherë nuk ka dyshim se namazi i tillë është një prej shkaqeve që më së shumti e ndihmon njeriun në të gjitha çështjet.”
DILEMË
Namazi më vë pengesa në jetë (!)
Namazi është prej shkaqeve kryesore për lehtësimin dhe tejkalimin e të gjitha vështirësive. Pra, namazi sjell gjithnjë lehtësimin dhe asnjëherë vështirësinë. Kushdo që e ka provuar, është bindur në këtë.
KËSHILLË
Falu dhe bëj durim, sepse vetëm kështu arrihet ndihma e Allahut!
Burimi:
Libri “Për ty që (s’)falesh”
Autor: Jusuf Hilmi Kastrati
Boton: Shembulli