BallinaAKIDEAkide të ndryshmeCILA ËSHTË RRUGA E VETME QË SHPIE TEK ALLAHU?!

CILA ËSHTË RRUGA E VETME QË SHPIE TEK ALLAHU?!

CILA RRUGË SHPIE TEK ALLAHU

Është e vështirë për njeriun që në mesin e dallgëve nëpër të cilat e përplasë jeta dhe sprovat e saj, të orientohet se cilës rrugë duhet të ecë. Hutia rritet edhe më tej kur ai ndodhet në mes të një udhëkryqi, me ç’rast assesi nuk mund të gjejë kah t’ia mbajë. Njeriut i ndodhë kjo sidomos kur arrin në një vend pa mos e ditur se kah dhe si ka ardhur deri aty. Rrugët e jetës e habisin njeriun në të njëjtën mënyrë. Ai që e përcjellë rrugëtimin e jetës së vet deri në detaje, ka më pak gjasa që të humbë rrugën, qoftë edhe kur ndodhet në lëmshet e ndryshëm të jetës. Por, individi i cili për dekada të tëra nuk është interesuar të dijë kah vjen dhe kah është duke shkuar, e ka më të vështirë të gjejë orientimin e duhur.

Është e pamohueshme se, sido që të jetë puna e cilitdo njeri, udhëzimin e ka në dorë Allahu i Madhëruar, Krijuesi i gjithësisë dhe njeriut. Ai ka marrë për sipër që njeriut t’ia tregojë rrugën, duke i garantuar se nëse ecë asaj rruge, jeta e tij gjithsesi do të ketë kuptim, duke fituar njëkohësisht edhe garancën për lumturi dhe shpëtim në të dy botët. Identifikimi i rrugës, sikur është e njohur edhe në jetën e përditshme, bëhet kur dikush, vërtetësia e fjalës së të cilit nuk vjen në diskutim, dëshmon se kjo rrugë shpie në destinacionin e dëshiruar. Në rastin e njeriut i cili kërkon udhëzimin e përjetshëm, nuk ka dëshmi më të fortë sesa Fjala e Allahut.

Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe kjo është Rruga Ime e Drejtë, andaj pasojeni dhe mos pasoni rrugica të cilat do t’u shmangin prej Rrugës së Tij.” (En’am, 153) Kalimi në të folur, sikur vërehet tek ajeti, prej vetës së parë në të tretën brenda fjalisë së njejtë është mënyrë shumë e lartë kur’anore e shprehjes, e cila në gjuhën origjinale të Kur’anit, atë arabe, ia rritë edhe më tepër vlerën stilistike shprehjes kur’anore. Një gjë e tillë, në gjuhën tonë mund të jetë e pavërejtur, ndoshta për dikë edhe e tepërt, por ia vlen të përmendet për të mos shkaktuar huti gjatë leximit të përkthimit të ajeteve. Në anën tjetër, ekziston në këtë ajet një gjë e cila humb lehtë mund të vërehet e ajo është se Rruga e drejtë përmendet në njejës dhe atë me shprehjen kur’anore ‘Sirat’, ndërsa rruga jo e drejtë, ajo që nuk shpie tek Allahu përmendet në shumës dhe atë me shprehjen ‘Sebil’ (shumësi ‘subul’).

Abdullah b. Mesudi transmeton: e vizatoi i Dërguari i Allahut para neve nje vijë dhe tha: “Kjo është Rruga e Allahut.” Pastaj vizatoi vijëza nga e djathta dhe e majta e saj dhe tha: “Këto janë rrugicat. Në krye të secilës prej tyre është nga një shejtan që thërret kah ajo.” Pastaj citoi: “Dhe kjo është Rruga Ime e Drejtë, andaj pasojeni dhe mos pasoni rrugica të cilat do t’u shmangin prej Rrugës së Tij. Me këtë ju porositë Ai, në mënyrë që të bëheni të ruajtur.” (En’am, 153) [Shënon Ahmedi, Darimiu, Taberiu dhe el-Hakimi. Hadithi është hasen.]

Kjo jep të kuptohet në mënyrë të padiskutueshme se rruga e cila çon tek Allahu është unikate. Ajo është rruga me të cilën Allahu i ka dërguar të dërguarit e Vet dhe me të cilën i ka shpallur Librat. Nuk ka mundësi që njeriu të arrijë deri tek Allahu përveçse nëpërmjet kësaj rruge. Kjo rrugë është e lidhur me Allahun dhe çon drejt tek Allahu. Thotë Allahu i Madhëruar: “Kjo është rruga e drejtë e cila shpie drejtë e tek Unë.” (Hixhër, 41) Në kuptimin e këtij ajeti është thënë se dtth. rruga e drejtë është ajo e cila fillon tek Allahu dhe përfundon tek Ai, burimin e ka prej Allahut ngase Ai e ka shpallur, përshkruar dhe përcaktuar shenjat e saj, por edhe përfundon tek Ai sepse shpërblimi dhe suksesi për vajtjen, ecjen dhe praktikimin e saj është nga Allahu i Madhëruar. Dijetarët kanë thënë se ky ajet është gati i ngjashëm me ajetin në të cilin Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe për Allahun është t’u qartësojë rrugën e drejtë.” (Nahël, 9) Një prej kuptimeve të këtyre dy ajeteve është se Allahu e ka marrë përsipër qartësimin dhe sinjalizimin e rrugës së drejtë.

Rruga e drejtë është e vetmja, prej gjithë rrugëve nëpër të cilat ecin njerëzit, e cila çon kah destinacioni i dëshiruar, çon kah Allahu, kënaqësia dhe shpërblimi i Tij. Legjitimiteti i kësaj rruge qëndron në faktin se Allahu e ka zgjedhur dhe e ka legalizuar për robërit e Vet. Të gjitha rrugët tjera janë qorrsokakë dhe mundi i derdhur në to shkon huq.

Hoxhë Ekrem Avdiu

Must Read