BallinaPse ISLAMI?Kthimi i MadhSi erdha në Islam (Isha e pagëzuar dhe e rritur si "Krishtere")

Si erdha në Islam (Isha e pagëzuar dhe e rritur si “Krishtere”)

Si erdha në Islam

Shpeshëherë kur njerëzit më pyesin “Si erdhe në Islam?”, unë marr frymë thellë dhe mundohem t’ua tregoj “versionin më të shkurtër të këtij rrëfimi”. Unë nuk mendoj se Islami është diçka në të cilin erdha befas, edhe pse ashtu më dukej atëherë. Mirëpo kjo ishte diçka në të cilin u udhëzova gradualisht nëpër përvoja të ndryshme. Duke e shkruar këtë shkrim, unë shpresoj se ndokush e lexon, identifikohet me disa gjëra në të dhe ndoshta mund të nxitet për të mësuar edhe më tepër për Islamin e vërtetë.
U linda në 1978 në Australi. Isha e pagëzuar dhe e rritur si “Krishtere”. Si fëmijë mezi prisja të marrë pjesë në kishë dhe të shkoj në Shkollën e së Dielës. Edhe pse ende rikujtohem se mezi e prisja këtë, nuk më kujtohet diç më tepër për të. Ndoshta kjo kishte të bëjë me veshjen, me rrobet e mia më të mira, ndoshta ishte shkak takimi me fëmijët tjerë, ndoshta tregimet, ose ndoshta ishte vetëm ajo që mezi e prisja drekën e njohur të gjyshes të së Dieleve, kur kthehesha në shtëpi. Familja ime nuk ishte aspak rigoroze për religjionin. Me sa e di unë, bibla nuk lexohej jashtë kishës, kurse lutja asnjëherë nuk thuhej para ngrënies. Të them thjesht religjioni nuk ishte çështje e rëndësishme në jetën tonë. Më kujtohet se si ndonjëherë shkonim në kishë me familjen. Me kalimin e kohës rikujtohem se si mërzitesha kur anëtarët tjerë të familjes vendosnin të mos vijnë, ashtu që isha e detyruar që në dy vitet e fundit të shkoja vet në kishë.
Në kohën kur shkoja në shkollën fillore, “Edukimi fetar” ishte lëndë që ligjëroheshte një herë në javë. Mësonim për “virtytet e vërteta Krishtere” dhe na dhuroheshin kopje të Biblës. Edhe pse nuk e pranoja në atë kohë këtë, unë me padurim i prisja këto orë. Në to kishte diçka interesante për tu mësuar, dhe unë besoja se ka njëfarë rëndësie, edhe pse nuk e dija se cila është ajo.
Në vitet e mia shkollore, unë ndjekja një shkollë të mesme për vajza. Aty nuk kishim aspak orë fetare, gjë që mendoj se deri dikund më mungonin pasiqë në kohën time të lirë pata filluar ta lexoj Biblën. Në atë kohë atë e lexoja për “shkak të interesit”. Besoja se Zoti ekziston, por jo në formën në të cilën shpesh përshkruheshte në kishë. Sa i përket trinitetit, shpresoja se ndoshta kjo ishte një gjë të cilën do ta kuptoja me kalimin e kohës. Kishte shumë gjëra të cilat më ngatërronin. Për këtë shkak, më duket se në jetën time kishte momente “religjioze” gjatë të cilave e lexoja Biblën dhe bëja çmos të veproj sipas asaj, mandej edhe kur ngatërrohesha mendoja se e tërë kjo është e tepërt për mua që ta kuptoj. E mbaj në mend kur bisedoja me një vajzë krishtere në orën e matematikës. Mandaj pandeh se kjo më dha një arsye që ta pëlqej matematikën. Unë e pyesja për gjërat të cilat nuk i kuptoja. Disa sqarime të saj i kuptoja, e tjerat nuk më dukeshin mjaft të logjikshme për të besuar 100% në Krishterizëm.
Nuk mund të them se kam qenë ndonjëherë e rehatshme duke jetuar me shumë aspekte të kulturës australiane. Për shembull, nuk e kuptoja pirjen e alkoolit ose pasjen e shumëfishtë të partnerëve meshkuj. Gjithmonë ndjeja se kam shumë presion dhe ndonjëherë qaja me mendimin “kur të rritem”, për shkak të kuptimit që fjala “të rritesh” kishte në këtë kulturë. Familja ime shpesh udhëtonte përtej detit në vende të huaja dhe vazhdimisht mendoja se me anë të udhëtimit do të mund të jem në gjendje të gjej një vend ku do të udhëheqja një jetë të rehatshme e të mos ndjehem në presion sikur gjithmonë. Pasiqë kalova 3 javë në Japoni, në shkëmbim studentësh mes vendeve, vendosa të shkoj përsëri për një shkëmbim më afatgjatë. Në vitin e fundit të shkollës së mesme u pranova të ndjek një shkollë të mesme në Japoni për vitin e ardhshëm.
Para se ta lë Australinë e të kaloj vitin jashtë vendit, kaloja nëpër një “fazë religjioze” timen. Shpeshherë mundohesha që t’i fshehë këto faza nga prindërit e mi. Nuk di për ç’farë arsye mendoja se do të ishte qesharake për to fakti se e lexoja Biblën. Një natë para se të fluturoj për në Japoni, edhe pse valixhen e kisha të pakuar, përsëri ndejta vonë derisa prindërit e mi shkuan të flejnë me qëllim që ta merrja e ta pakoja edhe Biblën. Nuk dëshiroja që prindërit e mi ta dinë se e merrja edhe atë.
Sipas cilitdo standard, viti im në Japoni nuk përfundoi si përjetimi më i këndshëm në jetën time. U ballafaqova me problem pas problemi. Disa herë ishte me të vërtetë në gjendje të vështirë. Isha 17 vjeçare kur shkova atje dhe mendoj se mësova mjaft mësime të vlefshme atë vit. Njëra prej tyre ishte se “gjërat nuk janë gjithmonë ashtu sikur duken”. Në një kohë mendoja se kam humbur çdo gjë: shokët e mi shkollorë japonezë (shokët ishin gjithmonë të rëndësishëm për mua, madje edhe në Australi), familjen time japoneze, mandej pranova edhe një thirrje telefonike ku u tha se do të dërgohesha në Australi dy muaj më herët . Pata “humbur çdo gjë”, duke e llogaritur këtu edhe ëndrrën të cilën e pata ushqyer vite me radhë. Natën kur e pranova atë thirrje telefonike, e nxorra që ta lexoj Biblën time. Mendoja se do të gjej prehje në të, dhe e dija se, pa marrë parasysh se çka ndodhë, Zoti e din të vërtetën për çdo gjë që çdonjëri bën dhe asnjë numër i thashethemeve dhe rrenave nuk do ta ndërronte këtë. Gjithmonë kam besuar se gjërat e rënda nuk na janë dhënë me qëllim “të na ndalin”, por që të na ndihmojnë të zhvillohemi. Me këtë bindje, isha e vendosur të rri në Japoni tërë vitin dhe të mundohem që disi t’i ndërprejë këto thashetheme qesharake. Elhamdulillah isha në gjendje ta bëj këtë.
Prej atij viti kuptova se jo vetëm që secila kulturë është e ndryshme, por edhe të gjitha kanë pika të mira dhe pika të këqija. Kuptova se nuk ishte kulturë ajo që kërkoja… por diçka tjetër.
Atje ndjekja shkollë budiste për vajza në Japoni. Aty kishim tubime çdo javë, ku luteshim, këndonim këngë dhe e dëgjonim drejtorin si na jep fjalime të gjata. Në fillim nuk isha e rehatshme me vizitimin e këtyre tubimeve. Atje më dhanë edhe një kopje të librit të këngëve së bashku me rruzat të cilat i vëndonin mbi duar kur luteshin. Që në fillim u mundova që të dal dhe të mos i vizitoj këto, por mandej vendosa se nuk duhet t’ja jap kuptimin e njëjtë gjërave sikur ata. Kur unë lutesha, i lutesha Zotit të cilit gjithmonë ju pata lutur, Njërit dhe të Vetmit Zot. Nuk mund të them se me të vërtetë e kuptoj Budizmin. Sa herë që mundohesha të kuptoj diç më tepër, hasja në qorrsokake. Njëherë për këtë e pyeta një japonez i cili ishe arsimtar i gjuhës angleze. Ai shpeshherë kishte qenë në Amerikë dhe tha se në Japoni ai është budist ndërsa në Amerikë, i krishterë. Kishte ca gjëra për Budizmin të cilat i pashë interesante, por megjithatë nuk ishte diçka të cilin mund ta llogaritja për religjion.
Në mënyra të ndryshme unë zgjodha çka më pëlqen prej religjioneve dhe filozofive spirituale dhe formova atë që e konsideroja të jetë “Xheni religjioni” im. Në shkollën e mesme përmblodha citat pas citati dhe lexoja gjëra sikur “Profecia Yjore” dhe “Engjujt”. Kur u ktheva në Australi, edhe mëtutje i përmbahesha besimit krishter në ato gjëra të cilat kishin kuptim për mua. Ndjeja se në mënyrë të vazhdueshme e kërkoja të vërtetën.
Pasiqë u këtheva prej Japonisë në Australi u afrova me një vajzë me të cilën pata mësuar në shkollë të mesme. Ajo gjithmonë ishte njëra të cilën e konsideroja për shoqe të mirë, por nuk ishte në “grupin tim të shokëve” me të cilët ulesha gjatë orëve të mësimit ose për drekë gjatë pauzave. Por prej se u pata kthyer as nuk u pata dëgjuar e as nuk u pata parë me disa prej njerëzve në atë grupë. Kuptova se kjo vajzë dhe unë kemi shumë më tepër gjëra të përbashkëta sesa që pata menduar në fillim. Ndoshta kjo ishte kështu pasiqë u pata ndryshuar shumë në Japoni, ose ndoshta ishte për shkak se pata mësuar që të jeshë “shoqërisht i pranuar” dhe i popullarizuar nuk ishte e rëndësishme sepse njerëzit të cilët i bëjnë këto gjykime jo gjithmonë janë moralisht korrekt. Në të vërtetë nuk kujdesesha më se kush ishte apo kush nuk ishte shoku im, por kujdesesha që të jem e vërtetë ndaj vetvetes dhe refuzoja të ndërrohem për t’ju përshtatur njerëzve tjerë. Me humbjen e çdo gjëje që më parë e konsideroja për të rëndësishme, ndjeja se pata zbuluar kush në të vërtetë jam unë.
Vajza me të cilën u pata shoqëruar dhe afruar tepër, ishte muslimane, por për këtë as që mendoja shumë në atë kohë. Një natë u ulëm në McDonald’s, duke e shfrytëzuar “kafenë e tyre gratis” dhe biseduam për religjionet në përgjithësi, kryesisht se në çfarë mënyre besonim në Zot. Ishte ajo e cila më së shumti parashtronte pyetje, për atë se si e mendoja “të jetë” Zoti. Ndjeja kënaqësi në bisedë dhe mendoja se disi ishin të kuptimta fjalët që ia thoja asaj nga “Xheni religjioni” im. Kur u kthyem në shtëpi, ajo nxorri 40 Hadithet Kudsij dhe i lexoi për vete. Ajo m’i lexoi ca mua, të cilat jashtëzakonisht më bënë të interesuar. E luta që t’ja huazoj librat prej saj me qëllim që të ulem dhe t’i lexoj të gjitha edhe unë, gjë të cilën e bëra. Duke i lexuar librat në një mënyrë u futa në një gjendje frikësuese. Për mua, shembujt e Islamit mundeshin të gjinden në lajmet e TV-së dhe në librat sikur “Princesha” dhe “Jo pa vajzën time”. Sigurisht, mendoja, Hadithet janë vetëm një pjesë e mirë e tij, por pjesa e keqe duhet po ashtu të ishte aty.
Prej aty u ktheva prapa në universitetin tim për fillimin e semestrit dhe nuk mundesha që edhe mëtutje t’i marr librat prej shoqes sime, ashtu që fillova të kërkoj nëpër Internet. Tanimë veç isha “takuar” me disa muslimanë në IRC, por po ashtu i konsideroja vetëm si shokë dhe mendoja se ata nuk do të ma tregonin “të vërtetën” për Islamin. Mendoja se do të mi tregonin vetëm pjesët e mira të tij. Ata pata pyetur ca pyetje dhe masha’All-llah (ashtu ka dashur All-llahu) përgjigjet ishin mjaft ndihmuese. Ende kujtohem se si e pyeta një musliman a beson në engjuj. Engjujt ishin pjesë e “Xheni religjionit” tim dhe asesi nuk besoja se një Musliman do të pranon se beson në ekzistencën e engjujve!! Dituria ime e kufizuar dhe injorante për mashkullin musliman ishte se ai e rrehë gruan e tij, vret foshnje të vajzave dhe është terrorist në kohën e lirë. Mendoja, ky njeri i tillë asesi nuk mund të besonte në engjuj… andaj me të vërtetë ishte shokante kur ai tha “Me siguri se besoj në Engjuj”. Prej këtij çasti isha e interesuar të di se në çka tjetër besojnë muslimanët.
Shpeshherë mendoj se fillimisht vazhdova të lexoj për Islamin në Internet me qëllim që ta vërtetoj si të gabuar. Gjithmonë e kërkoja atë “pjesë të keqe”. Nuk mund që çdokush të ketë ashtu mendim të keq për Islamin nëse nuk kanë arsye për ta bërë këtë. Gjithmonë gjeja pjesë të keqe apo jologjike të secilit religjion për të cilin pata lexuar… prandaj mendoja pse Islami të jetë ndryshe? Kujtohem se si pata gjetur një “chat site” Islamik (vend për të biseduar në internet) për herë të parë dhe prisja të shoh vajza të shtypura të cilat lexojnë vetëm atë që e thonë meshkujt. Prisja të mos kenë mendimin e tyre, prisja të shoh “vajzë tipike muslimane” për të cilën gjithmonë kam ndjerë keqardhje. Me habi pashë se vajzat bisedonin me gëzim, me mendime të cilat u lejoheshin t’i shprehnin. Ato vajza muslimane në një mënyrë ishin më të lira sesa që dija unë për to.
Mësimi im për Islamin me anë të Internetit vazhdoi duke biseduar me shumë njerëz dhe duke shtypur “homepage” pas “homepage”-it (faqe të internetit). Sa më shumë mësoja aq më tepër frikohesha. Nuk i tregoja asnjërit prej shokëve se isha duke lexuar për Islamin, madje as edhe shoqes sime më të mirë. Në fillim ishte kështu pasiqë nuk doja që të mi tregojnë vetëm “pjesët e mira”, ndërsa më vonë kur erdha në përfundim se nuk do të gjeja asnjërën prej pjesëve të këqia, nuk doja që t’ua u rris shpresat se do t’i kthehem Islamit. Doja që ky “vendim” të jetë gjë që e sjell unë vet, pa presion.
Ky “vendim” të cilit i referohem nuk ishte aspak vendim. Shpeshherë më pyesin: “Çka të shtyri të vendosësh të bëhesh muslimane?”, por kur diçka e qartë dhe e logjikshme sikur Islami vendohet para jush, këtu nuk ka zgjidhje. Kjo nuk është e tillë që të thuhet se e bëri më të lehtë vendimin për ta thënë Shehadetin. Në fillim kishte shumë gjëra të cilat më ndalonin. Së pari mendoja se nuk di mjaft për Islamin… por atëherë edhe nuk ishte aq me rëndësi, pasiqë e dija se asnjëherë nuk do të gjeja diçka si të palogjikshme apo të “keqe”. Erdha në përfundim se thënia e Shehadetit nuk është pika e fundit, por e para, andaj InshaAll-llah gjatë jetës sime do të vazhdoj të mësoj. Gjëja tjetër e cila më bëri të ngurroj, ishte ta këpus kuptimin e fjalës “Islam” prej të gjitha gjërave të këqia me të cilat e pata lidhur. Vazhdimisht mendoja se asesi nuk do të mundem të jem muslimane!!
Në fillim më vinte rëndë që më vonë ta mësoj se “Xheni religjioni” im dhe besimet si për shembull se Zoti është Një, ishin në të vërtetë Islami. Islami solli çdo gjë në vend. Tani çdo gjë kishte kuptim. Për mua, gjetja e Islamit ishte si një udhëtim i gjatë me autobus. Unë u pata ndalur dhe pata shikuar se çka ka në të gjitha vendndaljet e autobusit përgjatë rrugës, duke marrë nga pak prej të gjitha atyre, dhe pastaj vazhdova me udhëtimin tim. Kur e gjeta Islamin, e dija se kjo ishte vendndalja e fundit e udhëtimit tim të gjatë
. Në tetor të 1997-ës, shoqja ime më e mirë erdhi me mua që unë ta them Shahadetin në një Qendër Islamike në Melburn (rruga Jeffcot). Në atë kohë isha ende e frikësuar, por pasiqë njëra prej motrave filloi t’i thotë kushtet e besimit, dhe unë duke vënë në mendje nga një shenjë pranimi pranë çdonjërës, e dija se nuk ka më se çka të bëhet pos që ta them atë edhe me gojën time. Ende qaj kur e mendoj momentin që thash “Po…do ta bëj”. Më në fund e rrënova murin mendor i cili më ndalonte ta bëj këtë. Duheshte këtë ta përsëris në arabisht pas motrës. Me fjalën e parë të saj unë qajta. Është një ndjenjë të cilën nuk mund ta përshkruaj. Shoqja ime ishte e ulur pranë por pak mbas meje, andaj nuk e vërejta por ajo veç më ishte duke qarë. Ndjeva aq fuqi të madhe rreth meje dhe në fjalë, edhepse vetë isha aq e dobët.
Ndonjëherë më shkon mendja se familja ime janë kurreshtare se a është kjo vetëm një fazë nëpër të cilën kaloj…, sikur fazat tjera të mia. Unë isha vegjetariane derisa nëna ime nuk më tregoi se çka për darkë atë natë – mish të pjekur. Unë kam ende shumë për të mësuar, por një gjë që kisha dashur njerëzit ta kuptojnë është se unë e di se Elhamdulil-lah Islami është bekim për njerëzimin. Sa më tepër që mësoni, InshaAll-llah aq më tepër bukuri do të shihni në Islam.

Motra juaj në Islam, Xheni
Burimi:
albsilam.com

Must Read