BallinaAKIDEAkide të ndryshmeCILA ËSHTË FEJA E VËRTETË E ZOTIT?!

CILA ËSHTË FEJA E VËRTETË E ZOTIT?!

FEJA E VËRTETË E ZOTIT

CILA ËSHTË FEJA E ZOTIT?

Çdo njeri ka lindur në një rrethanë, të cilën nuk e ka zgjedhur vetë. Feja e familjes ose ideologjia e shtetit i imponohet atij që në zanafillën e ekzistencës së vet në këtë botë. Kur bëhet adoleshent, ai zakonisht është i shpëlarë nga trutë duke besuar se besimet e shoqërisë së cilës i përket janë besimet e drejta që duhet të ketë çdokush. Megjithatë, kur disa njerëz piqen dhe përballen me sisteme të tjera besimi, atëherë zënë të vënë në dyshim vlefshmërinë e besimeve vetjake.
Këta kërkues të së vërtetës në shumicën e rasteve arrijnë në një pikë konfuzioni kur kuptojnë se çdo fe, sekt, ideologji dhe filozofi pohon të jetë rruga e vetme e drejtë për njerëzit. Në të vërtetë, të gjitha ato përmbajnë disa pika të vlefshme dhe të arsyeshme dhe inkurajojnë njerëzit për të bërë mirë. Por, cila prej tyre është e vërteta? Ato nuk mund të jenë të tëra të drejta, meqenëse secila pohon se të tjerat janë të gabuara. Si arrin kërkuesi i së vërtetës të zgjedhë rrugën e drejtë?

Zoti na ka dhuruar të gjithëve mendjen dhe intelektin në mënyrë që ta marrim këtë vendim të rëndësishëm. Ky është vendimi më i rëndësishëm gjatë gjithë jetës për një qenie njerëzore. E ardhmja varet prej tij. Për rrjedhojë, secili prej nesh duhet të shqyrtojë larg pasioneve dëshmitë e paraqitura dhe të zgjedhë atë që i duket e drejtë, derisa të dalin në shesh dëshmi të tjera.

Si çdo fe ose filozofi tjetër, Islami pohon të jetë rruga e vetme e vërtetë drejt Zotit. Në këtë aspekt, ai nuk ndryshon nga sistemet e tjera. Kjo broshurë synon të japë disa prova të vlefshmërisë së këtij pohimi. Megjithatë, gjithmonë duhet pasur parasysh se rruga e drejtë mund të gjendet vetëm nëse lihen mënjanë emocionet dhe paragjykimet, të cilat janë shpesh burim i verbërisë sonë. Atëherë, dhe vetëm atëherë, ne do të jemi në gjendje të përdorim inteligjencën e dhuruar nga Zoti dhe të marrim një vendim racional dhe të saktë.

Argumentet që mund të avancohen në favor të mbështetjes së pretendimit të Islamit si feja e vërtetë e Zotit janë disa. Tre argumentet vijuese janë vetëm tre nga më kryesoret. Argumenti i parë bazohet në origjinën hyjnore të emrit të fesë dhe në domethënien e këtij emri. Argumenti i dytë lidhet me mësimet unike dhe të pakomplikuara të marrëdhënieve mes Zotit, njeriut dhe krijimit. Argumenti i tretë rrjedh nga fakti se Islami është universalisht i praktikueshëm nga njerëzit në të gjitha kohët. Këto janë tre argumentet bazë që logjika dhe arsyeja diktojnë si të domosdoshme që një fe të konsiderohet feja e vërtetë e Zotit. Faqet në vijim do t’i shtjellojnë më hollësisht këto koncepte.

EMRI I FESË

Gjëja e parë që secili duhet të dijë dhe duhet të kuptojë mirë rreth Islamit është vetë domethënia e fjalës Islam. Fjala arabe “Islam” ka kuptimin e nënshtrimit ose dorëzimit të vullnetit të secilit te Zoti i vetëm i vërtetë, i njohur në arabisht si “Allah”. Ai që ia nënshtron vullnetin e tij Zotit, emërtohet në arabisht me fjalën “musliman”. Islami nuk e merr emrin prej ndonjë personi ose populli, e as nuk iu vu ky emër pas njëfarë kohe prej brezave pasues, siç është rasti i Krishterimit, i cili u emërtua sipas emrit të Jezu Krishtit, Budizmi sipas Gotama Budës, Konfucianizmi sipas Konfucit, Marksizmi sipas Karl Marksit, Judaizmi sipas fisit të Judës dhe Hinduizmi sipas Hindusve. Islami (nënshtrimi ndaj vullnetit të Zotit) është feja që iu dha Ademit, njeriut dhe Pejgamberit të parë të Zotit, dhe ishte feja e të gjithë Pejgamberëve të dërguar nga Allahu për njerëzimin. Për më tepër, emri i kësaj feje u zgjodh nga Vetë Zoti dhe është përmendur qartë në Shkrimin e fundit të Shenjtë që Ai ia shpalli njerëzimit. Në shpalljen e fundit, në Kur’an, Allahu thotë:
“Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe.” (Maide, 3).
“E, kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk i pranohet.” (Ali Imran, 85).

Pra, Islami nuk pretendon të jetë një fe e re e sjellë në Arabi në shekullin e shtatë nga Pejgamberi Muhammed, paqja qoftë mbi të, por pohon të jetë një rishprehje, në formën e saj përfundimtare, e fesë së vërtetë të Zotit të Plotfuqishëm, ashtu siç iu shpall në fillim Ademit dhe Pejgamberëve që e pasuan.

Këtu mund të komentojmë shkurtimisht mbi dy fe të tjera, të cilat pohojnë të jenë rruga e vërtetë. Askund në Bibël nuk keni për të gjetur se Zoti i drejtohet popullit të Musait ose pasardhësve të këtij populli duke u thënë se feja e tyre quhet Judaizëm, ose u shpall pasuesve të Krishtit se feja e tyre quhet Krishterim. Me fjalë të tjera, emrat Judaizëm dhe Krishterim nuk kanë pasur origjinë dhe miratim hyjnor. Vetëm shumë kohë pas ngjitjes së Jezusit në qiell fesë së tij iu vu emri Krishterim.

Pra, atëherë, ku ndryshonte feja e Jezusit nga emri që mbante? Feja e tij pasqyrohej në mësimet e tij, të cilat ai ua jepte pasuesve të vet si parime që ata duhet t’i ndiqnin në marrëdhëniet e tyre me Zotin. Në Islam, Jezusi konsiderohet një Pejgamber i dërguar nga Allahu dhe emri i tij në gjuhën arabe është Isa. Njësoj si Pejgamberët përpara tij, ai u bëri thirrje njerëzve t’ia nënshtronin vullnetin e tyre Zotit (që do të thotë Islam). Për shembull, në Testamentin e Ri thuhet se Jezusi i mësoi pasuesit e tij t’i luteshin Zotit me fjalët:
“Ati ynë që je në qiell. i lartësuar qoftë emri Yt, u bëftë vullneti Yt si në tokë ashtu edhe në qiell.” (Lluka, 11:2 / Mateu, 6:9-10).

Ky koncept u theksua nga Jezusi në disa prej thënieve të tij të regjistruara në Ungjij. Ai u mësoi të tjerëve, për shembull, se vetëm të nënshtruarit do të trashëgonin parajsën.
“Jo çdo njeri që më thotë: “Zot, Zot” do të hyjë në mbretërinë e qiejve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej.” (Mateu, 7:21).

Jezusi gjithashtu vuri në dukje se edhe ai vetë i ishte nënshtruar vullnetit të Zotit.
“Unë s’mund të bëj asgjë nga vetja ime; gjykoj sipas asaj që dëgjoj dhe gjyqi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më ka dërguar.” (Gjoni, 5:30).

Ka shumë transmetime në ungjij ku tregohet se Jezusi ua bëri mjaft të qartë ithtarëve të vet se ai nuk ishte Zoti i vetëm i vërtetë. Për shembull, kur po fliste mbi Orën e Fundit, ai tha:
“Sa për atë ditë dhe atë orë, askush nuk e di, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati.” (Marku, 13:32).

Pra, Jezusi, ashtu si Pejgamberët e tjerë përpara tij dhe si i vetmi Pejgamber që e pasoi, u mësoi njerëzve Islamin: nënshtrimin ndaj vullnetit të Zotit të vetëm e të vërtetë.

ZOTI DHE KRIJIMI
Meqë nënshtrimi i tërësishëm i vullnetit ndaj Zotit paraqet thelbin e adhurimit, mesazhi themelor i fesë hyjnore, Islamit, është adhurimi vetëm i Zotit. Gjithashtu kjo kërkon shmangien e adhurimit drejtuar çdo personi, vendi ose gjëje, me përjashtim të Zotit. Duke qenë se çdo gjë përveç Zotit, Krijuesi i të gjitha gjërave, është krijim i Zotit, mund të thuhet se Islami në thelb e largon njeriun nga adhurimi i krijimit dhe e fton të adhurojë vetëm Krijuesin. Ai është i vetmi që e meriton adhurimin e njeriut, sepse vetëm me vullnetin e Tij lutjet plotësohen.

Nëse një njeri i lutet pemës dhe lutjet e tij plotësohen, nuk është pema që u përgjigjet lutjeve, por Zoti, i Cili mundëson rrethanat që lutja të plotësohet. Dikush mund të thotë: “Kjo është e qartë.” Megjithatë, për adhuruesin e pemëve mund të mos jetë. Ngjashëm, lutjet drejtuar Jezusit, paqja qoftë mbi të, Budës, Krishnës, Shën Kristoferit apo edhe vetë Muhammedit, paqja qoftë mbi të, nuk plotësohen nga këta, por nga Zoti. Jezusi nuk u tha pasuesve të vet që të adhuronin atë, por të adhuronin Zotin, siç tregon Kur’ani:
“Dhe kur Allahu tha: “O Isa, bir i Merjemes, a ti njerëzve u the: “Më adhuroni mua dhe nënën time dy zota pos Allahut?” (Isai) Tha: “Larg asaj të mete je Ti (o Zoti im). Nuk më takon mua të them atë që s’është e vërtetë.” (Maide, 116).

Jezusi nuk adhuronte vetveten, por Zotin. Dhe në Ungjij transmetohet se Jezusi ka thënë:
“Është shkruar: “Adhuro Perëndinë, Zotin tënd dhe shërbeji vetëm Atij.” (Luka, 4:8).

Ky parim bazë gjendet në kapitullin hapës të Kur’anit, e njohur si Sure Fatiha, ajeti 4:
“Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm te Ti kërkojmë ndihmë.”(Fatiha, 4)

Po ashtu, në librin e fundit të shpalljes së Zotit, në Kur’an, Zoti thotë:
“Zoti juaj ka thënë: “Më thirrni mua, Unë ju përgjigjem.”(Gafir, 60)

Ia vlen të theksohet se mesazhi bazë i Islamit (pra, adhurimi vetëm i Zotit) gjithashtu proklamon se Zoti dhe krijimi i Tij janë veçmas nga njëri-tjetri. Zoti as nuk është i barabartë me krijimin e Vet e as pjesë e tij si dhe krijimi i Tij nuk është i barabartë me Të ose pjesë e Tij.

Kjo mund të duket e qartë, por adhurimi i krijimit në vend të Krijuesit bazohet në një masë të madhe në injorimin ose neglizhimin e këtij koncepti. Besimi se thelbi i Zotit gjendet kudo në krijimin e Tij ose se Qenia e Tij Hyjnore është ose ishte e pranishme në disa pjesë të krijimit të Tij ka justifikuar adhurimin e krijimit të Zotit dhe emërtimin e kësaj gjëje si adhurim të Zotit. Prapëseprapë, mesazhi islam, ashtu siç u përçua nga Pejgamberët e Zotit, paqja qoftë mbi ta, është që vetëm Zoti të adhurohet dhe që të shmanget adhurimi i krijimit të Tij qoftë drejtpërdrejtë, qoftë tërthorazi.
Zoti në Kur’an thotë qartë:
“Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t’u thonë: “Adhuroni vetëm Allahun dhe largojuni djajve (adhurimit të tyre)!” (Nahl, 36).

Kur idhujtarët pyeten përse u përkulen idhujve të krijuara nga njeriu, përgjigjja e pandryshueshme është se në realitet ata nuk po adhurojnë imazhin e gurtë, por Zotin e pranishëm në të. Ata pohojnë se idhulli i gurtë shërben thjesht si qendër fokusimi për thelbin e Zotit dhe nuk është në vetvete Zot!
Ai që e ka pranuar konceptin e pranisë së Zotit së bashku me krijimin e Tij, do të jetë i detyruar ta pranojë këtë argument që i shkon për shtat idhujtarisë. Përkundrazi, ai që e kupton mesazhin bazë të Islamit dhe rrjedhojat e këtij mesazhi, nuk ka për të rënë kurrë pre e idhujtarisë, sido që të arsyetohet ajo.

Ata që gjatë kohërave kanë pretenduar të qenit hyjni në shumicën e rasteve i kanë bazuar pretendimet e tyre në besimin e gabuar se Zoti është i pranishëm te njeriu. Duke bërë një hap më tej, ata pohojnë se Zoti është më i pranishëm tek ata sesa te secili prej nesh dhe se njerëzit e tjerë duhet t’u nënshtrohen dhe duhet t’i adhurojnë ata si vetë Zotin, ose si Zotin e përqendruar tek ata. Ngjashëm, ata që kanë shpallur hyjninë e të tjerëve pas vdekjes së tyre kanë gjetur tokë pjellore mes atyre që pranojnë besimin e rremë të pranisë së Zotit te njeriu.

Tashmë duhet të jetë tepër e qartë se ai që ka pranuar mesazhin themelor të Islamit dhe rrjedhojat e tij nuk mund të arrijë kurrë të pajtohet të adhurojë një qenie tjetër hyjnore nën cilëndo rrethanë. Feja e Zotit në thelb është një thirrje e pastër për adhurimin e Krijuesit dhe braktisjen e adhurimit të krijimit në cilëndo formë. Ky është edhe kuptimi i motos së Islamit:
“La ilahe il-lall-llah” (Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut)

Deklarimi i sinqertë i kësaj fraze dhe pranimi i pejgamberisë automatikisht e fut njeriun në radhët e Islamit dhe besimi i sinqertë në të garanton parajsën. Pejgamberi i fundit i Islamit, Muhammedi alejhi selam, transmetohet se ka thënë: “Kush thotë “nuk ka Zot tjetër përveç Allahut” dhe vdes me këtë besim, do të hyjë në parajsë.”

Besimi në këtë dëshmim të fesë kërkon që njeriu t’ia nënshtrojë vullnetin e vet Zotit sipas mënyrës së treguar nga Pejgamberët e Zotit. Gjithashtu, kjo i kërkon besimtarit braktisjen e adhurimit të zotave të rremë.

MESAZHI I FEVE TË RREME
Në botë ka shumë sekte, kulte, religjione, filozofi e lëvizje dhe që të gjitha pohojnë se janë rruga e drejtë ose e vetmja drejt Zotit! Si mund ta gjejmë se kush është e sakta, apo që të gjitha janë të sakta?!
Një metodë ndihmëse për gjetjen e përgjigjes është shmangia e dallimeve sipërfaqësore në mësimet e pretenduesve të ndryshëm të së vërtetës së plotë dhe identifikimi i objektit qendror të adhurimit në të cilin secila prej tyre fton drejtpërdrejt ose tërthorazi. Fetë e rreme kanë të përbashkët një koncept bazë lidhur me Zotin: ose pretendojnë se të gjithë njerëzit janë zota, ose se njerëz të caktuar kanë qenë zota, ose se natyra është Zot, ose se Zoti është një pjellë e imagjinatës së njeriut.

Pra, mund të thuhet se mesazhi bazë i feve të rreme është se Zoti mund të adhurohet në formën e krijimit të Tij. Fetë e rreme e ftojnë njeriun në adhurimin e krijimit duke e quajtur krijimin ose disa aspekte të tij Zot. Për shembull, Pejgamberi Isa, paqja qoftë mbi të, i ftoi pasuesit e vet të adhuronin Zotin, por ata që pretendojnë të jenë pasues të tij sot i ftojnë njerëzit në adhurimin e Jezusit, duke pohuar se ai ishte Zot.

Buda ishte një reformator që solli një sërë parimesh humaniste në fenë e Indisë. Ai nuk pretendoi të ishte Zot e as nuk u sugjeroi pasuesve të vet që ta shndërronin në objekt adhurimi. Megjithatë, sot shumica e budistëve, të cilët gjenden jashtë Indisë, e kanë marrë atë si Zot dhe i përkulen idhujve të bërë sipas parafytyrimit të tyre për Budën.

Duke vënë në zbatim parimin e identifikimit të objektit të adhurimit, ne lehtësisht mund të dallojmë fetë e rreme dhe natyrën e shpikur të origjinës së tyre. Siç ka thënë Zoti në Kur’an:
“Ata që ju adhuroni përveç Allahut nuk janë tjetër vetëm se emra që pagëzuat ju dhe prindërit tuaj. Allahu nuk shpalli ndonjë fakt për ta, vendimi (në çështjen e adhurimit) nuk i takon kujt pos Allahut, e Ai urdhëroi të mos adhuroni tjetër vetëm se Atë. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Jusuf, 40).

Dikush mund të thotë se që të gjitha fetë mësojnë gjëra të mira, kështu që përse qenka kaq e rëndësishme se cilën pasojmë? Përgjigjja është se që të gjitha fetë e rreme u mësojnë njerëzve të keqen më të madhe: adhurimin e krijimit. Adhurimi i krijimit është mëkati më i madh që mund të bëjë njeriu, pasi kundërshton vetë qëllimin e krijimit të njeriut. Njeriu u krijua që të adhurojë vetëm Zotin, siç ka theksuar Allahu në Kur’an:
“Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër vetëm që të më adhurojnë.” (Dharijatë, 56).

Rrjedhimisht, adhurimi i krijimit, që në vetvete është thelbi i idhujtarisë, është i vetmi mëkat i pafalshëm. Kush vdes në këtë gjendje idhujtarie e ka vulosur fatin e tij në jetën tjetër. Ky nuk është një opinion, por fakt i shpallur nga Zoti në shpalljen e Tij të fundit drejtuar njeriut:
“S’ka dyshim se Allahu nuk fal (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i fal kujtdo.” (Nisaë, 48 dhe 116).
UNIVERSALITETI I FESË SË ZOTIT
Meqë pasojat e pasimit të një feje të rreme qenkan kaq të rënda, feja e vërtetë e Zotit duhet të ketë qenë universalisht e kuptueshme dhe e zbatueshme në të kaluarën dhe duhet të vazhdojë e tillë përjetësisht në të gjithë botën. Me fjalë të tjera, feja e vërtetë e Zotit nuk mund të kufizohet vetëm te një popull, vend ose periudhë kohore. Nuk është logjike që një fe e tillë të vendosë kushte që nuk kanë të bëjnë aspak me marrëdhëniet e njeriut me Zotin, si p.sh. pagëzimi ose besimi në njeriun si shpëtimtar ose ndërmjetës. Brenda parimit qendror të Islamit dhe përkufizimit të tij (nënshtrim të vullnetit të njeriut ndaj Zotit) gjenden rrënjët e universalitetit të Islamit. Kurdoherë që njeriu kupton se Zoti është Një dhe më vete nga krijimi i Tij dhe i nënshtrohet Atij, ai bëhet musliman në trup dhe shpirt dhe i mundësohet parajsa.

Rrjedhimisht, çdokush, kurdo dhe kudo qoftë mund të bëhet musliman, pasues i fesë së Zotit, Islamit, thjesht duke hedhur poshtë adhurimin e krijimit dhe duke u kthyer vetëm te Zoti. Megjithatë, duhet vënë re se në mënyrë që të nënshtrohet ndaj vullnetit të Zotit njeriu duhet të zgjedhë pandërprerë mes së mirës dhe së keqes. Në të vërtetë, njeriu është i pajisur nga Zoti jo vetëm me fuqinë e të dalluarit të së keqes nga e mira, por edhe me fuqinë e zgjedhjes midis tyre. Këto fuqi të dhëna nga Zoti mbartin në vetvete një përgjegjësi të madhe, pikërisht atë që njeriu do të përgjigjet para Zotit për zgjedhjet që bën. Nga kjo rrjedh se njeriu duhet të bëjë të pamundurën që të ndjekë të mirën dhe të shmangë të keqen. Këto koncepte janë shprehur në shpalljen e fundit si vijon:
” Vërtet, ata që besuan, ata që ishin jehudi, krishterët, sabejët (kishin lëshuar fenë e adhuronin engjëjt), kush besoi prej tyre (sinqerisht) Allahun, dhe botën tjetër dhe bëri vepra të mira, ata e kanë shpërblimin te Zoti i tyre. Për ta nuk ka frikë as nuk kanë përse të pikëllohen.” (Bekare, 62).

Nëse, për cilëndo arsye, ata dështojnë të pranojnë mesazhin e fundit pasi u është shpjeguar qartë, ata do të jenë në rrezik të madh. Pejgamberi i fundit, Muhammedi alejhi selam, ka thënë:
“Çdo i krishterë ose çifut dëgjon për mua, por nuk beson në atë që solla unë dhe vdes në këtë gjendje, ai do të jetë mes banorëve të zjarrit.” (Sahih Muslim).

NJOHJA E ZOTIT
Pyetja që lind këtu është: Si mund të pritet që të gjithë njerëzit të besojnë në Zotin e vetëm të vërtetë kur kemi parasysh prejardhjen e tyre, shoqëritë dhe kulturat që ndryshojnë nga njëra-tjetra? Që njerëzit të mbajnë përgjegjësi për adhurimin e Zotit të vetëm mjafton të kenë mundësi ta njohin Atë. Zbulesa e fundit mëson se të gjitha qeniet njerëzore e kanë të skalitur në shpirtrat e tyre njohjen e Zotit të vetëm e të vërtetë si pjesë e vetë natyrës së tyre në të cilën janë krijuar.

Në kapitullin (suren) e shtatë të Kur’anit (A’rafë, ajetet 172-173), Zoti ka shpjeguar se kur e krijoi Ademin bëri që tërë pasardhësit e Ademit të vinin në ekzistencë dhe Ai mori betimin e tyre duke u thënë:
“A nuk jam Zoti juaj?” E ata u përgjigjën: “Po, dëshmuam!”

Allahu më pas shpjegon përsenë e dëshmimit të të gjithë njerëzimit, se Ai është Krijuesi i tyre dhe i vetmi Zot i vërtetë që e meriton adhurimin. Ai tha:
“Të mos thoni në Ditën e Kijametit: “Ne nga ky (dëshmim) ishim të panjohur!” (A’rafë, 172).

D.m.th. se nuk mund të pretendojmë në atë ditë se nuk e dinim se Allahu ishte Zoti ynë dhe se askush nuk na e tha që vetëm Allahun duhet të kishim adhuruar. Allahu na ka shpjeguar gjithashtu se:
“Ose të mos thoni: Prindërit tanë më parë ishin idhujtarë, e ne ishim pasardhës të tyre. A do të na shkatërrosh ne për atë që bënë ata asgjësues të së vërtetës?” (A’rafë, 173).

Pra, çdo fëmijë lind me besim natyror në Zot dhe me prirje për adhurimin vetëm të Tij. Ky besim dhe prirje e lindur në gjuhën arabe quhet “Fitra”.

Pejgamberi Muhammed, paqja qoftë mbi të, ka transmetuar se Allahu ka thënë: “I krijova robërit e Mi në fenë e drejtë, por shejtanët i devijojnë ata.”
Pejgamberi, paqja qoftë mbi të, gjithashtu ka thënë: “Çdo fëmijë lind në gjendjen e natyrshmërisë (fitra). Pastaj prindërit e tij e bëjnë atë të fesë çifute, të krishterë ose zoroastrian.”
Nëse fëmija do të lihej i qetë, ai do ta adhuronte Zotin sipas mënyrës së vet, por të gjithë fëmijët ndikohen nga ambienti që i rrethon. Pra, ashtu si fëmija i nënshtrohet ligjeve natyrore, të cilat Allahu i ka vendosur në natyrë, po ashtu shpirti i tij i nënshtrohet në mënyrë natyrore faktit se Allahu është Zoti dhe Krijuesi i tij. Por, nëse prindërit e tij përpiqen ta detyrojnë të ndjekë një tjetër rrugë, fëmija nuk është i fortë sa duhet në fazat e para të jetesës së tij për të rezistuar ose kundërshtuar vullnetin e prindërve të tij. Në raste të tilla, feja që fëmija pason është prej traditës dhe prej rritjes dhe Zoti nuk e ngarkon me përgjegjësi ose nuk e ndëshkon për këtë fe deri në një fazë të caktuar të jetës së tij.

SHENJAT E ZOTIT
Gjatë gjithë jetës së tij, nga fëmijëria deri në vdekje, njeriut i shfaqen shenjat e Zotit të vetëm dhe të vërtetë derisa t’i bëhet e qartë se ekziston vetëm një Zot i vërtetë (Allah). Zoti thotë në Kur’an:
“Ne do t’u bëjmë atyre të mundshme të shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre derisa t’u bëhet e qartë se ai (Kurani) është i vërtetë.” (Fussilet, 53).

Në vijim po japim një shembull të shenjave të Zotit për t’ia bërë të qartë një njeriu gabimin e adhurimit të idhullit. Në rajonin juglindor të xhunglës amazonike në Brazil, në Amerikën e Jugut, një fis primitiv ngriti një kasolle për të vendosur idhullin e tyre kryesor, që quhej Skuatç, i cili përfaqësonte Zotin suprem të të gjithë krijimit. Të nesërmen një djalosh hyri në kasolle për të nderuar zotin dhe ndërsa ishte në sexhde, e cila i ishte mësuar nga Krijuesi dhe Furnizuesi i tij, një qen plak i zgjebosur e plot pleshta u përvodh në kasolle. Djaloshi ngriti kokën pikërisht në momentin kur qeni ngriti këmbën e tij dhe urinoi mbi idhullin. I tërbuar djaloshi e përzuri qenin nga aty. Kur zemërimi iu shua, e kuptoi se idhulli nuk mund të ishte Zot i Universit. Sado e çuditshme të duket, urinimi i qenit mbi idhull ishte një shenjë prej Zotit për djaloshin. Kjo shenjë përmbante mesazhin hyjnor se ai po adhuronte diçka të rreme. Si përfundim, këtij njeriu iu dha një zgjedhje: ose të kërkonte Zotin e vërtetë, ose të vazhdonte në gabim.

Allahu përmend në Kur’an kërkimin e Pejgamberit Ibrahim për Zotin si një shembull se si ata që i ndjekin shenjat e Tij do të udhëzohen drejt:
“Edhe kështu Ibrahimit ia mundësuam t’i shohë madhësitë e qiejve e të tokës për t’u bërë edhe më i bindur.
E kur atë e mbuloi nata, ai pa një yll e tha: “Ky është Zoti im!” E kur u zhduk ai (perëndoi), tha: “Unë nuk i dua ata që humben.”
Kur e pa hënën të porsalindur tha: “Ky është Zoti im!” E kur perëndoi ajo, tha: “Nëse Zoti im nuk më udhëzon, unë do të jem prej njerëzve të humbur!”
Kur e pa diellin të lindur tha: “Ky është Zoti im, ky është i madh!” E kur ai perëndoi, tha: “O populli im, unë jam i pastër nga ajo që ju i shoqëroni!”
Unë me veten time i drejtohem Atij që krijoi qiejt dhe tokën, larg besimeve të tjera; unë nuk jam prej atyre që i përshkruajnë shok!” (En’amë, 75-79).

Siç u përmend edhe më herët, Pejgamberët janë dërguar në çdo komb dhe fis për të mbështetur (fuqizuar) besimin natyror njerëzor në Zot dhe prirjen e lindur të tij për ta adhuruar si dhe për të riforcuar të vërtetën hyjnore në shenjat e përditshme të shfaqura nga Zoti. Edhe pse një pjesë e mirë e mësimeve të Pejgamberëve u shtrembëruan, pjesë të caktuara që tregojnë mesazhet e frymëzuara nga Zotin kanë mbetur të paprekura dhe kanë shërbyer për të udhëhequr njerëzimin në zgjedhjen mes së drejtës dhe së gabuarës. Ndikimi i mesazheve të frymëzuara nga Zoti në kohëra mund të shihet në “Dhjetë Urdhëresat” e Tevratit të fesë judaike, të cilat më pas u adoptuan nga mësimet e Krishterimit, gjithashtu edhe ekzistenca e ligjeve kundër vrasjes, vjedhjes dhe e tradhtisë bashkëshortore në shumicën e shoqërive anembanë botës moderne dhe antike.

Si pasojë e shenjave të Zotit për njerëzimin, të kombinuara me Shpalljen e Tij nëpër kohëra nëpërmjet Pejgamberëve të Tij, i tërë njerëzimi ka pasur shansin të njohë Zotin e vetëm dhe të vërtetë.

Rrjedhimisht, çdo shpirt do të mbajë përgjegjësi për besimin e tij në Zot dhe pranimin e fesë së vërtetë të Zotit, pra Islamin, që do të thotë nënshtrim i plotë ndaj vullnetit të Allahut.

PËRFUNDIM
Prezantimi i mëparshëm tregoi se emri i Islamit shpreh parimin më qendror të Islamit, nënshtrimin ndaj Zotit, dhe se emri “Islam” nuk u zgjodh nga njeriu, por nga Zoti, sipas Shkrimit të Shenjtë të Islamit. Gjithashtu u dëshmua se vetëm Islami predikon njëshmërinë e Zotit dhe njëshmërinë e Cilësive të Tij dhe urdhëron adhurimin pa ndërmjetës vetëm të Zotit. Së fundmi, për shkak të prirjes hyjnore të adhurimit të Zotit të “instaluar” te njeriu dhe shenjave të dhëna nga Zoti gjatë kohëve për çdo individ, Islami mund të bëhet pronë e të gjithë njerëzve në çdo kohë.

Shkurtimisht, rëndësia e emrit Islam (nënshtrim ndaj Zotit), njohja thelbësore e njëshmërisë së Zotit dhe mundësia e hyrjes në Islam në çdo kohë dhe vend mbështesin fuqimisht pohimin e Islamit se që nga fillimi i ekzistencës njerëzore dhe në çfarëdo gjuhe që është shprehur, vetëm Islami ka qenë dhe do të jetë feja e vërtetë e Zotit.
Duke përfunduar, e lusim Allahun, të Lartësuarin, të na mbajë në rrugën e drejtë në të cilën na ka udhëzuar dhe të na dhurojë bekimin dhe mëshirën e Tij, sepse Ai në të vërtetë është më Mëshiruesi. Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, dhe paqja dhe bekimi i tij qoftë mbi Muhammedin dhe të gjithë Pejgamberët e Zotit dhe pasuesit e tyre të devotshëm!

Përktheu nga anglishtja: Arjan Koçi
Redaktor fetar: Bahri Curri
Titulli në origjinal: “The true religjion of God”
Autor: Abu Ameenah Bilal Philips

Must Read