ILAÇI I MËKATEVE
Një ilaç efikas për mjekimin e të gjitha mëkateve, brengave, dhembjeve dhe vuajtjeve
Secilit që vuan nga sëmundja e mëkateve … secilit që e fundosën mëkatet e gjynahet … secilit që e lodhën dhe e këputën fatkeqësitë dhe vuajtjet … secilit që e rënduan brengat e telashet … secilit që, toka, sado e gjerë, iu bë e ngushtë … secilit që ndien ngushtësi në vete … secilit që e kërkon lumturinë e vërtetë, por nuk e gjen dot … secilit që ka gjendjen e rëndë materiale … secilit që dëshiron fëmijë, por nuk arrin të ketë … secilit që e lodhi sëmundja me vite e vite …
Ja ku e ke zgjidhjen … ja ku e ke ilaçin për të gjitha këto … ky është “ilaçi i mëkateve”.
…ISTIGFARI (KËRKIMI I FALJES)…
All-llahu i Lartësuar thotë: “E u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj; Ai është Falës i madh. Ai do t’ju dërgojë shi të bollshëm; do t’jua shtojë pasurinë dhe fëmijët dhe do të bëjë për ju kopshte e lumenj!” (Nuh : 10-12)
I dërguari (paqja dhe shpëtimi i All-llahut qofshin mbi të) thotë: “Kush bën shpesh istigfar, All-llahu do t’i japë lehtësim nga çdo brengë dhe rrugëdalje nga çdo ankth si dhe do ta furnizojë nga nuk e kujton fare”. (Hadithin e shënon Imam Ahmedi me isnad të vërtetë)
FJALË DHE SHPREHJE TË DREJTA TË ISTIGFARIT TË CILAT TRANSMETOHEN NGA I DËRGUARI (paqja dhe shpëtimi i All-llahut qofshin mbi të)
1. Estagfirull-llah (Kërkoj falje nga Zoti);
2. All-llahummegfir li (O Zoti im, më fal mua);
3. Rabbigfir li ve tub alejje inneke ente-t-tevvabu-r-rahim (O Zot, më fal mua dhe pranoje pendimin tim; Vërtet, Ti je Pendues dhe Mëshirues);
4. Estagfirull-llahel-ledhi la ilahe il-la huve-l-hajju-l-kajjum ve etubu ilejhi (Kërkoj falje nga All-llahu, pos të Cilit nuk ka tjetër Zot, i Gjallë, Mbikëqyrës dhe tek Ai pendohem);
5. Subhanall-llahi ve bi hamdihi estagfirull-llahe ve etubu ilejhi (I Lartësuar qoftë All-llahu dhe Atij i takon falënderimi, kërkoj falje nga All-llahu dhe tek Ai pendohem);
6. Sejjidu-l-istigfar, i cili është më i vlefshëm:
“All-llahumme ente rabbi la ilahe il-la ente, halekteni ve ene abduke ve ene ala ahdike ve va’dike mesteta’tu, eudhu bike min sherri ma sane’tu, ebu’u leke bini’metike alejje ve ebu’u leke bi dhenbi, fagfir li, fe innehu la jagfiru-dh-dhunube il-la ente”. (O All-llah, Ti je Zoti im, nuk ka Zot tjetër përveç Teje; Ti më ke krijuar dhe unë jam robi Yt; do të qëndroj besnik ndaj marrëveshjes dhe pendimit Tënd, sa të kem mundësi; kërkoj mbrojtje prej Teje nga e keqja që kam vepruar; unë jam mirënjohës ndaj dhuntive Tua; i pranoj mëkatet e mia, andaj më fal, ngase mëkatet nuk i fal askush pos Teje);
(Hadithin e shënon Buhariu)
Këto janë fjalë dhe shprehje të cilat transmetohen nga i dërguari (paqja dhe shpëtimi i All-llahut qofshin mbi të) në hadithe të vërteta. Përveç këtyre, ekzistojnë edhe fjalë dhe shprehje të tjera që kanë kuptim të ngjashëm dhe mund të përdoren, mirëpo është më prioritare të ndiqet tradita e të dërguarit (paqja dhe shpëtimi i All-llahut qofshin mbi të).
RASTE DHE KOHËRA NË TË CILAT ËSHTË I PËLQYESHËM ISTIGFARI
1. Pas përfundimit të kryerjes së adhurimeve: Për faktin se në to mund të ketë ndodhur ndonjë mangësi a lëshim. I Lartësuari thotë:
“Mandej, nisuni prej nga nisen edhe njerëzit tjerë dhe kërkoni falje nga All-llahu. Vërtet, All-llahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë”. (El-Bekare : 199)
2. Istigfari në orët e vona të natës: All-llahu i Madhëruar i ka lavdëruar robërit e Tij të cilët kërkojnë falje prej Tij në këtë kohë të bekuar, duke thënë:
“Të durueshmit dhe të sinqertit, të dëgjueshmit, edhe ata që japin lëmoshë dhe të cilët kërkojnë falje në orët e vona të natës”. (Ali Imran : 17)
3. Me rastin e mbarimit të tubimit: Ebu Hurejre (All-llahu qoftë i kënaqur me të) transmeton nga i dërguari (paqja dhe shpëtimi i All-llahut qofshin mbi të) se ka thënë: “Kush prezenton në një tubim ku flitet shumë, dhe para se të ngritet nga ai tubim, thotë: ‘Subhanekell-llahumme ve bi hamdike, eshhedu en la ilahe il-la ente, estagfiruke ve etubu ilejke’ (‘I Lartësuar qofsh, o Zoti im, Ty të takon falënderimi; dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Teje; kërkoj faljen Tënde dhe te Ti pendohem’), do t’i falet ajo që ndodhi gjatë atij tubimi”. (Hadithin e shënon Tirmidhiu, kurse e ka vërtetuar Albani)
4. Istigfari për të vdekurit: Pas përfundimit të varrosjes së të vdekurit, i dërguari (paqja dhe shpëtimi i All-llahut qofshin mbi të) ngritej në këmbë dhe thoshte: “Kërkoni falje për vëllaun tuaj dhe luteni All-llahun që ta forcojë, meqë, ai tani po pyetet”. (Hadithin e shënon Ebu Davudi, ndërsa e ka vërtetuar Albani)
FRYTE DHE DOBI TË ISTIGFARIT
1. Istigfari është përgjigje ndaj urdhërit të All-llahut;
2. Është nga shkaqet e furnizimit;
3. Është njëri ndër shkaqet për hyrjen në xhennet;
4. Është shkak për faljen e mëkateve dhe fshirjen e gjynaheve;
5. Është shkak për ngritjen e shkallëve pas vdekjes;
6. E pengon ndëshkimin dhe dënimin para se të ndodhë;
7. Është shkak për pastrimin e zemrave;
8. Është shkak për lindjen e fëmijës;
9. Është shkak për t’u kënaqur me shëndet e fuqi … dhe shumë e shumë të tjera …
THËNIET E SELEFËVE (GJENERATËS SË PARË) MBI ISTIGFARIN
– Aishja (All-llahu qoftë i kënaqur me të) thotë:
“Lum ai në fletushkën e të cilit gjendet shumë istigfar”.
– Transmetohet nga Llukmani, alejhi selam, t’i ketë thënë të birit:
“O biri im, tek Zoti janë disa orë në të cilat nuk e refuzon lutësin, andaj shpeshtoje istigfarin”.
– Ebu Musa (All-llahu qoftë i kënaqur me të) thotë:
“Ne kishim dy siguri nga dënimi: njëra shkoi, e ajo është prezenca e të dërguarit (paqja dhe shpëtimi i All-llahut qofshin mbi të) në mesin tonë dhe mbeti istigfari; e po qe se edhe ai shkon, atëherë, mbaruam!”
– Hasan el-Basriu thoshte:
“Shpeshtoni istigfarin në shtëpitë tuaja, në tryeza, rrugë, tregje e tubime, ngase, ju nuk dini kur zbret falja”.
Katade (All-llahu e mëshiroftë) thotë:
“Vërtet, ky Kur’an ju dëfton sëmundjen dhe ilaçin tuaj; sëmundjen e keni nga mëkatet, ndërsa ilaçi fshihet tek istigfari”.
DISA NGA TREGIMET MBI ISTIGFARIN
Tregimi i parë
Ky tregim është transmetuar në radion “El-Kur’anu-l-kerim” (në Kuvajt). Zonja Ummu Jusuf, autorja e tregimit, rrëfen se nuk ka pasur fëmijë për afro dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjet.
Gjatë kësaj periudhe, kishte shkuar për vizitë tek një numër i madh i mjekëve, si brenda Kuvajtit ashtu edhe jashtë tij, në Evropë e gjetiu.
Kështu, kaloi tërë kjo kohë, e ajo mbeti pa fëmijë.
Një ditë prej ditësh, shkoi të prezentojë në një ligjëratë fetare, ku, në mes tjerash, e dëgjoi ligjëruesen duke folur mbi istigfarin, vlerën e tij … etj.
Ummu Jusuf thotë se që kur dëgjoi mbi këtë, zuri të praktikonte pandërprerë istigfarin.
Dhe ende pa kaluar gjashtë muaj, ajo mbeti shtatzënë dhe lindi Jusufin, i cili tani është gjashtë vjeçar. MashaAllah!
Tregimi i dytë
Një grua rrëfen: “Bashkëshorti më vdiq kur i kisha tridhjetë vjet.
Më la me pesë fëmijë, djem e vajza. Pas vdekjes së tij, m’u errësua e tërë bota dhe qava aq shumë saqë u frikësova mos po e humb të pamurit. E vajtoja fatin tim, u dëshpërova dhe brenga ma zinte frymën.
Fëmijët i kisha të vegjël, e nuk kishim mjete të mjaftueshme. Shpenzoja me masë ato të holla që kishin mbetur nga pasuria e paktë që na kishte lënë i shoqi.
Derisa isha në dhomë, e kyça radion “El-Kur’anu-l-kerim”, kur, po e dëgjoj një ligjërues që thoshte:
“I dërguari (paqja dhe shpëtimi i All-llahut qofshin mbi të) thotë: “Kush bën shpesh istigfar, All-llahu ijep lehtësim nga çdo brengë dhe rrugëdalje nga çdo ankth”.
Pas kësaj, fillova të bëj shpesh istigfar dhe i këshillova fëmijët e mi të veprojnë asisoj. Betohem në All-llahun, ende pa kaluar as gjashtë muaj, erdhi realizimi i projektit për disa prona tona të vjetra të cilat unë i zëvendësova me miliona.
Djali im i parë filloi të shkojë në shkollë dhe e mësoi përmendësh tërë Kur’anin, me ç’rast e tërhoqi vëmendjen dhe kujdesin e njerëzve.
Shtëpia jonë, kësisoj, u mbush me mirësi dhe, falë Zotit, tani jetojmë një jetë të qetë e të lumtur.
All-llahu i udhëzoi të gjithë fëmijët e mi.
Tashmë, iku nga unë brenga, vuajtja e pikëllimi dhe, me mirësinë e All-llahut, jam grua më e lumtur”.
Tregimi i tretë
Një burrë rrëfen: “Saherë që e rëndoja (me fjalë) gruan time, grindesha me të apo ndodhte ndërmjet nesh ndonjë mosmarrëveshje, menjëherë doja të dilja prej shtëpisë nga zemërimi … Dhe pasha All-llahun, sapo largohesha nga dera kryesore, më rrëmbente një dëshirë e madhe që të kthehem për t’i kërkuar falje dhe për t’u pajtuar.
Pasi e njoftova për këtë, ajo më tha: “A e di pse?” I thashë: “E pse?”
Më tha: “Pas grindjes, sapo ti del nga dhoma, unë filloj të bëj istigfar dhe nuk pushoj së bëri atë, derisa ti vjen dhe pajtohesh me mua!”
Tregimi i katërt
Një njeri rrëfen: “Më është caktuar dënimi i burgut më tepër se një vit. Atëherë, e kujtova fjalën e të dërguarit (paqja dhe shpëtimi i All-llahut qofshin mbi të): “Kush bën shpesh istigfar … (Hadithi gjendet në fillim)”.
Kësisoj, fillova të bëj istigfar me mijëra herë në ditë … Pasi kaluan dy muaj, më thirrën dhe më thanë se kishte mbaruar periudha e dënimit dhe se më kishin falur.
Ky njeri e vazhdon rrëfimin: “Pas daljes nga burgu, më thirri një njeri bëmirës dhe më tha: ‘Kam dëgjuar se ke qenë në burg dhe pozitën materiale e ke të rëndë, andaj, merri këto 30 000 rijalë (6 000 euro) që të të gjinden për kryerjen e nevojave tua’. Pas një kohe, më thirri sërish dhe më dhuroi po aq!!! All-llahu ma ofroi atë pasuri për shkak të praktikimit tim të vazhdueshëm të istigfarit”.
O ROBËRIT E MI …!
Në hadithin kudsijj, i dërguari (paqja dhe shpëtimi i All-llahut qofshin mbi të) transmeton nga All-llahu i Lartësuar i Cili thotë:
“… o robërit e Mi! Ju po bëni mëkate gjatë natës e ditës, ndërsa Unë i fal të gjitha mëkatet. Andaj, kërkoni falje prej Meje, Unë do t’ju fal …”.
(Hadithin e shënon Muslimi)
Sheddad ibn Evsi (All-llahu qoftë i kënaqur me të) transmeton nga i dërguari (paqja dhe shpëtimi i All-llahut qofshin mbi të) i cili thotë: “Sejjidu-l-istigfar është të thuash: ‘O All-llah, Ti je Zoti im,…”.
Mandej, vazhdon e thotë: “Kush e thotë këtë gjatë ditës, duke qenë i bindur në të dhe vdes po atë ditë para se të ngrysë (nata), do të jetë prej banorëve të xhennetit; dhe kush e thotë këtë gjatë natës, duke qenë i bindur në të dhe vdes para se të zbardhë (agimi), do të jetë prej banorëve të xhennetit”.
(Hadithin e shënon Buhariu)
Nga arabishtja: Ebu Seid