BallinaARTIKUJGruaja dhe FamiljaPRINDËR GJYNAHQARË E TË PENDUAR

PRINDËR GJYNAHQARË E TË PENDUAR

PRINDËR GJYNAHQARË E TË PENDUAR

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij salallahu alejhi ue selem.

Nga Ebu Hurejra radiallahu anhu transmetohet te ketë thënë: “E puthi Resulullahu sallahu alejhi ue selem Hasenin, të birin e Aliut radiallahu anhum, e tek ai ishte ulur Akra’ bin Habis et Temimi.”

Akra’ tha: “Unë i kam dhjetë djem e asnjërin prej tyre nuk e kam puthur ndonjëherë.”

I Dërguari i Allahut e shikoi dhe i tha: “Ai i cili nuk mëshiron, nuk mëshirohet (nga Allahu).”

Në këtë mënyrë ishte përgjigja e Resulallahut salallahu alejhi ue selem, e prerë e serioze. Pra, (nuk mëshiroheni nëse nuk mëshironi njerëzit, e ai i cili nuk ka mëshirë në zemër, pa dyshim se ai nuk mëshirohet).”

Ishte tërheqje vërejtje prej tij salallahu alejhi ue selem për baballarët që të mëshirojnë fëmijët e tyre.

Pastaj tha: “Ai i cili nuk mëshiron nuk mëshirohet.”

Mëshira ndaj krijesave të Allahut është me bazë hyjnore, sepse Ai subhanehu ue teala: “… ia ka shkruar vetes së Tij mëshirën…” Suretu el En’am, 12.

Mëshira e prindërve ndaj fëmijëve të tyre është pjesë prej mëshirës së Allahut ndaj krijesave të Tij.

“E ka ndarë Allahu subhanehu ue teala në 100 pjesë, 99 pjesë i ka mbajtur tek Ai e një pjesë e ka zbritur në tokë. Nga kjo pjesë mëshirohen krijesat (ndaj njëra-tjetrës) saqë e ngre këmbën kafsha nga i vogli i saj nga frika mos e shtyp.”

Mëshira, gjithashtu, është cilësi e Resulullahut salallahu aejhi ue selem: “Nuk të kemi dërguar ty vetëm se mëshirë për gjithë botën.” Suretu Enbija, 107.

Është dukur qartazi mëshira e tij salallahu alejhi ue selem me çdokënd që ka bashkëpunuar me të e veçanërisht me të vegjlit.

Nga Usame ibn Zejd radiallahu anhu transmetohet të ketë thënë: “Më merrte Resulullahu salallahu alejhi ue selem e më ulte në prehrin e tij e Haseni ulej në anën tjetër, pastaj na shtrëngonte e thoshte: ‘O Allah! Mëshiroi këta të dy se unë i mëshiroj’.”

Lexova këto qëndrime të mira e shumë ndikuan këto mesazhe edukative.

I përfytyrova këto pamje mahnitëse!

E ndjeva dhimbje nga këto eksperienca të përgjakura!

E më bënë të qaj këto rrëfime gjakderdhje!

O Prind! Mos e copëto atë që të deshi!

Në momentin kur babai ishte duke lustruar makinën e re, kur papritur djali i tij gjashtëvjeçar merr një gur dhe e gërvisht anën e makinës.

Në kulm të nervave, babai i tij e kap për dore dhe e rreh disa herë në dorë, pa ndjerë se ajo që po e rrihte me të ishte çelësi anglez.

Fatkeqësia më e madhe ishte se kjo çoi që djali të priste gishtat në spital.

I ra të fikët e mendja sa nuk i iku nga habia babait, kur dëgjoi djalin e tij të thotë: “Kur do të më dalin gishtat, o babai im!”

U kthye I ati tek makina e filloi ta gjuante me shqelma disa herë. Pastaj u ul në tokë e i hodhi një shikim gërvishtjeve që bëri djali i tij ku gjeti të kishte shkruar: “Unë të dua, o baba!”

Kështu bëjmë me fëmijët tanë ne baballarët e nënat, në momente nevrikosje, e momente nxitimi, e tek sjellja me të dashurit tanë me nerva, para se të vërtetojmë saktësinë e sjelljeve të tyre.

Sa gishta të vegjël kemi prerë!

Sa zemra të bardha kemi thyer!

Sa lot të dashur kemi derdhur!

E sa shpirtra të pafajshëm kemi copëtuar!

Mos ji prej atyre që duan… të ngulin gozhdë!

Ishte një djalë i vështirë të kënaqej. I dha babi një qese plot me gozhdë, e i tha: “Shko e ngul nga një gozhdë në murin e kopshtit sa herë që të humbësh nervat ose të kesh konflikt me dikë.”

Ditën e parë djali nguli në murin e kopshtit 37 gozhdë.

Javën e dytë filloi djali të mësojë të komandojë veten, ku numri i gozhdëve filloi të ulej dita ditës. E kuptoi djali sa lehtë mësoi që të komandojë veten dhe se kjo qenka më lehtë se ngulja e gozhdëve në murin e kopshtit.

Në fund erdhi dita ku nuk nguli asnjë gozhdë në murin e kopshtit. Kur shkoi të lajmërojë babanë e tij se nuk ka nevojë që të ngulë gozhdë në murin e kopshtit, babai i tha: “Tani çdo ditë që kalon pa humbur nervat hiq nga një gozhdë.”

Kaluan disa ditë… dhe, më në fund, djali e lajmëron babanë e tij se ai i hoqi të gjitha gozhdët që ishin në murin e kopshtit. U çua babai, e mori djalin për dore dhe shkoi tek muri, e i tha: “Veprimi yt ishte shumë i mirë, djali im, por, shiko këto vrima që ngelën në mur, asnjëherë nuk do të kthehen ashtu siç ishin.”

Kështu bëjmë ne me fëmijët tanë kur grindemi e nevrikosemi me ta nga sjelljet e tyre.

Sa herë u kemi shkaktuar dhimbje e nuk jemi ulur të dëgjojmë mendimet e tyre?!

Sa herë i kemi dëmtuar me kritikat tona në publik?!

Sa herë i kemi plagosur e ju ankohemi të tjerëve?!

Sa gozhdë kemi ngulur në murin e dashurisë sonë për ta e cila ka lënë gjurmë që nuk fshihet?!

Rrëfim i një babai

Kur do të mësojnë prindërit, se sjelljet qofshin ato të mira apo të këqija, janë sikur pasuria, e trashëgojnë fëmijët brez pas brezi!

Nuk është turp të qëndrojë babai apo nëna një ditë një moment të sinqertë me vetveten, që të heqë këtë barrë të rëndë nga gjoksi i tij, e mos bëhet kokëfortë! Të rehatojë shpirtin e tij e të pranojë gabimet që ka ndaj fëmijëve të tij, qoftë kjo edhe në mënyrë të fshehtë, duke i shkruar në një letër.

Ndoshta ndihmon dikë tjetër që të mos bjerë në të njëjtat gabime që ka rënë ai. Përfytyro me mua këtë letër të shkëlqyer nga edukata shkencore me titull “Baba harron:

O biri im! Po ta shkruaj këtë letër e ti je i shtrirë para meje në krevat, i zhytur në gjumë të thellë. Dora jote e vogël e shtrirë, e mbi ballin tënd janë derdhur flokët e tua të verdha. Para pak çastesh isha ulur në zyrën time e po lexoja gazetën, ku papritur një përmbytje e pakontrollueshme keqardhje më kaploi. Nuk u përmbajta dot e erdha tek jastëku yt, ndjehem sikur shpirti më digjet. Po ti tregoj ato shkaqe që më bënë të pendohem.

A të kujtohet sot në mëngjes? Të bërtita në momentin kur ishe duke veshur rrobat e shkollës, ngaqë e lave fytyrën jo me kujdes. Gjithashtu, të kritikova ngaqë nuk i kishe pastruar këpucët siç duhet. Gjithashtu, të bërtita kur gjeta të hedhur aty-këtu disa mjete të shkollës.

Kur u ulëm të hamë mëngjes t’i numërova gabimet e bëra një nga një. Supën e derdhur, gëlltitjen e ushqimit, mbështetjen me bërryla mbi tavolinë, e për vendosjen e gjalpit mbi fetën e bukës më shumë seç duhet.

Në momentin kur u ndamë, ti u drejtove nga fusha e sportit e unë nga stacioni i trenit, u ktheve nga unë e ma bëre me dorë duke më thënë: “Mirupafshim baba!”.

I ngrysur në fytyrë nuk t’u përgjigja. Pastaj e njëjta gjë filloi përsëri në darkë. Në momentin kur po luaje me shokët e tu, ulur në gjunjë “me zar” plot gëzim e dashuri, i pashë disa vrima tek çorapet e tua. Të ula para shokëve të tu, duke të marrë me forcë për në shtëpi, e ti duke qarë. Të thashë: “Çorapet janë të shtrenjta, o biri im, e sikur të ishe ti i cili e fitoje këtë pasuri, do të kujdeseshe më shumë.” A mendon që kjo ndodh prej një babai?!

Pastaj më kujtohet kur po shkoja për në dhomën time si erdhe duke tërhequr këmbët zvarrë e në sytë e tu një qortim i heshtur. U drejtove drejt meje e qëndrove tek dera në mëdyshje, gjoksi mu ngushtua sepse më ndërpreve ndenjen, prandaj të pyeta duke bërtitur: “Çfarë do?!” Nuk fole, porse u lëshove drejt meje si shigjetë duke më përqafuar me duart tua të vogla, e më puthe. Krahët tua të holla i shtrëngove rreth qafës sime plot ngrohtësi e dashuri të cilën e ka vendosur Allahu i madhëruar në zemrën tënde të pastër. Dashuri e cila pas gjithë kësaj, akoma nuk është fikur. Pastaj me shpejtësi u largove e ngjite shkallët për në dhomën tënde.

Mbas një kohe të shkurtër, gazeta që isha duke lexuar më rrëshqiti nga dora, e një furtunë e fortë dhimbjesh filloi të më godiste! O Allah! Për ku kam dashur të shkoj me këtë “zakon”. Zakon i zbulimit vetëm të gabimeve. Zakoni i fajësimit e qortimit?! A ky ishte shpërblimi im për ty për atë që ti akoma je fëmijë?! Në asnjë mënyrë! Nuk kam pas për qëllim se nuk të dua, por ishte ajo që kërkesat e mia ishin të shumta ndaj teje, edhe pse ti je kaq i vogël. Të llogarisja me moshën time, me eksperiencën e provat e mia, por ti në vetvete më paske falur, zemra jote e vogël qenka e madhe sa drita e mëngjesit e cila ndriçon hapësirën. E cila të shtyu të vish tek unë e të më japësh përshëndetjen e darkës. Asgjë nuk ka rëndësi sonte, o biri im. Në mes errësirës erdha tek jastëku yt e tani qëndroj para teje i turpëruar. Kjo është një shlyerje e dobët. E di se ti nuk do të kuptosh asgjë nga ç’po të them edhe sikur ta thosha kur të ishe zgjuar. Por unë qysh nesër do të jem me të vërtetë baba, do të jem shok i ngushtë për ty!

Do të më lëndojë ajo çka të lëndon, e do të qesh kur të qeshësh. Gjuhën do ta kafshoj nëse të drejtoj fjalë ofenduese e fajësuese. Gjithmonë do të kem parasysh këtë thënie: “Ai nuk është vetëm se një fëmijë!”

Gabimi më i madh që unë bëra ishte se të kam shikuar e korrigjuar sikur të ishe një burrë i madh! Kur të përfytyroj tani e të shikoj se si je i mbështjellë në krevatin tënd, nuk gjej para meje vetëm se një vocërrak. Dje jo shumë larg ishe në gji të nënës tënde, me kokë të mbështetur ne kraharorin e saj…

Më fal se të kam ngarkuar tej mundësive…!

Burimi:
Dr. Hamdi Shuajb
Përktheu: F. Gurra
Burimijetes.info

Must Read