BallinaARTIKUJGruaja dhe FamiljaMartesa, bashkëjetesa, imoraliteti, romanca, tradhtia

Martesa, bashkëjetesa, imoraliteti, romanca, tradhtia

Martesa, bashkëjetesa, imoraliteti, romanca, tradhtia

Thotë Zoti në Kuranin famëlartë:

“…u janë lejuar për martesë gratë e ndershme besimtare dhe (gra) të ndershme nga ata të cilëve u është dhënë libri para jush (krishterëve dhe hebrenjve), kur atyre u jepni pjesën e caktuar të kurorës (mehrin), por duke pasur për qëllim martesën, e jo imoralitetin dhe jo si dashnore ilegale. E kush mohon (tradhton) besimin, ai ka asgjësuar veprën e vet dhe ai në botën tjetër është prej të shkatërruarve.” Maide, 5.

Ndryshimi midis bashkëjetesës dhe martesës nuk është vetëm në aspektin social dhe ligjor, por dhe në aspektin konceptual. Një vajzë që mendon se duhet të bashkëjetojë për të njohur partnerin e saj, e konsideron jetën eksperiment. Martesa nuk është çështje eksperimenti, ajo është një kontratë besnikërie, dashurie kur të dy partnerët pranojnë njeri-tjetrin me të mirat dhe të këqijat e tyre. Njerëzit pozitivë, shikojnë gjërat pozitive tek partneri i tyre. Të kërkosh partner pa të meta, do të thotë të rrish pa partner. Kjo kalohet vetëm duke bërë një ekuilibrim gjykues midis të mirave dhe të metave të tij dhe duke i dhënë rëndësi të mirave dhe duke u përpjekur për korrigjimin e të metave me metoda të ndryshme. Bashkëjetesa, më shumë se një metode jetese, në origjinën e saj është një zgjidhje pasanikësh nga frika e divorcit dhe ndarjes së pasurisë me gruan apo me burrin, por më pas kaloi në shtresat e ndryshme. Bashkëjetesa nuk i ofron femrës siguri as qetësi; ajo shijohet si eksperiment dhe jo si një lidhje e cila ofron të drejta dhe detyrime, sikurse është martesa, institucioni më serioz dhe i shenjtë për të cilën njeriu ndjehet ne paqe. Është e palogjikshme se si vajzat zgjedhin të jenë pjesë e një eksperimenti për vite të tëra ndërkohë që duhet të zgjidhnin institucionin e martesës, duhet të zgjidhnin të formonin një familje solide e cila rigjeneron jetën njerëzore me pasardhës të bukur dhe të mirë. Martesa ofron mundësi mirëkuptimi dhe në qëllimin e saj nuk ka eksperimentin, por jetëgjatësinë. Ka mirëkuptimin, tolerancën, pranimin e të qenurit me gabime dhe rigjenerimin e një energjie pozitive për kalimin e problemeve dhe konflikteve. Bashkëjetesa është më mendjeshkurtër; ajo zgjedh ndarjen direkt me arsyetimin e mospërputhjes, ndërsa martesa është më e urtë, më e zgjuar; ajo i jep mundësi jetës bashkëshortore të rikuperojë vetveten dhe kur ka probleme.

Martesa apo lidhja ilegale(dashnorja)?

Martesa është një lidhje paqeje e cila harmonizon emocionet në mënyrën më të shkëlqyer. Ajo nuk është aventurë, të cilës partnerët i frikësohen shfaqjes së saj. Ajo është publike, ligjore nuk i druhet asnjë njeriu, nuk i dërgon partneret drejt aventurave dhe moteleve. Ajo ka shtëpinë e saj të ngrohtë prej së cilës dashuria dhe marrëdhënia është e qetë, e paqtë, e embël, e ndërgjegjshme, intime, pa stres e pa turp, sepse ajo është e ligjëruar në të gjitha format e saj. Dy familje që e kanë pranuar, por dhe në mënyrë ligjore e kanë celebruar.

Lidhja ilegale është stresuese, imorale, emocionale që e lë adrenalinën të dëmtojë trupin por dhe psikologjia njerëzore dëmtohet për shkak se lidhja ilegale nuk ofron çlodhjen e ndjenjave të dashurisë në mënyrë të shpejtë, por ajo kërkon kohë derisa partnerët të organizojnë aventurën e tyre. Njeriu si qenie është i krijuar me epsh i cili nëse ndizet, rrit adrenalinën duke çrregulluar sistemin emocional apo hormonal të njeriut pastaj kërkon që këtë ta konkretizojë ose performojë në një marrëdhënie seksuale. Sa më e madhe të jetë koha e pritjes për këtë konkretizim, aq më e madhe është dëmtimi që sjell çrregullimi emocional-hormonal tek njeriu. Pikërisht martesa duke qenë se i mban partnerët afër njeri-tjetrit, ajo i jep zgjidhje më të shpejtë për eliminimin e çrregullimit emocional që japin ndjenjat e dashurisë në zemër. Marrëdhënia seksuale në vetvete është një prehje.

Është e pakuptimtë për disa vajza të cilat zgjedhin të jenë dashnore ilegale në vend se të zgjedhin të jene bashkëshorte të lumtura.

Vajza, nëse një djalë ju do, kërkon të kalojë jetën me ju dhe jo vetëm disa çaste aventure. Mos e thyeni besimin dhe preokupimin e prindërve tuaj të cilët dhe ato kanë të drejtën e informimit se me kë vajza e tyre shoqërohet apo do të lidhet. Kanë të drejtën e tyre t’ju këshillojnë ju pavarësisht se ndjenjat tuaja të moshës nuk jua thonë këtë gjë. Por, mos harroni se askush nuk ju do më shumë në botë se prindi. Dhe askush në botë nuk e zë vendin e tij, qoftë ai dhe i dashuri. Bëjini serioze lidhjet tuaja, bëjini ato të përjetshme me martesë, familje, fëmijë dhe jo sporadike, moteleve, si pjesë e aventurave emocionale të moshës. Martesa është e bekuar prej Zotit prandaj është dhe më e paqtë. Është dhe bekim prej prindërve të tu të cilët lumturohen kur ju martoheni dhe hidhërohen kur ju në mënyrë të fshehtë lidheni me dikë.

Koha e romancës

Disa e shijojnë romancën para martese dhe në martesë ndjehen të zbrazur, ndërsa disa mbasi martohen shijojnë romancën. Nuk mund të rrish 10 vjet si dashnore ilegale, pastaj të martohesh. Një pararomancë nuk duhet të zgjasë më shumë se 6 muaj. Duhet të martohesh pastaj të përjetosh romancën. Dështimi i shumë martesave vjen për shkak se e kanë konsumuar romancën para martese dhe ndjehen të zbrazët gjatë martesës. Disa nuk bëjnë as muaj mjalti sepse e kanë konsumuar atë para martese. Martesa për ta fatkeqësisht shndërrohet vetëm në një copë letër, edhe djegia e shamisë së beqarit nuk ka më kuptim tek ato. Mos e konsumo shumë romancën para martese, sepse do të shkatërrosh martesën tende. Përmbaju traditës sonë shqiptare. Kërkoje vajzën tek prindërit e saj, dhuroji asaj besimin e një lidhjeje serioze, më pas fejohu me të, njihu me të në një periudhë në pararomancë. Bëj dasmën me të, pastaj shijo muajin e mjaltit dhe martesën. Romantizohu në martesë se kështu i zgjat jetën asaj…

Tradhtia bashkëshortore

Shumë partnerë zgjedhin tradhtinë të iniciuar nga shumë rrethana dhe shkaqe. Një ndër të shumtat shkaqe të tradhtisë është monotonia bashkëshortore. Mirëpo tradhtia nuk është zgjidhje për këtë sepse ajo e shkatërron martesën. Çifti mund të ndryshojë monotoninë me ndryshimin e mënyrës së jetesës, marrëdhënies, ambientit, por jo duke zgjedhur një partner jo të ligjshëm. Ndryshimi i partnerit nuk zgjidh ndonjë gjë, sepse njeriu është qenie racionale me dëshira irracionale. Pra, ai serish kërkon përtej të kufishmes dhe për të qenë më i qetë brenda qenies së tij, ai duhet të kuptojë dhe të pranojë me vetëdijesim se është një qenie racionale që nuk mund të ndryshojë dot qenien, por duhet të kufizojë dëshirat e tij. Kufizimi ose përmbajtja ndaj dëshirave do t’i japë njeriut një qëndrueshmëri bashkëshortore më të gjatë.

Burimi:
burimijetes.info
Xh. Stafa

Must Read