BallinaSpikasimGIBETI (PËRGOJIMI)

GIBETI (PËRGOJIMI)

GIBETI (PËRGOJIMI)

Kur jeton në një shoqëri jomuslimane mund të biesh lehtë pre e zakoneve të kësaj shoqërie dhe rrjedhimisht nisim t’i shohim veprimet tona sipas standardeve të kësaj shoqërie.

Madje disa herë shkojmë aq larg, saqë nisim të mendojmë nëse veprimet tona janë më të pranueshme e më të mira se të tyret. Në të vërtetë, ne duhet të kemi standarde më të larta, pasi standardet tona duhet të përputhen me mësimet e Islamit. Ne duhet të kuptojmë se kur bëhet fjalë për moral dhe vlera, Islami është standardi ynë. Një shembull? A e keni dëgjuar rregullën e artë: “Sillu me të tjerët ashtu si do të doje të silleshin të tjerët me ty”. Besoj se po. Vetë i Dërguari i Allahut, Muhamedi alejhi selam, ka thënë, sipas transmetimit të Enesit: “Askush prej jush nuk ka besuar derisa nuk dëshiron për vëllanë e tij musliman atë që dëshiron për veten.” (Buhariu)
I Dërguari i Allahut gjithashtu ka thënë, transmetuar nga Ebu Hurejra: “Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit duhet të flasë mirë ose të heshtë dhe kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit nuk duhet të dëmtojë (ose fyejë) fqinjin.” (Buhariu).
Kjo është si hyrje për idenë se ne duhet të kujdesemi për njëri-tjetrin sipas Islamit, jo sipas standardeve të jobesimtarëve. Ata le të na ndjekin ne. Kur mendojmë për shembull për gibetin (thashethemet), shumica prej nesh mendojnë se thashethemet janë thënia e diçkaje negative për dikë. Por Islami i ka dhënë një përkufizim më të fortë. Ebu Hurejra tregon se i Dërguari i Allahut alejhi selam ka thënë: “A e dini se çfarë është gibeti?” Ata thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë.” Pastaj, ai tha: “Gibeti nënkupton të flasësh për vëllanë tënd në një mënyrë që ai nuk e pëlqen.” I thanë: “Çfarë mendon nëse e gjej atë që thashë tek vëllai im? Ai tha: “Nëse ajo që the gjendet tek ai, në fakt e ke përgojuar dhe nëse nuk gjendet, është shpifje.” (Sahih Muslim, Ebu Davudi, Ahmedi, Tirmidhiu dhe të tjerë)
Al-Muttalib ibin Abdullahu tha: “I Dërguari i Allahut ka thënë: Gibet do të thotë se një njeri për mend për dikë diçka që është e vërtetë pas shpinës së tij.”(Sujuti, Zawa’id Al Jami nga transmetimi i Khara’iti në Masawi Al Akhlaq. Maliku ka transmetuar diçka të ngjashme me isned mursel siç përmendet në Sahih)
Imagjinoni pak standardet e larta që islami ka vendosur, që ky gjynah i tmerrshëm të mos kufizohet vetëm në thënien me gojë ose me shkrim. Hasan Ibin Al Makhaariq transmeton se njëherë një grua vizitoi Aishen dhe kur gruaja u çua që të shkonte, Aishja bëri një shenjë me dorë e saj, duke i treguar të Dërguarit alejhi selam se ajo grua ishte e shkurtër. I dërguari menjëherë e qortoi duke i thënë: “Bëre gibet.” (Ibin Xherir tafseer Al Quraan al Ad’heem, vol. 4, fq. 328)
Aishja, nëna e Besimtarëve, tregon: “I thashë të Dërguarit alejhi selam: “Të mjafton ty te Safija, që është kështu e kështu” duke nënkuptuar se ajo ishte e shkurtër. Ai u përgjigj: “Ke thënë një fjalë që, po të përzihej me detin, do ta ndryshonte atë.” (Suneni i Ebu Davudit)
Këtu mund të shohim se gibeti është gjithashtu ajo që ne bëjmë që një person mund të mos e pëlqejë nëse bëhet përpara tij. Ky është një gjynah i rëndë. E di se është e lehtë të nënvlerësohet, por Allahu na ka paralajmëruar për këtë në Librin e Tij: “O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri-tjetrit, dhe mos përgjoni njëri-tjetrin; a mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Atë pra e urreni! Kini frikë nga ndëshkimi i All-llahut, e All-llahu është mëshirues, Ai pranon shumë pendimin.” (Huxhurat, 12)
Allahu e ka përshkruar gibetin si një veprim i ngrënies së mishit të vëllezërve e motrave tona. Por mos mendoni për këtë si një akt metaforik. I Dërguari alejhi selam na e vërtetoi këtë në njërën prej mrekullive të tij të mëdha.
Ubejdi, skllavi i liruar i të Dërguarit alejhi selam, ka transmetuar se dikush erdhi tek i Dërguari dhe i tregoi atij se dy gra ishin duke agjëruar dhe se po vdisnin nga etja. I dërguari alejhi selam u largua pa folur, duke refuzuar t’u japë leje të prishin agjërimin. Ai burrë e luti sërish, duke i përmendur se ato gra ishin në prag të vdekjes. I Dërguari alejhi selam atëherë i tha t’i sillnin ato tek ai dhe të sillnin edhe një tas. Kur ato erdhën tek ai, ai iu drejtua njërës prej tyre dhe i tha të villte në tas. Ajo u bind, duke nxjerrë një përzierje të vjelle, gjak, qelb dhe copa mishi, që e mbushën tasin deri në gjysmë. Pastaj ai iu kthye tjetrës dhe i tha të bënte të njëjtën gjë. Pasi tasi u mbush, ai tha: “në të vërtetë këto të dyja kanë agjëruar nga ajo që Allahu e ka bërë hallall për to dhe e kanë prishur agjërimin e tyre me atë që Allahu e ka bërë haram për to. Ato e kanë shuar agjërimin e tyre duke ngrënë mishin e të tjerëve.” (Ahmedi)
Dijetarët tanë na kanë paralajmëruar për këtë dhe na kanë thënë të pendohemi: Kurtubiu ka thënë: “Dijetarët pajtohen se është një gjynah i madh dhe bërja e këtij gjynahu ka nevojë për pendim tek Allahu.” (Kurtubi, Tefsir i sures Huxhurat.)
I Dërguari alejhi selam na ka paralajmëruar për ndëshkimin e madh që mund të na bjerë si pasojë e këtij gjynahu të madh.
Ebu Barzah al-Aslami ka transmetuar: “I Dërguari alejhi selam tha: “O bashkësi njerëzish, ai që ka besuar me gjuhë dhe besimi nuk ka hyrë në zemër, mos përgojoni muslimanët dhe mos kërkoni të gjeni të metat e tyre, sepse nëse dikush mundohet të zbulojë të metat e tyre, Allahu do t’ia zbulojë atij të metat e veta dhe nëse Allahu i zbulon të metat e dikujt, Ai e turpëron atë publikisht që ta shohë kushdo, edhe nëse ai e ka fshehur atë në pjesën më intime të shtëpisë së tij.” (Sunen Ebu Davudi, Sahih Sunan Al Tirmidhi, Ibin Hibani, hasen nga Albani)
Ne flasim për të tjerët, duke nxjerrë në shesh gabimet e të tjerëve dhe Allahu i Madhëruar na e jep ilaçin, duke na i nxjerrë në shesh gabimet tona. Kush do të donte t’i zbuloheshin të metat? Kush do të donte të ndëshkohej në këtë mënyrë?
O Allah, na ruaj nga zemërimi Yt!
Duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Mos harroni, në Ditën e Gjykimit, Allahu mund të na falë gjynahet që kemi bërë ndaj Tij, por një person tjetër do të ketë të drejtën të na marrë veprat tona të mira për shkak të të këqijave që i kemi bërë, e njëra prej këtyre të këqijave është edhe gibeti, sakrifikimi i nderit të motrave e vëllezërve tanë muslimanë.
Ebu Hurejra transmeton: “I Dërguari i Allahut alejhi selam ka thënë: “A e dini kush është i varfër?” Shokët i thanë: “I varfër në mesin tonë është ai që nuk ka as dërhemë as pasuri.” Ai tha: “I varfër i umetit tim do të jetë ai që në Ditën e Gjykimit do të vijë me namaz, agjërim e zekat, por (do ta shohë veten të falimentuar atë ditë sepse do t’i ketë mbaruar të mirat e tij) duke qenë se abuzoi ndaj të tjerëve, shpifi ndaj të tjerëve dhe hëngri pa të drejtë pasurinë e të tjerëve dehe derdhi gjakun e të tjerëve dhe rrahu të tjerët, të mirat e tij do t’i jepen një tjetri (atij që vuajti prej tij). E nëse të mirat e tij nuk arrijnë të lajnë llogarinë, atëherë gjynahet e tjetrit do futen në llogarinë e këtij dhe ai do të hidhet në zjarrin e xhehenemit.” (Sahih Muslim)

Kemi menduar se kemi bërë mirë. Jemi falur, kemi agjëruar, jemi munduar shumë për të bërë vepra të mira. Do të paraqitemi para Allahut në Ditën e Gjykimit. Mos jemi munduar aq shumë, që ta gjejmë veten të hedhur në zjarrin e xhehenemit? Mos jemi munduar aq shumë që t’i shohim veprat tona të mira teksa na merren sepse nuk mund të kontrollonim dot gjuhën tonë?!.
Një person të cilin e kemi përgojuar mund të na marrë ato të mira vendimtare, që mund të na dërgojnë në xhenet. Sa të mira jeni në gjendje t’u JEPNI të tjerëve?
Personalisht, nuk mendoj se kam të mira tepër. Në atë ditë, nëna do të lëshojë barrën e saj. Nëna juaj nuk do të dojë t’ia dijë për ju e as do të kujdeset për ju. Nëna juaj!
Të Dërguarit, paqja qoftë mbi ta, do të jenë në gjendje të vështirë, po ne? Ku jemi ne në krahasim me ta? Nuk duhet t’i bëjmë qejfin vetes duke thënë se mund të lëmë të na ikë ndonjë e mirë atë ditë. Allahu i Madhëruar na ruajttë të gjithëve!
Përgojimi është një mëkat i madh nga i cili duhet të ruhemi. Nuk mund t’ia lejojmë vetes të biem në të. Allahu na ka paralajmëruar se në atë ditë asgjë nuk fshihet. Edhe gjymtyrët tona do të flasin kundër nesh. Allahu thotë: Në atë ditë kur dëshmojnë kundër tyre gjuhët e tyre, duart dhe këmbët e tyre për atë që ata kanë punuar. (24:24)
Edhe i Dërguari ynë alejhi selam na ka paralajmëruar nga e keqja e gjuhës dhe na ka treguar për shpërblimet që fitojmë nëse e ruajmë atë. Sehl bin Sa’di transmeton: “I Dërguari i Allahut tha: “Kush mund të garantojë pastërtinë e asaj që gjendet mes dy nofullave të tij dhe të asaj që gjendet mes dy këmbëve të tij (domethënë të gjuhës dhe të organit seksual), unë i garantoj xhenetin.” (Sahih Buhari)
Ukbe ibn Amir transmeton se i dërguari i Allahut ka thënë: “Kushdo që mbulon të metat e një besimtari është si të ketë sjellë në jetë një vajzë të varrosur të gjallë.” (Suneni i Ebu Davudit)
Mashallah! Shpërblimi qenka kaq i madh. Le të bëhemi të kujdesshëm dhe të shmangim ndëshkimin e të fitojmë shpërblimin.
Janë disa situata të pakta kur na lejohet të flasim për diçka, por këto mundësi janë të kufizuara. Ja disa prej këtyre situatave të lejuara:
Këshillimi martesor ose mbrojtja nga e keqja e mundshme: Fatime bint Kajsi shkoi tek i Dërguari alejhi selam duke kërkuar këshillë martesore kur në të njëjtën kohë i propozuan për martesë Muavi Ibn Ebu Sufjani dhe Ebu Xhehmi. I dërguari alejhi selam i tha: “Muaviu është koprrac e dorështrënguar, kurse Ebu Xhehmi i rreh gratë e tij. Prandaj martohu me Usamën më mirë.” (Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, etj.)
Ankimi: Aishja rrëfen: “Hindi, nëna e Muaviut, i tha të Dërguarit të Allahut: “Ebu Sufjani (bashkëshorti i saj) është koprrac. A më lejohet të marr pasurinë e tij fshehurazi?” I Dërguari i tha: Ti dhe fëmijët e tu mund të merrni atë që është e mjaftueshme dhe e drejtë.”(Sahih Buhari)
Kërkimi i këshillës nga dikush që ka pushtet të ndihmojë: Ebu Hurejra ka rrëfyer se një njeri tha: O i Dërguari i Allahut, kam një fqinj që më bie në qafë.” I Dërguari i tha: “Shko dhe nxirri plaçkat e tua në rrugë.” Ky njeri shkoi dhe i nxori plaçka e tij në rrugë. Njerëzit u mblodhën dhe e pyetën: “Çfarë të ka ndodhur?” Ai i tha: “Kam një fqinj që më bie në qafë; i tregova të Dërguarit për këtë dhe ai më tha të nxirrja plaçka e mia në rrugë.” Njerëzit nisën të thoshin: “O Allah, mallkoje atë! (fqinjin). Fqinji dëgjoi për këtë dhe shkoi te ky njeri dhe i tha: “Shko sërish në shtëpinë tënde, se pasha Allahun nuk do të të shqetësoj më.” (Buhariu: Adab Al Mufrad 124 (Al Mundhiri e klasifikoi senedin e tij si hasen në Targhib wal Tarhib)
Pasi i lexuam këta shembuj, le të mendojmë pak mbi to. Po nëse kemi bërë gibet, çfarë duhet të bëjmë? Imam Neveviu ka thënë: “Dijetarët kanë thënë se nëse ke bërë gibet, atëherë kërko falje për të. Duke komentuar këtë, shejh Albani ka thënë: “Pra, nëse nuk ke frikë se nga kërkimi i faljes do të shkaktohet ndonjë e keqe. Përndryshe, mjafton të lutesh për të.’ (Përgojimi dhe efektet e tij negative në komunitetin musliman, Husayn Al Awayishah, 76)
Pra, si pendohemi për këtë vepër të keqe? Së pari, duhet t’i kërkojmë Allahut të na falë dhe duhet të vendosim të mos e përsërisim atë. Pastaj, shkojmë tek ai person që kemi përgojuar, nëse është e mundshme, dhe e lusim të na falë. Mbani mend se Allahu do të na falë nëse i lutemi sinqerisht, por Ai nuk do t’ia marrë të drejtën besimtarit tjetër. Prandaj, duhet t’i kërkojmë gjithashtu falje edhe besimtarit që kemi përgojuar.
Në fund, edhe diçka tjetër. Po të gjendemi në një situatë ku të tjerët janë duke bërë gibet, çfarë duhet të bëjmë? Së pari duhet të përmendim Allahun dhe t’i ftojmë me butësi edhe ata të bëjnë të njëjtën gjë. Nëse kjo nuk funksionon, duhet të largohemi, sepse ulja atje dhe dëgjimi i gibetit është po aq i keq sa edhe vetë gibeti. Dijetarët janë të pajtimit se një person që qëndron aty ku po bëhet gjynahu është po aq fajtor sa ata që po e bëjnë gjynahun. Prania juaj është njëfarë miratimi i asaj vepre. Nëse miqtë tuaj janë të mërzitur me ju sepse nuk merrni pjesë në gjynah, atëherë nuk janë miq të vërtetë. Përse dëshirojnë të të bëjnë keq ty ose fesë tënde dhe të shkatërrojnë mundësinë tënde për të shkuar në xhenet?
Duke mos marrë pjesë në gjynah ju jeni duke mbrojtur nderin e motrës dhe vëllait tuaj musliman dhe mund të prisni shpërblimin e Allahut. Lexoni se çfarë ka thënë i Dërguari alejhi selam: “Në Ditën e Ringjalljes, Allahu do ta largojë zjarrin nga fytyra e atij që mbron nderin e vëllait të tij musliman në mungesë të këtij të fundit.” (Tirmidhiu)
O Allah! Na i ruaj gjuhët tona. O Allah! Na i ruaj veprimet tona. O Allah! Na fal gjynahet tona ndaj Teje dhe zbuti zemrat e atyre qe kemi dëmtuar, që edhe ata të na falin. Amin!

Shariffa Al Andalusia
Përktheu: Eglantina Muça

Must Read