ISLAMI E NDALON RYSHFETIN
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Prej Ebu Hurejres, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, është transmetuar se ka thënë: “I Dërguari i Allahut, Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka mallkuar dhënësin dhe marrësin e ryshfetit.”
Kuptimi i frazës: “mallkimi i Allahut” do të thotë: largimi prej mëshirës së Tij.
Transmetuesi i hadithit
Ai është sahabi i madh Abdurrahman ibnu Sahr ed Deusi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij. E përqafoi Islamin në vitin e betejës së Hajberit, në vitin e VII të hixhretit. E shoqëronte të Dërguarin e Allahut nga dëshira për dijen. Llogaritet nga sahabët me mësim përmendësh më të shumtë. Vdiq në vitin 57 h, sipas një mendimi.
Kuptimi i përgjithshëm
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, na kumton se Profeti i udhëzimit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, bëri dua kundër dhënësit të ryshfetit me shporrje dhe largim.
Dhënësi i ryshfetit është person që i ofron dikujt pasuri në formë mashtrimi për t’i bërë qejfin, në mënyrë që me këtë pasuri të rrëzojë të vërtetën e tjetrit dhe të ngrejë të kotën.
Ai, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, mallkoi marrësin e ryshfetit, sepse nuk e merr pasurinë në rrugë të lejuar dhe ha pasuritë e njerëzve në mënyrë të kotë. Duhet që muslimani t’u largohet gjërave të dyshimta, në mënyrë që të mos e ekspozojë veten përpara urrejtjes së Allahut dhe ndëshkimit të Tij.
Dobitë e hadithit
1. Shporrja e dhënësit dhe e marrësit të ryshfetit prej mëshirës së Allahut.
2. Ryshfeti është prej gjynaheve të mëdha.
3. Ndalimi i ryshfetit për dëmin e madh që i shkakton shoqërisë muslimane.
Burimi:
Përktheu: Abdurrahman Ruka
Burimijetes.info