A është i njëjtë ai që i përmbahet udhëzimit me atë të cilit i janë zbukuruar veprat e këqija?
Allahu i madhëruar thotë: “O ju që keni besuar! Nëse ju ndihmoni Allahun, Ai ju ndihmon ju dhe jua forcon këmbët tuaja. Ndërsa ata që nuk besojnë, qofshin të shkatërruar! Ai i asgjëson veprat e tyre. Ata e urrejnë Shpalljen e Allahut, prandaj Ai i asgjëson veprat e tyre. A nuk udhëtojnë ata nëpër botë, për të parë se si qe përfundimi i më të hershmëve?! Allahu i rrënoi ata plotësisht, e po kështu do të përfundojnë të gjithë jobesimtarët! Allahu është Miku i atyre që besojnë, kurse për jobesimtarët nuk ka miq! Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Allahu do t’i fusë në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj. Ndërsa për ata që nuk besojnë, të cilët bëjnë qejf dhe hanë ashtu si kafshët, Zjarri është vendi i tyre! Sa e sa qytete, që ishin shumë më të fortë se qyteti që të dëboi ty, Ne i kemi shkatërruar, duke mos patur për ta asnjë ndihmues! Vallë, a është i njëjtë ai që i përmbahet udhëzimit të qartë prej Zotit të vet, me atë të cilit i janë zbukuruar veprat e këqija dhe ndjek epshet e veta?!” Surja Muhamed, 7 – 14.
Shpjegimi i ajeteve
“O ju që keni besuar! Nëse ju ndihmoni Allahun, Ai ju ndihmon ju dhe jua forcon këmbët tuaja.”
Ky është një urdhër që Allahu i Madhëruar u drejton besimtarëve, që ata të ndihmojnë fenë e Tij, duke jetuar sipas saj, duke e zbatuar atë për veten e tyre, duke ftuar të tjerët të jetojnë sipas saj e duke luftuar armiqtë e kësaj feje. Por çka është më e rëndësishme, me të gjitha këto vepra ata duhet të kenë si qëllim arritjen e kënaqësisë së Allahut të Madhëruar. Nëse ata veprojnë kështu, Allahu i Madhëruar ka për t’i ndihmuar, ka për t’u dhuruar fitore, ka për t’ua forcuar këmbët, besimin dhe pozitat e tyre. Ai do t’ua forcojë edhe zemrat, duke u dhuruar durim e qëndrueshmëri para çdo lloj vështirësie dhe para armiqve të së vërtetës. Ky është një premtim i dhënë nga Bujari, i Cili është Besnik në premtimet e Tij.
“Ndërsa ata që nuk besojnë, qofshin të shkatërruar! Ai i asgjëson veprat e tyre.”
Ndërsa ata që e mohojnë Zotin dhe rreshtohen me palën e së keqes, ata do të dështojnë gjithmonë në çështjet e tyre. Përpjekjet e tyre për të dobësuar dhe zhdukur të vërtetën, Allahu i Madhëruar ka për t’i shkatërruar. Të vetmit që do të rrënohen do të jenë ata. Allahu ka për t’ua kthyer mbi kokën e tyre intrigat që ata thurin. Edhe ato vepra me të cilat pretendojnë se do kënaqin Zotin, Ai ka për t’i asgjësuar dhe nuk do t’u japë asnjë shpërblim. Ky ndëshkim është i meritueshëm për ta, sepse:
“Ata e urrejnë Shpalljen e Allahut, prandaj Ai i asgjëson veprat e tyre.”
Ata e meritojnë humbjen, sepse e urrejnë atë që Zoti e shpalli si udhëzim për njerëzit, pra, Kuranin madhështor. Allahu i Lartësuar e shpalli Kuranin që të jetë rregullues dhe udhërrëfyes për robërit, për të arritur çdo të mirë e për të shpëtuar nga çdo e keqe, por ata nuk e pranojnë atë. Përkundrazi, ata e urrejnë Shpalljen e Zotit, e refuzojnë dhe e shpërfillin atë. Për këtë shkak, Allahu i Drejtë dhe i Urtë i asgjëson veprat e tyre.
“A nuk udhëtojnë ata nëpër botë, për të parë se si qe përfundimi i më të hershmëve?! Allahu i rrënoi ata plotësisht, e po kështu do të përfundojnë të gjithë jobesimtarët!”
A nuk udhëtojnë nëpër botë këta mohues të së vërtetës dhe të shohin se si qe përfundimi i popujve pararendës, të cilët nuk pranuan të besonin mesazhet që profetët e Zotit u sollën? Le ta bëjnë këtë, dhe do të mësojnë se ai qe përfundimi më i keq. Le të shohin majtas e djathtas, e do të kuptojnë se ata u shkatërruan dhe u zhdukën nga faqja e dheut, për shkak të mohimit. Allahu u shkatërroi pasuritë, pushtetin e vendbanimet, bashkë me veprat dhe intrigat e tyre. Të njëjtin përfundim të dhimbshëm kanë pasur mohuesit e çdo kohe dhe vendi. Të gjithë i ka përfshirë ndëshkimi dhe janë bërë mësim për brezat. Ndërsa besimtarët, Allahu i Lartësuar i shpëton nga ndëshkimi dhe i shpërblen me mirësi të shumta.
“Allahu është Miku i atyre që besojnë…”
Allahu i Gjithëmëshirshëm përkujdeset për besimtarët, duke i nxjerrë ata nga errësirat në dritë. Ai kujdeset për ta duke u dhuruar sukses në çdo çështje dhe shpërblimin më të mirë për çdo vepër të bërë prej tyre.
“…kurse për jobesimtarët nuk ka miq!”
Ata që mohojnë dhe refuzojnë përkujdesjen e posaçme të Allahut ia kanë mbyllur vetes portën e mëshirës së Tij. Për këta të mjerë nuk ka udhëzues, që mund t’i drejtojë në rrugën e paqes, ashtu siç nuk kanë ndonjë që mund t’i shpëtojë nga dënimi i Zotit. Miqtë e tyre, të cilëve ata u kanë besuar çështjet e tyre, janë idhujt dhe gjithçka që adhurohet veç Allahut. Miku i tyre është shejtani, i cili i nxjerr ata nga drita, për t’i humbur tërësisht mes errësirave. Këta do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.
Pasi tregoi se është Miku i dashur i besimtarëve, i Cili kujdeset plot mëshirë për ta, Allahu i Madhëruar na bën të ditur se si do të veprojë me ta në ahiret. Ai premton se do t’i fusë besimtarët në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, që ujitin pemët e bukura plot fruta.
Gjithashtu, pasi tregoi se mohuesit nuk kanë ndonjë mik që t’i ndihmojë dhe që përkujdeset për ta, Allahu i Madhëruar thotë se ata lihen qëllimisht që të mbështeten te vetja, e cila është tepër nevojtare, por ata janë të padrejtë dhe mospërfillëse ndaj ftesës së Zotit. Ata nuk pranojnë të pajisen me cilësitë e mira, që rregullojnë personalitetin e tyre. Ata i kanë shkatërruar një nga një cilësitë e mira njerëzore, duke rënë shumë poshtë e duke u shndërruar në krijesa më poshtë se kafshët, të cilat nuk kanë as logjikë e as arsye. Ata thjesht kërkojnë të përmbushin çdo dëshirë të egos së tyre kafshërore. Qëllimi i jetës së tyre është thjesht përmbushja e dëshirave dhe e kënaqësive të kësaj dynjaje. Të gjitha veprat dhe qëllimet e tyre vërtiten rreth kësaj bote, duke mos menduar fare rreth ahiretit dhe atyre çështjeve të cilat, nëse plotësohen, do t’u mundësonin lumturinë në të dyja jetët. Ata e shpërfillin ahiretin dhe nuk përgatiten për të, prandaj edhe vendqëndrimi i tyre si shpërblim do të jetë Zjarri. Atje do të ndëshkohen përgjithmonë dhe kurrë nuk do t’u lehtësohen vuajtjet!
Kuptimi: Janë të shumta vendet ose qytetet e mohuesve të profetëve, që ishin më madhështorë dhe më të fuqishëm sesa këta që refuzojnë të të pranojnë ty, por Allahu i Madhëruar i shkatërroi ata të gjithë. Kur ata mohuan profetët Tanë, duke pretenduar dhe shpifur se ata ishin gënjeshtarë, atëherë mbi ta goditi me ashpërsi ndëshkimi i Zotit të Plotfuqishëm. Askush nuk mund t’i ndihmonte a shpëtonte nga ai ndëshkim. Edhe pushteti, pasuria dhe fuqia e tyre nuk u bënë dobi. As mjetet luftarake, fëmijët dhe ushtritë e shumta nuk u dolën në krah.
Atëherë, çfarë do të ndodhë me ata të mjerë të pafuqishëm, të cilët e dëbuan Profetin nga vendi i vet, të cilët e mohuan, e urryen dhe e luftuan atë, ndërkohë që ai ishte më i zgjedhuri mes të gjithë profetëve dhe më i miri njeri mes të parëve dhe të fundit?! A nuk e meritonin ata ndëshkimin më shumë se çdo popull tjetër mohues?! Pa dyshim që e meritonin një ndëshkim të ashpër dhe të dhembshëm, por Allahu i Madhëruar e dërgoi profetin Muhamed si mëshirë për të gjithë botët. Ai u dërgua për të qenë i durueshëm, tolerant, falës, i butë dhe i dhembshur me popullin e tij.
Kurrsesi nuk është njëlloj ai që është i qartë tërësisht për fenë dhe besimin e tij, duke u bazuar në dituri të saktë, të drejtë dhe të vërtetë, dhe duke punuar me sinqeritet me atë dituri vetëm për të fituar kënaqësinë e Allahut, me atë që ka një zemër të verbër. Ky i fundit, ndryshe nga i pari, e refuzon të vërtetën dhe ka devijuar nga rruga e drejtë, duke pasuar dëshirat dhe epshet e veta, pa pasur udhëzim dhe dritë nga Allahu. Ç’është më e keqja, ky i mjerë pandeh se është në rrugë të mbarë! Sa i madh është dallimi mes këtyre dy njerëzve! Sa larg qëndrojnë ata nga njëri-tjetri, qoftë në veprat që bëjnë, qoftë në shpërblimin që meritojnë!
Tefsiri i Sa’dit
Përktheu: Uthman Agolli
Burimijetes.info