Krenari me besimin e pastër
Allahu i lartësuar thotë: “Kush dëshiron krenarinë (le ta dijë se), e tërë krenaria i takon Allahut (pra, vetëm prej Tij le ta kërkojë)! Tek Ai ngjiten fjalët e mira. Edhe punët e mira, është Ai që i ngre lart. Ata që kurdisin të këqija, ata do të kenë një dënim të rëndë dhe dredhitë e tyre do të dështojnë.” Fatir, 10.
Shpjegimi i ajeteve
“Kush dëshiron krenarinë (le ta dijë se), e tërë krenaria i takon Allahut (pra, vetëm prej Tij le ta kërkojë)!”
O ti që kërkon krenarinë, kërkoje atë prej Atij në dorë të të cilit është e gjithë krenaria. E pra e gjithë krenaria është në dorën e Allahut dhe nuk mund të arrihet veçse nëpërmjet adhurimit dhe bindjes ndaj Tij. Në këtë ajet Allahu i lartësuar e sqaron më qartësisht dhe kuptueshëm adhurimin dhe mënyrat e shprehjes së tij kur thotë:
“Tek Ai ngjiten fjalët e mira. Edhe punët e mira, është Ai që i ngre lart.”
Pra, adhurime nëpërmjet të cilave mund të synohet dhe të arrihet krenaria, janë edhe ato që Allahu i lartësuar i ka quajtur el kelimuŧ-ŧaj-jibu – fjalët e mira. Këtu bëjnë pjesë: leximi i Kuranit, traditës profetike, dijeve të dobishme, tesbihu, falënderimi dhe mirënjohja ndaj Allahut me fjalë, madhërimi i Allahut nëpërmjet shehadetit dhe çdo fjalë e mirw dhe e dobishme. Këto fjalë të mira të thëna nga robi ngrihen lart dhe paraqiten tek i Lartësuari. Nëse janë të sinqerta Allahu i lartësuar i përmend përkujtuesit e Tij në Veten e Vet dhe mes melaikeve në qiell. Gjithashtu, adhurime janë edhe ato që Allahu i lartësuar i quan El amelus-salih punë të mira, pra ato punë që robi i kryen prej punëve të zemrës dhe të gjymtyrëve, të cilat është po Allahu i lartësuar që i ngre lart, i vlerëson dhe i shpërblen me bujarinë e Tij.
Ky është njëri nga kuptimet e ajetit. Pra në fjalinë “uel amelus-salihu jerfeuh – edhe punët e mira, është Ai që i ngre lart, (kundrinori i drejtë) janë punët e mira dhe kryefjala është “Ai”, pra Allahu i lartësuar. Ndërsa kuptimi tjetër vjen në këtë mënyrë: tek Ai ngjiten fjalët e mira. Dhe është puna e mirë ajo që e ngre fjalën e mirë (lart tek Allahu). Pra ajo që ngrihet lart (kundrinori i drejtë) është “fjala e mirë”, ndërsa ajo që e ngre lart fjalën e mirë dhe e bën atë të pranuar dhe të dashur tek i lartësuari është (kryefjala) “puna e mirë”. Kështu pra vetëm fjalët e mira të vërtetuara dhe të konkretizuara nga punë të mira dhe të sinqerta për Allahun, janë ato që ngjiten tek i lartësuari. Atij që nuk punon punë të mira nuk i ngjiten dhe paraqiten as fjalët e tij tek i lartësuari dhe kështu ai nuk mund të jetë i përmendur prej të madhërishmit mes melaikeve në qiell.
Është shumë qartë e kuptueshme se vetëm nëpërmjet punëve të sinqerta dhe fjalëve të mira mund të arrihet krenaria e kërkuar dhe çdo e mirë e dynjasë dhe e ahiretit. Ndërsa punët e këqija sjellin plotësisht të kundërtën. Thotë i Lartësuari:
“Ata që kurdisin të këqija, ata do të kenë një dënim të rëndë dhe dredhitë e tyre do të dështojnë”.
Punëkëqijtë përmes dredhive të tyre kërkojnë krenarinë dhe arritjen e çdo qëllimi të tyre. Por dredhitë e tyre në vend që t’u ofrojnë atë që kërkojnë u kthehen kundër dhe godasin pikërisht thurësit e tyre. Nëse kërkojnë krenarinë nëpërmjet kurtheve dhe dredhive ata nuk do të përfitojnë veçse poshtërimin dëshpërimin dhe humbjen. Ata do të poshtërohen me më të turpshmin poshtërim dhe do të ndëshkohen me ndëshkim të rëndë. Asgjë nga kurthet e tyre nuk mund t’i shpëtojë dhe t’i mbrojë. Ato do të shkatërrohen dhe do të zhduken pa lënë gjurmë.
Përktheu: Uthman Agolli
Autor: Imam S’adi
burimijetes.info