BallinaTEZKIJELidhja me All-llahunMjete të përforcimit përballë sfidave

Mjete të përforcimit përballë sfidave

Mjete të përforcimit përballë sfidave

Islami është një fe, e cila nuk merret vetëm me çështjen e adhurimit. Ai, njerëzimit, i është prezantuar si një sistem i plotë, i përkryer, i përsosur dhe i aftë për të bashkëvepruar me jetën dhe problemet e saja deri në amshim. Thotë Allahu i Madhëruar:
…Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe…“ (el-Maide, 3)
‘Përsosja e fesë’ nënkupton se nuk ka nevojë të ndërhyjë askush në të ndërsa ‘plotësimi i dhuntisë’ do të thotë se ajo iu mjafton për të bërë një jetë të qetë dhe të lumtur. Rëndësia e të kuptuarit të fesë sipas këtij botëkuptimi është tejet e madhe. Sot, siç e dini, sfidat janë më të mëdha se kurdoherë më parë. Ta mbash fenë është problem në vete. Rrezikun e zërave për të ndryshuar gjithçka, duke mos kursyer këtu as fenë, traditën dhe kulturën tonë, nuk është për ta nënvlerësuar. Besimtari i formuar e di se sprovat dhe sfidat janë për shkak të mbajtjes së tij për feje. Është feja ajo që armiqtë nuk e duan prej tij. Për këtë shkak, atë e gjen të pamposhtur, ndryshe nga formalistët, ata që nga një sprovë e vetme, “dezertojnë.” Ndonjërit, po iu vodhën një palë këpuca të shqyera në xhami, e bën kiamet, aq sa më kurrë nuk e sheh në xhami. Kështu e ka kuptuar sprovën. Këtë lloj njerëzish, me këto bindje dhe besime, Allahu i Madhëruar na e përshkruan në Kur’an:
Ka disa njerëz që thonë: “Ne i kemi besuar All-llahut, e kur goditet me ndonjë të keqe për shkak të (rrugës së) All-llahut, ai sprovimin prej njerëzve e trajton si dënimin e All-llahut (prej të cilit njerëzit ikin prej mosbesimit në besim), e nëse vjen ndonjë fitore prej Zotit tënd, ata do të thonë: “Ne kemi qenë me ju!” Po a nuk është All-llahu që di më së miri për atë që është në zemrat e njerëzve?“ (el-Ankebut, 10)
Feja dhe shpirti nuk janë ideale të këta njerëz. Ata fenë, shpirtin, nderin, karakterin, që të gjitha i kanë të lidhura me njerëz, jo me Allahun e Madhëruar. Për këtë shkak, edhe fenë ia nënshtrojnë këtij kriteri.
Ndërsa besimtarët, me gjithë që sprovohen, fenë e kanë ideal dhe kanë kuptuar se ia vlen për të çdo sakrificë. Ata e dinë se sprovimi dhe sfidat janë për tu sprovuar besimi dhe vendosmëria e tyre në fe. Ata e kanë përfituar këtë bindje nga Kur’ani, libri me të cilin rregullojnë jetën e tyre. Allahu i Madhëruar ka thënë:
Në qoftë se juve u preku çka u dhemb (në Uhud), edhe atë popull (armikun) e pat prekur dhembje si kjo e juaja (në Bedër). Ne, këto ditë i ndërrojmë (u japim në përdorim) mes njerëzve për t’u ditur tek All-llahu ata që besuan dhe për t’i zgjedhur disa prej jush për dëshmorë (ose dëshmues). All-llahu nuk i do zullumqarët. 141. Dhe që All-llahu t’i pastrojë besimtarët, ndërsa gradualisht t’i shkatërrojë mosbesimtarët.“ (Ali Imran, 140-141)
Ky është perceptimi i besimtarit për sfidat dhe sprovat, ndërsa në vijim, do të përmendim disa nga gjërat që e mbajnë atë të fortë në fe.
Kur’ani dhe platforma e tij
Allahu i Madhëruar Kur’anin e ka përshkruar si librin që udhëzon në më të mirën, në rrugën më të drejtë, në mësimet më të mira, në lumturinë e kësaj dhe botës tjetër.
Është e vërtetë se ky Kur’an udhëzon për atë rrugë që është më se e vërteta, e besimtarët që bëjnë vepra të mira i përgëzon se ata pa dyshim do të kenë shpërblim të madh.“ (el-Isra, 9)
E dini sa është e rëndësishme kjo për jetën tonë?
E dini se çfarë do të thotë të kesh platformën më të mirë në botë për jetën?
E dini se çfarë rëndësie të madhe ke të identifikohesh me një platformë, të cilën, ndonëse kanë kaluar afër një milenium e gjysmë vite, asgjë nuk ka arritur ta mposhtë?
Këtu qëndron sekreti i forcës shpirtërore të besimtarit. Një libër që i ka bërë ballë stuhive të kohës, një libër të cilin nuk ka mundur ta shtrembërojë dhe ta largojë nga zemrat e njerëzve komunizmi i egër, nuk do të mund ta bën as demokracia e shthurur.
Historia dhe mësimet e saj
Nëse besimtari ka formuar këtë bindje për fenë e tij, atëherë ai beson se ia vlen çfarëdo lloj sakrifice për hire të saj. Dhe e rëndësishme në këtë drejtim është se ai nuk është i pari.
Të gjitha këto që t’i rrëfyem ty nga lajmet e pejgamberëve, janë që ta forcojnë zemrën tënde, dhe në to të ka ardhur e vërteta e këshilla, si dhe përkujtime për besimtarët.“ (Hud, 120)
Historia ka shënuar raste të shumta të besimtarëve të cilët ndonëse janë torturuar, kanë përballuar çdo gjë. Janë, p.sh., profetët, ata që janë sprovuar më së shumti në këtë drejtim. Ibrahimin [alejhiselam], atë që Allahu e quajti ‘dost’, deshën ta djegin.
Atëherë ata thanë: “Digjeni atë (Ibrahimin) dhe ndihmoni zotat tuaj, nëse doni t’u ndihmoni!” 69. Po Ne i thamë: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!” 70. Ata deshën t’i bëjnë atij (Ibrahimit) kurth, po Ne ata i bëmë më të dështuarit.“ (el-Enbija, 68-70)
Sigurisht, kur ka parasysh këtë fakt, që janë sprovuar edhe të Dërguarit e Allahut, atëherë kjo prodhon një efekt pozitiv tek ai ngase bindjet e gabuara se po sprovohet pse nuk është i mirë, nuk qëndrojnë. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ishte pyetur:
“أَيُّ النَّاسِ أَشَدُّ بَلَاءً قَالَ الْأَنْبِيَاءُ ثُمَّ الْأَمْثَلُ فَالْأَمْثَلُ فَيُبْتَلَى الرَّجُلُ عَلَى حَسَبِ دِينِهِ فَإِنْ كَانَ دِينُهُ صُلْبًا اشْتَدَّ بَلَاؤُهُ وَإِنْ كَانَ فِي دِينِهِ رِقَّةٌ ابْتُلِيَ عَلَى حَسَبِ دِينِهِ فَمَا يَبْرَحُ الْبَلَاءُ بِالْعَبْدِ حَتَّى يَتْرُكَهُ يَمْشِي عَلَى الْأَرْضِ مَا عَلَيْهِ خَطِيئَةٌ
Cilët janë njerëzit që sprovohen më së shumti? Tha: Profetët, pastaj më të mirët, të mirët (e kështu me radhë). Njeriu sprovohet –shtoi Pejgamberi [alejhis salatu ves selam]- varësisht nga lidhja e tij me fenë: nëse është i lidhur fort, atëherë sprovohet më shumë, e nëse është i lidhur dobët, atëherë sprovohet sipas lidhjes së tij. Belaja nuk do t’i ndahet robit derisa ta bëjë të ecë mbi tokë ndërsa nuk do të ketë asnjë mëkat!“
Në këtë hadith ka disa gjëra shumë me rëndësi që e forcojnë besimtarin:
1) Sprova qenka më shumë përshkrim i të mirëve se sa të këqijve
2) Qëllimi i sprovës qenka pastrimi nga mëkatet
3) Sprova paska fund. Në pjesën e fundit të hadithit pamë se si Muhammedi [alejhis salatu ves selam] e përshkruan njeriun se do të ecë mbi tokë ndërsa nuk ka asnjë mëkat, që nënkupton se belaja do të merr fund, ai do t’i kthehet normalitetit.
Lutja dhe përgjërimi
Prej gjërave tjera, që e forcojnë besimtarin përballë sprovave, është edhe lutja. Njeriu nëse nuk është i pavarur nga njerëzit si mund të jetë i tillë nga Allahu i Madhëruar. Pra, ai ka nevojë për Allahun çdoherë, e sidomos në këto kohë të vështira, kur mundësia e devijimit është e madhe. Kështu jemi mësuar dhe ky është mësim i trashëguar nga historia. Allahu duke na rrëfyer për tiparet e besimtarëve thotë:
“Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na drejtove, na dhuro mëshirën Tënde, pse vetëm Ti je dhuruesi i madh”.“ (Ali Imran, 8)
…thanë: “Zoti ynë! Na dhuro durim! Na i përforco këmbët tona dhe na ndihmo kundër pabesimtarëve!“ (el-Bekare, 250)
Pra, ata kanë konceptet e tyre për sprovën: e dinë esencën e saj, por meqë mund të ketë pasoja, atëherë luten për ndihmë nga Allahu i Madhëruar.
Veprimi konform platformës
Sprova ndonjëherë mund të ketë efekte negative për shkak të trajtimit të gabuar të saj. Myslimanët janë të thirrur që veprimet e tyre t’i koordinojnë në përputhje të plotë me mësimet fetare. Ata duhen të jenë në kontakt me dijetarët, gjë që iu është kërkuar edhe nga Allahu i Madhëruar. Sprovat kanë përshkrimet e tyre si dhe ilaçin adekuat. Besimtari që përfillë këtë program, ai nuk devijon. Kur Herakliu u takua me Ebu Sufjanin e pyeti për shumë gjëra përkitazi me Muhammedin [alejhis salatu ves selam] dhe pasuesit e tij, ndër të cilat edhe këtë: A ndodhë që ndonjëri prej atyre që e kanë pranuar fenë me kënaqësi, ta lëshojë atë për shkak të inatit ndaj saj? Jo – iu përgjigj Ebu Sufjani. Herakliu këtë e komentoi kësisoj: Kështu është puna me besimin kur shkëlqimi i tij përzihet me zemrën!
Pra, nëse je me besim të fortë, të qëndrueshëm, nëse imani shndrit zemrën tënde, atëherë sprovat nuk kanë ndonjë rrezik.
Dituria për të kotën
Prej gjërave që mbrojnë nga sprovat është edhe dituria për esencën e së kotës. Ndonjëherë njeriu sheh ata që nuk e adhurojnë Allahun e Madhëruar tek dëfrehen me të mira në këtë botë por harron se ato janë vetëm mashtrim për ta. Besimtari nuk guxon të lakmojë në gjëra të tilla ngase fundi i tyre i keq është i pashmangshëm. Ka thënë Allahu i Madhëruar:
Të mos mashtrojë bredhja nëpër qytete e atyre që nuk besuan.“ (Ali Imran, 196)
Po kështu, në Kur’an, nga e kaluara, na rrëfente dhe rasti i një grupi njerëzish, të cilët gati sa nuk e pësuan për shkak të lakmisë ndaj dynjasë. Kur panë Karunin dhe stolitë e tij, lajmuan, por, kur mësuan për fundin e tij, që nuk zgjati edhe shumë, u penduan.
80. E ata që ishin të zotët e diturisë thanë: “Të mjerët ju, shpërblimi i All-llahut është shumë më i mirë për atë që besoi dhe bëri vepër të mirë, po atë nuk mund ta arrijë kush përveç të durueshmëve!” 81. Po Ne atë dhe pallatin e tij i shafuam në tokë dhe veç All-llahut nuk pati që ta mbrojë, e as vetë nuk pati mundësi të mbrohet. 82. E ata që dje lakmuan të ishin në vendin e tij, filluan të thonë: “A nuk shihni se All-llahu me të vërtetë i jep begati e komoditet atij që do nga robërit e vet, e edhe ia mungon atë atij që do, e sikur All-llahu të mos bënte mëshirë ndaj nesh, do të na sharronte në tokë edhe neve; sa habi, se si jobesimtarët nuk gjejnë shpëtim!”“ (el-Kasas, 80-82)
Bindja në ngadhënjimin
Pra, besimtari nuk guxon të mashtrohet nga gjërat që janë të ndryshueshme. Ai duhet të bindet se e vërteta mund të vonon, por jo edhe të mos vijë. Allahu i Madhëruar ka thënë:
All-llahu ka përcaktuar (shkruar në Levhi Mahfudh): “Unë dhe të dërguarit e Mi patjetër do të ngadhënjejmë!” All-llahu është i fortë, ngadhënjyes.“ (el-Muxhadele, 21)
Ndërsa Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
“إِنَّ اللَّهَ زَوَى لِي الْأَرْضَ فَرَأَيْتُ مَشَارِقَهَا وَمَغَارِبَهَا وَإِنَّ أُمَّتِي سَيَبْلُغُ مُلْكُهَا مَا زُوِيَ لِي مِنْهَا
Vërtetë, Allahu ma ofroi botën afër kështu që pashë lindjen dhe perëndimin e saj. Vërtetë, pushteti i Ummetit tim do të arrijë krejt ato vende që pashë!” (Muslimi)

Burimi:
sedatislami.com
Bazuar kryesisht në artikullin ‘Vesailu-th-thebat emame-l-mugrejat ve-l-mutegajjirat’ të Dr. Enver Ebu Zejd.

Must Read