BallinaARTIKUJKuran dhe TefsirMësimet dhe mirësitë e leximit të Kaptinës Kehf në ditën e Xhuma

Mësimet dhe mirësitë e leximit të Kaptinës Kehf në ditën e Xhuma

 

Mësimet dhe mirësitë e leximit të Kaptinës Kehf në ditën e Xhuma

Çdo herë e lexojmë kaptinën Kehf ditën e xhuma, por për fat të keq shumica nuk e dinë urtësinë dhe mirësinë e leximit të saj.


Realiteti është se shumë është folur për këtë sure të Kuranit, e unë kam zgjedhur t’iu sjellë shkurtimisht diçka të bukur rreth saj…


Kur’ani është fjalë e Allahut të Lartësuar që i ka zbritur Muhamedit alejhi selam, dhe ajo është një mrekulli e përjetshme, Muhamedi alejhi selam ka thënë: “më i mirë prej jush është ai që mëson Kuranin dhe ua mëson të tjerëve”. ( Sahihul Buhari)

Të mësojmë më shumë rreth kësaj sure…


Surja Kehf është sure Mekase dhe është njëra nga pesë suret që fillojnë me Elhamdulilah – falënderimi i takon Allahut, e ato janë: Fatiha, En’am, Kehf, Sebe dhe Fatir.

Në këtë sure janë përmendur katër tregime Kur’anore e ato janë:

a) Tregimi për banorët e shpellës;
b) Tregimi për pronarin e të dy kopshteve;
c) Tregimi për Musaun dhe Hidrin alejhima selam; dhe
d) Tregimi për Dhulkarnejnin.

Kjo sure ka mirësi të cilat na ka treguar Muhamedi, alejhi selam në një hadith ku thotë:


a) “Kush e lexon suren Kehf natën e xhuma, i bëhet dritë (në një distancë) prej tij deri në Qabe”. (Transmeton Darimiu, Sahihul Xhami’ )
b) “Kush e lexon suren Kehf ditën e xhuma, i bëhet dritë atij ndërmjet dy xhumave.”. (Transmeton Hakimi dhe Bejhekiu, Sahihul Xhami’ )

Katër tregimet e sures Kehf i lidhë një bosht kryesorë e ato janë katër sprovat në këtë botë:


a) Sprova në fe (tregimi i banorëve të shpellës).
b) Sprova në pasuri (tregimi i pronarit të dy kopshteve).
c) Sprova në dituri (tregimi i Musës dhe Hidrit ).
d) Sprova në pushtet (tregimi i Dhulkarnejnit).

Këto sprova janë të rënda mbi njerëzit dhe lëvizësi kryesorë i tyre është djalli i cili i zbukuron këto sprova, për këtë ka ardhur ajeti Kur’anor: 


“Dhe kur u thamë engjëjve “përuluni Ademit, e ata iu përulën përpos Iblisit. Ai ishte nga xhinët, prandaj nuk respektoi urdhrin e Zotit të vet. Vallë, a në vend Timin do ta merrni për mik atë dhe pasardhësit e tij, ndërsa ata janë armiq tuaj?”


Për këtë Muhamedi, alejhi selam ka thënë se kush e lexon këtë e ka mbrojtur Allahu nga sprova e Dexhallit sepse ai vjen me këto katër sprova tek njerëzit.


Muhamedi, alejhi selam në namaz kërkonte mbrojtje nga këto katër gjëra, e njëra nga këto ishte edhe mbrojtja nga Dexhalli.


Të gjitha tregimet e kaptinës Kehf flasin për njërën nga këto katër sprova, e pas saj vjen mbrojtja nga ato:


1- Sprova në fe: tregimi i djelmoshave që kanë ikur nga mbreti i padrejtë për të ruajtur fenë e tyre dhe kështu duke ia mësyer shpellës ku dhe aty u ndodhi mrekullia, djelmoshat qëndruan 309 vite.

Allahu ka thënë: 
“Përkufizoje veten tënde me ata që lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje, e që kanë për qëllim kënaqësinë (razinë) e Tij, dhe mos i hiq sytë e tu prej tyre e të kërkosh bukurinë e kësaj bote dhe mos iu bind atij që ia kemi shmangur zemrën e tij prej përkujtimit ndaj Nesh dhe i është dhënë epshit të vet, pse puna e tij ka mbaruar. E, ti thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë. Ne kemi përgatitur për jobesimtarët zjarr që muret e tij (të flakës) i rrethojnë ata, e nëse kërkojnë shpëtim, ndihmohen me një ujë si katran që përzhit fytyrat. E shëmtuar është ajo pije, e vend i keq është ai”. (Kehf, 28-29)


Mbrojtja nga sprova në fe arrihet me shoqëri të shëndoshë dhe përkujtim të botës tjetër.

2- Sprova në pasuri: tregimi i pronarit të dy kopshteve të cilit Allahu i ka dhënë çdo gjë, mirëpo ai mohoi dhuntitë e Allahut dhe ringjalljen, kështu që Allahu ia shkatërroi ato.


Pastaj vjen mbrojtja nga kjo sprovë…: 


E ti (Muhamed) paraqitja atyre shembullin e kësaj bote që është si një ujë (shi) që Ne e lëshojmë nga qielli, e prej tij bima e tokës zhvillohet e shpeshtohet sa që përzihet mes vete, e pas pak ajo bëhet byk (pas tharjes) që e shpërndajnë erërat. Allahu ka fuqi për çdo send. Pasuria dhe fëmijët janë stoli e kësaj bote, kurse veprat e mira (fryti i të cilave është i përjetshëm) janë shpërblimi më i mirë te Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë. (Kehf 45-46)

Mbrojtja nga sprova në pasuri arrihet me kuptimin e realitetit të kësaj bote dhe përkujtimin e botës tjetër.

3- Sprova në dituri: tregimi i Musës me Hidrin. Musa, alejhi selam mendonte se është më i dituri në tokë, e Allahu e inspiroi se dikush është më i ditur se ai, pastaj shkoi ta takoj dhe të mësoj prej tij, por nuk mundi të bëjë durim në atë që Hidri vepronte sepse nuk e kuptonte urtësinë e veprimeve të tij, sepse ai shikonte vetëm anën e jashtme.


Vjen ajeti i mbrojtjes nga kjo sprovë: 


“(Musau) Tha: “Në dashtë Allahu, do të shohësh se do të jem i durueshëm dhe nuk do të kundërshtoj ty asgjë!” (Kehf 69)

Mbrojtja nga sprova në dituri është modestia dhe të mos biesh në kurthin e vetëpëlqimit.

4- Sprova në pushtet: tregimi i Dhulkarnejnit i cili ishte mbret i drejtë dhe që posedonte dituri, lëvizte prej lindjes në perëndim thërriste në rrugën e Allahut dhe përhapte të mirën, derisa arriti tek një popull i cili frikohej nga sulmi i Jexhuxhëve dhe Mexhuxhëve, i ndihmoi në ndërtimin e pengesës për t’i parandaluar ata, dhe ajo ende vazhdon të jetë e ngritur edhe sot.

Vjen ajeti i mbrojtjes: 


“Thuaj: “A t’ju tregojmë për më të dëshpëruarit në veprat e tyre?” Ata janë veprimi i të cilëve u asgjësua në jetën e kësaj bote, e megjithatë ata mendojnë se janë kah bëjnë mirë.” (Kehf 103-104)

Mbrojtja nga sprova në pushtet është me sinqeritet për Allahun në punë dhe duke përkujtuar botën tjetër.


Përfundimi i kaptinës: ajeti i fundit nga kaptina Kehf i kushton rëndësi mbrojtjes së plotë nga sprovat duke përkujtuar botën tjetër: 


“Thuaj: “Unë jam vetëm njeri, sikurse ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj, e kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos përziejë askënd.” (Kehf 110)

Atëherë të punojmë punë të mira dhe të sinqerta për Allahun ashtu që të na pranohen.

Përshtati: Valdet KAMBERI

Burimi: www.islamifejaevertete.com

 

 

Must Read