BallinaARTIKUJKuran dhe TefsirDISA GJËRA RRETH PROFETËVE TË ZOTIT

DISA GJËRA RRETH PROFETËVE TË ZOTIT

DIÇKA RRETH PROFETËVE TË ZOTIT

Allahu u lartësuar thotë: “Këta janë të dërguarit. Disa prej tyre i dalluam nga të tjerët. Pati prej tyre të cilëve Allahu u foli, e disa i ngriti në shkallë më të lartë. Isait, birit të Merjemes, i dhamë shenja dhe e përforcuam me Shpirtin e Shenjtë. Sikur të donte Allahu, ata që jetuan pas tyre nuk do të luftonin mes njëri-tjetrit pasi u kishin ardhur më parë shenjat hyjnore. Megjithatë, ata u përçanë. Prej tyre pati që besuan, pati edhe që nuk besuan. Sikur të dëshironte Allahu, ata nuk do të luftonin mes njëri-tjetrit, por Allahu vepron çka dëshiron.” El Bekare, 253.

Shpjegimi i ajetit

– “Këta janë të dërguarit. Disa prej tyre i dalluam nga të tjerët. Pati prej tyre të cilëve Allahu u foli, e disa i ngriti në shkallë më të lartë.”

Kështu, Allahu i Lartësuar na tregon se Ai i ka dalluar disa profetë mbi disa të tjerë. Allahu i dalloi profetët mbi njerëzit e tjerë me Shpalljen hyjnore që u zbriti dhe duke i dërguar ata si ftues të popujve në adhurimin e Allahut të vetëm. Pastaj, Allahu i Lartësuar i dalloi disa prej këtyre profetëve mbi disa të tjerë, me disa veçori. Ai i bëri ata shumë të dobishëm për njerëzimin. Disave prej tyre, Ai u foli drejtpërdrejt, pa ndërmjetësinë e engjëllit Xhibril, sikurse i foli Musait, të birit të Imranit (alejhi selam). Ndërsa Profetin e fundit, Muhamedin (alejhi selam), e lartësoi mbi të gjithë. Tek ai u bashkuan të gjitha cilësitë e vyera që gjendeshin të shpërndara në profetët e tjerë. Cilësitë e tij e ngritën famën dhe madhështinë e tij mbi të parët dhe të fundit.

– “Isait, birit të Merjemes, i dhamë shenja…”

Allahu i Lartësuar i dhuroi Isait (alejhi selam) shenja dhe mrekulli të qarta, që dëshmonin bindshëm se ai ishte profet i zgjedhur i Tij. Ato tregonin, gjithashtu, se Isai ishte një adhurues i madh i Zotit. Isai (alejhi selam) ishte rezultat i fjalës (Bëhu!) së Allahut të Lartësuar drejtuar Merjemes. Ai ishte një prej shpirtrave (njerëzve) që Allahu i Lartësuar e krijoi në mënyrë të mrekullueshme.

– “…dhe e përforcuam me Shpirtin e Shenjtë.”

Allahu i Lartësuar e pajisi Isain (alejhi selam) me “Rûĥul Ķudus” – Shpirtin e Shenjtë. Rreth fjalës “Rûĥul Ķudus”, dijetarët kanë dhënë dy shpjegime, si:

1. Rûĥul Ķudus quhet besimi i fortë dhe siguria tek Allahu, me të cilët Ai e fuqizoi Isain (alejhi selam).
2. Rûĥul Ķudus quhet engjëlli Xhibril (alejhi selam). Pra, sipas këtij shpjegimi, Allahu i Lartësuar e fuqizoi Isain (alejhi selam) duke urdhëruar Xhibrilin (alejhi selam) që të qëndronte pranë tij, si ndihmë dhe mbështetje për të. Në fakt, Xhibrili (alejhi selam) i qëndronte vazhdimisht pranë Isait (alejhi selam) dhe e ndihmonte atë, me urdhrin e Zotit të gjithësisë.

– “Sikur të donte Allahu, ata që jetuan pas tyre nuk do të luftonin mes njëri-tjetrit pasi u kishin ardhur më parë argumentet.”

Pas qartësimit të së vërtetës, njerëzit duhej të bashkoheshin të gjithë rreth saj, por nuk ndodhi kështu, sepse ata e kundërshtuan atë padrejtësisht:

– “Megjithatë, ata u përçanë. Prej tyre pati që besuan, pati edhe që nuk besuan. Sikur të dëshironte Allahu, ata nuk do të luftonin mes njëri-tjetrit…”

Kështu, si rezultat i kundërshtimit dhe devijimit nga e vërteta, erdhi përçarja dhe armiqësia mes tyre. Largimi nga e vërteta solli urrejtjen dhe luftërat e padrejta. Por megjithëse largimi nga e vërteta është shkak shumë i fortë që sjell urrejtjen dhe luftën, nëse Allahu i Lartësuar do të dëshironte që kjo të mos ndodhte, ajo kurrë nuk do të ndodhte. Kjo tregon se dëshira dhe urtësia e Allahut të Lartësuar qëndrojnë mbi shkaqet. Shkaqet sjellin pasojat vetëm kur nuk bien ndesh me dëshirën dhe përcaktimin e urtë dhe të drejtë të Krijuesit. Nëse dëshira dhe urtësia e Zotit kanë vendosur për diçka të caktuar, atëherë çdo shkak bëhet i pavlefshëm. Asgjë nuk mund të sjellë në ekzistencë të kundërtën e asaj që Zoti e përcakton të jetë, me urtësinë dhe drejtësinë e Tij. Prandaj i Madhëruari thotë:

– “…por Allahu vepron çka dëshiron.”

Dëshira e Tij është mbisunduese. Përcaktimi i Tij është i padiskutueshëm. Ky ajet dhe ajete të tjera të ngjashme me të tregojnë se Allahu i Lartësuar përherë ka qenë, është dhe do të jetë dëshirues dhe veprues i çdo gjëje, sipas drejtësisë dhe urtësisë së Tij. Prej atyre gjërave që Ai bën janë edhe ato veprime rreth të cilave Allahu i Lartësuar na ka treguar në Librin e Tij dhe nëpërmjet Profetit të Tij. Në to është sqaruar se Allahu i Lartësuar ngjitet lart, zbret (në qiellin e dynjasë) apo edhe që flet. Pra, Allahu i Lartësuar na ka njoftuar për Veten e Tij, edhe Profeti (alejhi selam) na ka njoftuar rreth Zotit të Tij, se Ai flet dhe vepron me ato lloj fjalësh dhe veprash, që njerëzit janë mësuar t’i quajnë “veprime me vetëdije”.

Këtu nuk mund të lëmë pa përmendur një dobi të rëndësishme. Një individ i përgjegjshëm ligjërisht, ashtu siç e ka detyrë që ta njohë Zotin e tij, po ashtu është i detyruar që të njohë edhe profetët e Zotit. Ai duhet të dijë hollësisht se çfarë cilësish dhe karakteristikash kanë patur profetët, çfarë duhet të besojmë për ta, e çfarë jo. Dija rreth tyre lejohet të merret veçse nëpërmjet informacionit të sigurt që kemi marrë prej Zotit në librat e shenjtë (të pacenuar në origjinalitetin e tyre). Përshkrimi i tyre është, gjithashtu, i qartë në shumë ajete të Kuranit. Prej tyre, mund të përmendim shkurtimisht disa karakteristika:

1. Profetët kanë qenë vetëm burra, e asnjëherë femra.

2. Ata kanë qenë gjithmonë banorë të rregullt të qendrave të banimit, e jo endacakë.

3. Ata kanë qenë të dalluar mes njerëzve, për cilësitë e tyre të mrekullueshme.

4. Ata kanë qenë të ruajtur nga çdo cilësi që do të cenonte vërtetësinë e të qenurit të tyre profetë dhe të zgjedhur të Zotit mbi njerëzit e tjerë. Kështu, nuk mund të gjesh ndonjë profet që ka qenë gënjeshtar, tradhtar, shkelës premtimesh apo që të ketë fshehur të vërtetën e sjellë prej Zotit të tij. Ata kanë qenë të ruajtur nga mangësitë e turpshme dhe të rënda.

5. Ata nuk mund të miratoheshin nga Zoti i gjithësisë nëse gabonin në çështje që lidheshin me urdhëresat dhe ligjet e Tij.

6. Allahu i Lartësuar i veçoi dhe i përzgjodhi ata për t’u shpallur udhëzimin hyjnor për njerëzimin. Për këtë arsye, është detyrë që të besojmë gjithçka që ata kanë thënë. Është detyrë
që t’u bindemi çdo urdhri a ndalese të tyre. Kush nuk i beson profetët ka bërë kufër dhe konsiderohet si qafir. Ai që cenon sadopak figurën e ndonjërit prej tyre është gjithashtu qafir, që dënohet sipas Sheriatit Islam. Argumentet për këto që përmendëm janë të shumta. Çdokush që mediton në Kuran i bëhet e qartë e vërteta.

Tefsiri i Sadit
Përktheu: Uthman Agolli

Must Read