Në saje të sures “IKRA”
Me Emrin e Zotit Bamirës, Mëshirëplotë. Lexo! Me Emrin e Zotit tënd që krijoi, / njeriun n’embrion e krijoi. / Lexo! Yt Zot, Më Bujari, / Ai që shkrimin ia mësoi, / njeriut të paditurën ia mësoi. Por njeriu rebelon / kur mendon se vetëmjafton; / te yt Zot në kthim shkon. / E sheh kë ndalon / robin kur falet? / E sheh në është në udhë të drejtë / a porosit devocion? / E sheh, nëse mohon e largohet, / nuk e di që Zoti vështron? / Jo, jo! Do ta zëmë te balli nëse nuk ndalon, / ballë gënjeshtar e mëkatar. / Dhe le të thërrasë këshillin e tij! / Ne thërrasim engjëjt zebanij. / Jo, jo, mos iu bind atij! Falju Zotit dhe afrohu! (1-19) Kjo sure zbriti gjatë Periudhës së Mekës dhe ka 19 ajete.
Gjatë muajit Ramazan që ishte për arabët muaj spiritual edhe para Islamit, Muhamedi atëherë te dyzetat, tërhiqej në rrethinat e Mekës, pranë guvës Hira në Malin e Dritës (Xhebel el Nur). Aty meditonte e i lutej Zotit. Lindur e rritur jetim, Muhamedi i përkiste familjes së Hashimëve në fisin e madh të Kurejshëve, të njohur ndër arabët si kujdestarë të Qabesë. Që në moshë të re, mekasit e thërrisnin Muhamedin “El Emin” (Besniku) për moralin dhe besnikërinë e tij. Në shtëpinë e ungjit, Ebu Talibit, Muhamedi, bashkë me të kushërinjtë kulloste delet e dhitë, ose merrte pjesë në punët e tjera të familjes. Por mekasit nuk ishin beduinë nomadë; ata qenë qytetas, merreshin me tregti e zeje, organizonin panaire dhe prisnin e përcillnin pelegrinë, që vinin “nga luginat e thella, më këmbë e mbi deve gërmuqe.” (Kurani, 22: 27) Tregtia ishte jetesë për mekasit. Me prodhimet e tyre në natyrë ata merrnin rrugët e gjata të Sirisë e Jemenit për të blerë pëlhurë, mëndafsh, erëza dhe artikuj artizanalë. Kur ishte ende i vogël, i ungji e pati marrë Muhamedin te një karvan për në Damask. Më vonë Hadixheja një grua e ve dhe e pasur do t’ia besonte mallrat e saj, por Muhamedi nuk ka pasë tregtuar për vete. Edhe kur Hadixheja i propozoi për martesë dhe ai u bashkua me të, Muhamedi bënte bamirësi me mallin e së shoqes.
Sikundër i gjyshi, Abdulmuttalibi, i cili pati qenë kujdestari i Qabesë kur Ebreha, sundimtari i krishterë i Jemenit erdhi me ushtri dhe elefantë për të shkatërruar tempullin e shenjtë të arabëve. Muhamedi nuk besonte në idhujt, por Zotin Një, në besimin monoteist të Ibrahimit dhe Ismailit. Në kohën e tij kishte një tendencë për t’iu rikthyer traditës së Ibrahimit. Bartësit e kësaj tendence quheshin “ahnaf” ose hanifë, të drejtë e të vendosur (në besimin te një Zot).
Zoti thotë në Kuran: “Në të pyesin robërit e Mi për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem thirrjes së thirrësit kur Më thërret. Le të Më përgjigjen e të Më besojnë që të mund të udhëhiqen drejtë.” (2: 186) Kështu, një natë Ramazani të vitit 610 e.r., thuhet, të shtatëmbëdhjetën natë[1], ndërsa i lutej Zotit në vetmi Muhamedit (Paqja qoftë me të!) iu shfaq në qiell një dritë: “…një fuqi e rreptë, / me intelekt. Dhe u përqendrua / në horizontin e lartë, / pastaj u afrua dhe zbriti / sa dy harqe a më pranë.” (53: 5-9) I thirri: “Lexo!” Muhamedi iu përgjigj i frikësuar: “Nuk di të lexoj.” E ndrydhi fort, pastaj e lëshoi. I thirri përsëri: “Lexo!” Muhamedi iu përgjigj: “Nuk di të lexoj.” Së treti kumbuan fjalët: Ikre! Bismi Rabbikel ledhi halek’. Halekal insane min alek. Ikre ue Rabbukel ekrem’. El ledhi al-leme bil kalem. Al lemel insane ma lem ja’lem. Lexo! Me Emrin e Zotit tënd që krijoi, / njeriun n’embrion e krijoi. / Lexo! Yt Zot, Më Bujari, / Ai që shkrimin ia mësoi, / njeriut të paditurën ia mësoi. (96: 1-5)
“Ikre!”, lexo, recito fjalët që të komunikohen; lexo, studio, gjithashtu, në Librin e Gjithësisë, duke filluar me Emrin e Zotit që është krijues. Me këto fjalë hapet platforma e fesë së re, për kohët e reja. Një i ashtuquajtur profet nuk do ta kishte shpallur frymëzimin e tij me këto fjalë, por me himne e lëvdata. Në vazhdim Zoti krijues me cilësinë më thelbësore të Tij, nuk thotë se e krijoi njeriun nga balta, siç e përmend në mënyrë të figurshme duke bërë krahasim me poçarin që i jep enës formë, as se e krijoi nga uji, që në Kuran, një mijë e katërqind vjet më parë, përcaktohet qartë si baza e jetës, por thotë se e krijoi nga embrioni, pika e gjakut, ku ngjizet fara e jetës.
Zoti është bujar, “Më Bujari” në arabisht, për të vënë në dukje shkallën superiore, prandaj e mësoi atë të shkruajë (fjalë për fjalë: me penë) dhe ia mësoi të paditurën, duke e aftësuar mbi të gjitha krijesat, edhe se engjëjt. Pra, në këto pesë vargje të shkurtra me të cilat fillon Kurani, theksohen studimi, krijimi dhe dija.
Me mësimet e Kuranit arabët nuk u veçuan nga bota, por u integruan në të, përtërinë dijet e fjetura nga civilizimet greke e romake dhe dhanë kontributin e tyre në matematikë, kimi, mjekësi, astronomi, gjeodezi e lundrim; ndërtuan rrugë dhe sisteme vaditëse, eksploruan vende të panjohura për Mesdheun duke lundruar deri në Polinezi e Karaibe; ngritën observatorë e qendra kërkimi, përdorën sistemin bankar në të katër anët e kalifatit, hapën biblioteka e universitete, nga Bagdadi deri në Spanjë, ku jepnin mësim e studionin muslimanë, të krishterë e hebrenj dhe prej nga filloi Rilindja Evropiane e u hodhën bazat e iluminizmit. Ato vepra që kanë mbetur sot në Spanjë nga koha e arabëve, reflektojnë shkëlqimin e civilizimit islam. Rruga e suksesit qëndron, me ndihmën e Zotit, pikërisht te integrimi.
Me të mbaruar kumtesa, Muhamedi u kthye në shtëpi i tronditur. I tha së shoqes, Hadixhesë:“Mbulomë! Mbulomë!” Kohë më pas, engjëlli i erdhi përsëri e i tha: “O i mbuluar! / Ngrehu e lajmëro, / Zotin tënd madhëro, / petkat tua i pastro, / të papastrës iu largo; / në jep, më shumë mos kërko; / për tët Zot duro!” [2] (74: 1-7) Këtu, “e papastra” (e pamoralshmja) është idhujtaria me zakonet barbare; më tej: nëse bën një të mirë, mos kërko të përfitosh interes prej saj dhe qëndro i vendosur te Zoti.
Hadixheja e njihte prej kohësh Muhamedin për vërtetësinë e fjalëve të tij dhe e besoi. Por ata nuk mund ta shpjegonin ç’ishte në të vërtetë kjo që ndodhi: vizion apo realitet. Të nesërmen shkuan te Veraka ibën Neufal, një i moshuar, kushëri i largët i Hadixhesë, që njihte Biblën dhe qe bërë i krishterë. Nga pleqëria, Verakan e patën lënë sytë. Kur dëgjoi ngjarjen tha, se po të ishte gjallë do ta shihte atë të përzënë nga populli i vet dhe se kjo ndodhte me profetët. Muhamedin e besuan disa nga njerëzit e tij më të afërt: i biri i ungjit, Aliu, por ai ishte ende i vogël, Zejdi, një rob që Hadixheja ia pati dhuruar të shoqit me rastin e martesës, ndërsa ai i dha lirinë dhe më vonë e birësoi, Ebu Bekri, shoku, miku dhe bashkudhëtari i tij më i afërt, një pasanik i njohur ndër mekasit për dije e bamirësi.
Qabja ose Qabeja (El Qa’beh), që do të thotë: “Kubi” është një ndërtesë me katër faqe muri, 13,1 m. e lartë; 11,3 dhe 12,86 m. dimensionet në bazë. Zoti thotë në Kuran: “E para shtëpi që u caktua për njerëzit është ajo në Bekkeh[3], e bekuar dhe drejtim për botët[4].” (3: 96) Sipas studiuesve Profeti Ibrahim dhe i biri Ismaili, ngritën themelet e Qabes rreth vitit 2030 para erës së re, ndërsa tempulli i Solomonit në Jerusalem ka përfunduar më 1007 p.e.r. Në shekullin e dytë të erës sonë, Ptolemeu e përmend Mekën me emrin Makoraba, si një vendbanim në jug të Arabisë me një tempull adhurimi.
Duke iu rikthyer rrugës që ndoqi Ibrahimi, Zoti përmend në Kuran: “Kur e bëmë Shtëpinë strehim e siguri për njerëzit: “Merrni vendndodhjen e Ibrahimit për vendkulti!”- ua besuam Ibrahimit dhe Ismailit ta pastronin Shtëpinë Time për ata që i sillen qark, që ngujohen[5], që përkulen e përulen[6].” (2: 125) Si Ibrahimi dhe profetët para e pas tij, edhe Muhamedi (paqja qoftë me të) erdhi me misionin “ta pastronte” besimin e njerëzve nga idhujtaria dhe traditat barbare në besimin te një zot dhe veprat e mira. Ne nuk shohim ndonjë shkëputje në Kuran mes besimit dhe veprës. Në këtë këndvështrim trajtohet gjithë historia e profetëve dhe ky përbën boshtin ideor të Kuranit rreth të cilit ndërtohet tematika e tij me problemet e veçanta të individit, familjes e shoqërisë, të luftës e paqes, të pasionit e ndërgjegjes, të kësaj bote dhe së ardhmes, për ta ndërgjegjësuar njeriun në qëllimin e jetës.
Në paragrafin e dytë të sures, njeriu që “ndalon robin kur falet” është kryetari i fisit të kurejshëve, Amër ibën Hishami, i mbiquajtur Ebu Xhehël, Ati i Injorancës, duke nënkuptuar me këtë fjalë kohën paraislamike të barbarisë (padijes). Kur Muhamedi alejhi salatu ue selam doli në Qabe dhe nisi t’i falej Zotit me krye në tokë, Ebu Xhehli kërcënoi se do ta shkelte me këmbë. Këtë, sepse ai po dilte kundër besimit dhe traditës së të parëve. Kurejshët, edhe besonin Allahun, Zotin e Gjithësisë, edhe u faleshin idhujve. Pastaj Muhamedi po fliste për barazi të njerëzve para Zotit, për mirëtrajtimin e robit, jetimit e të varfrit dhe për dhënien llogari Ditën e Gjykimit. Kërcënimit të Ebu Xhehlit, Zoti i përgjigjet me engjëjt zebanij – rojat e ferrit.
Megjithëse paragrafët e këtij kreu janë në një interval kohe prej më se dy vjetësh, kanë mes tyre vazhdimësi e lidhje organike. Vendosjen e ajeteve në sure e bënte vetë Profeti i Shenjtë, me frymëzimin e Zotit, ndërsa ndjekësit e tij i mësonin përmendësh ose i shkruanin në pergamenë. Shkruesi i tij, Zejd ibën Thabit, mbante kopje të sureve që vinin. Komunikimi i Kuranit vazhdoi për njëzetë e tre vjet duke përcjellë bashkësinë e re të besimtarëve nga një gjendje në tjetrën. Këto pasqyrohen në Kuran, në përmbajtje dhe mjetet artistike të përdorura. Sepse Kurani nuk është një libër lutjesh e përsiatjesh, por vërejtje e sqarim, udhëzim e drejtim, këshillë për besimtarët dhe një platformë për shoqërinë. Sepse Kurani u foli njerëzve dhe ata e ndoqën.
(Pjesë nga një përmbledhje në punë e sipër për Kuranin e Shenjtë. Sipas shqipërimit të bërë nga Myfti Salih Ferhat Hoxha)
K. S. Hoxha – Burimi: Albislam.com