BallinaARTIKUJHadith dhe SunetUdhëzimi profetik për parandalimin e epidemisë

Udhëzimi profetik për parandalimin e epidemisë

Udhëzimi profetik për parandalimin e epidemisë.

Ky udhëzim është dy llojesh:
Së pari: marrja e shkaqeve konkrete për parandalimin e kësaj epidemie:
a) I Dërguari i Allahut صلى الله عليه وسلم ka urdhëruar të mos hyjmë në një vend në të cilin ndodhen sëmundje të tilla, thotë صلى الله عليه وسلم: “Nëse dëgjoni se murtaja ka rënë në ndonjë vend, mos shkoni aty. E nëse ju jeni në atë vend, atëherë mos dilni prej tij”. Buhariu (5728)
Kjo është masa parandaluese për të cilën porositi i Dërguari i Allahut para 14 shekujve, e që sot “mjekësia moderne” këtë e praktikon dhe rekomanon me rastin e koronavirusit!

b) I infektuari nga epidemia nuk duhet afruar të shëndetshmit, ashtu që të mos përhapet kjo sëmundje më tepër.
I Dërguari i Allahut صلى الله عليه وسلم ka thënë: “Mos të përzihet i sëmuri me të shëndetshmin”. Buhariu (5774)
Kjo gjithnjë duke u kujdesur në marrjen e shkaqeve parandaluese dhe kjo nuk bie në kundërshtim me atë se çdo gjë ndodh me caktimin e Allahut sepse edhe kjo epidemi, ky virus, është shkak që e ka krijuar Allahu, i cili nuk mund t’i bëjë dëm askujt pa lejen e Tij.

c) Kujdesi për pastërtinë ndihmon në parandalimin e koronavirusit, sidomos pastrimi i duarve dhe hundës, e kjo realizohet më së miri përmes abdesit i cili merret së paku pesë herë në ditë.
I Dërguari i Allahut صلى الله عليه وسلم ka thënë: “Pastërtia është gjysma e besimit”. Muslimi (223)
Në një transmetim tjetër, thotë: “Abdesi është gjysma e besimit”. Tirmidhiu (3517)

Së dyti: Kujdesi për kryerjen e adhurimeve dhe lutjeve profetike të cilat janë shkak për mbrojtje nga çdo e keqe, edhe nga koronavirusi me lejen e Allahut, prej tyre:

a) Kujdesi për namazin dhe falja e tij në kohë.
I Dërguari i Allahut صلى الله عليه وسلم ka thënë: “Kush e fal namazin e sabahut, ai është nën mbrojtje (sigurim) të Allahut”. Muslimi (657)

b) I Dërguari i Allahut صلى الله عليه وسلم ka thënë: “Kur dikush prej jush zbret apo hyn në një vend, le të thotë 《E’udhu bi kelimatil-lahit-tammati min sherri ma khaleka》 (Kërkoj mbrojtje me fjalët e përsosura të Allahut prej së keqes së çdo gjëje që Ai ka krijuar). Ngase, kush e thotë këtë lutje, nuk do ta dëmtojë atë asgjë derisa të
largohet nga ai vend”. Muslimi (2708)

c) I Dërguari i Allahut صلى الله عليه وسلم ka thënë: “Kush e thotë këtë thënie (lutje): 《Bismil-lahil-ledhi la jedurr-rru me’asmihi shej’un fil erdi ue la fis- semai ue hues-Semi’ul ‘Alim》. (Me emrin e Allahut, me përmendjen e të Cilit nuk mund të bëjë dëm asgjë në tokë dhe as në qiell. Allahu është Dëgjues, i Cili dëgjon çdo gjë dhe i Dijshëm për gjithçka!)
Tri herë në mëngjes dhe tri herë në mbrëmje, atij nuk do t’i bëjë dëm asgjë”. Hadithi është i saktë.
d) Abdullah ibn Hubejb (Allahu qoftë i kënaqur me të) tha: Më tha mua i Dërguari i Allahut صلى الله عليه وسلم : “Lexo suren:《Kul huvAllahu ehad》 dhe dy suret e fundit, Felek-un dhe Nas-in, në mbrëmje dhe në mëngjes, nga tri herë, të mjaftojnë për çdo gjë”. Hadithi është i saktë.
e) Leximi i ajetul kursisë (tesbih doves) në çdo kohë.
h) Leximi i dy ajeteve të fundit të sures Bekare. I Dërguari i Allahut thotë: “Kush i lexon këto dy ajete gjatë natës do t’i mjaftojnë atij”. Buhariu (5009) dhe Muslimi (807)
Si dhe çfarëdo lutje tjetër që secili mund ta bëjë me përkushtim e përgjërim tek Allahu i Lartësuar, në mënyrë që të na ruajë dhe ta largojë prej nesh këtë sprovë.
Allahu i Lartësuar thotë: “Zoti juaj ka thënë: Lutmuni Mua që t’iu përgjigjem!” (Gafir, 60)
Dhe thotë: “O besimtarë! Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit! Në të vërtetë, Allahu është me durimtarët”. (Bekare, 135)
Së fundi, lus Allahun e Lartësuar me Emrat e Tij të bukur dhe Cilësitë e Tij të larta: të na ruajë nga kjo epidemi, të largojë nga ne sprovat dhe fatkeqësitë, të na shpëtojë ne, familjet tona, popullin tonë dhe gjithë
muslimanët nga çdo e keqe. Amin!

Përgatiti
Agron Krasniqi

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

Must Read