Si i përjeton myslimani mysibetet?
Kjo botë është sprovë për myslimanin, andaj edhe ai sprovohet në të. Kështu, ai ndaj mysibeteve (fatkeqësive) duhet të sillet në këtë mënyrë:
1. Myslimani duhet mysibetet t’i kuptojë si sprovë dhe provim:
Pra, myslimani mysibetin nuk duhet ta konsiderojë si dëshirë e Zotit për t’ju hakmarrë, për ta nënçmuar apo për t’i shkaktuar dhimbje. Qëndrimi i tij ndaj fatkeqësisë duhet të jetë që ai ta kuptojë atë si sprovë dhe provim.
Çdo gjë që është në këtë botë për myslimanin paraqet sprovë, kështu fëmija, gruaja, pasuria, varfëria, shëndeti, sëmundja… të gjitha për të janë sprovë, Zoti thotë: “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen, e Ne në shenjë sprove ju sprovojmë me vështirësi e kënaqësi dhe ju do të ktheheni tek Ne.” (Enbija: 35). Gjithashtu thotë: “A menduan njerëzit të thonë: “Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë?”Ne i sprovuam ata që ishin para tyre, ashtu që Allahu gjithqysh do t’i dallojë ata që e thanë të vërtetën dhe ata që e thanë gënjeshtrën.” (Ankebut: 2 – 3).
Nuk ka njeri e që nuk do të sprovohet, janë sprovuar pejgamberët, dëshmorët, njerëzit e mirë… këtë e ka thënë i Dërguari: “Njerëzit që më së shumti janë sprovuar janë pejgamberët, pastaj ata që janë më afër pejgamberëve, pastaj ata që janë më afër tyre…” (Buhariu)
Gjatë mysibeteve mund të korret sukses vetëm duke bërë durim, kurse ai që nuk bën durim dhe bëhet i hidhëruar me caktimin e Zotit ndaj tij, atëherë ai e humb shpërblimin dhe bie nga ky provim, Fudajl ibën Ljadi ka thënë: “Njerëzit derisa janë në bollëk janë të mbuluar (nuk u dihet halli i tyre), e kur të sprovohen, atëherë zbulohet e vërteta e tyre.”
2. Çdo mysibet duhet të kuptohet si kësmet dhe caktim:
Zoti thotë: “Ne ua kemi ndarë furnizimin njerëzve në jetën e kësaj bote.” Furnizimi që të vjen, sëmundja që të godet, shëndeti që të lë… pra të gjitha këto që të godasin në jetën e kësaj bote janë të caktuara nga Zoti. Pasi këto janë të caktuara dhe të ndara me kësmet nga ana e Allahut, atëherë myslimani ndaj të gjitha këtyre caktimeve duhet me qenë i kënaqur me Zotin. Ai nuk duhet të trishtohet nga sëmundja, nuk duhet ta urrejë kaderin, nuk duhet ta shajë kohën, sepse të gjitha këto janë në dorë të Zotit dhe si dëshiron Ai i ndryshon, Zoti thotë: “Allahut i takon krijimi, i lavdëruar qoftë Krijuesi që është më i miri.”
O ti që je i sprovuar, dorëzoju Zotit dhe dije se ajo që të ka goditur nuk ka pasur që të të largohet, kurse ajo që të ka kaluar nuk ka pasur për të të goditur.
Ai i cili dëshiron që jeta e tij të jetë e një standardi, të jetojë vetëm në rahati, të jetojë në pasuri e në bollëk, të jetë gjithmonë i gëzuar e i lumtur, atëherë ai dëshiron që caktimi të jetë në bazë të pasionit të tij, kurse një gjë e tillë kurrë nuk ka mundësi të ndodhë. Vallë, a e dini pse? Ngase caktimi i çdo krijese ndodh në bazë të dëshirës së Zotit, e jo në bazë të dëshirave të njeriut. Poeti ka thënë: “O ti që ke brenga, dije se brenga do të kalojë. Përgëzohu me të mira se larguesi i brengave është Allahu. Dëshpërimi ngandonjëherë e këput njeriun, andaj ti mos u dëshpëro, ngase ty të mjafton Allahu. Dije se Zoti pas vështirësisë mundëson lehtësimin. Mos u trishto se Ai që i ndanë caktimet është Allahu. Kur të sprovohesh, atëherë bindu Zotit dhe kënaqu me Të, sepse Allahu është Ai që i largon belatë. Pasha Allahun nuk ka ndihmës tjetër veç Tij, andaj të mjafton Allahu në çdo vend dhe në çdo situatë.”
3. Mysibeti duhet të kuptohet si dhunti e madhe prej Zoti:
Pa marrë parasysh si është sprova, ajo për myslimanin paraqet një gjë të mirë dhe kjo nuk është kështu me askënd përpos se me myslimanin. Duhet të kihet parasysh edhe kushti i kësaj, e ajo është të durohet në sprovë dhe të falënderohet në bollëk. I Dërguari ka thënë: “E çuditshme është çështja e myslimanit. Çdo gjë për të është e mirë dhe kështu nuk ndodh me askënd përpos se me të. Kur ta godet ndonjë e mirë, ai e falënderon Zotin dhe kjo i sjell dobi. E kur ta godet ndonjë fatkeqësi, ai bën durim dhe kjo i sjell dobi atij.”
Kurse ibën Kajimi duke e treguar vlerën e falënderimit në bollëk dhe të durimit në fatkeqësi, ka thënë: “E gjithë feja është falënderim dhe durim. Nuk ka mundësi të ketë falënderim, nëse nuk ka durim. Ai që nuk ka durim, nuk ka fe.”
Poeti ka thënë: “Shumë herë ndodh që mysibetet e mëdha me qenë dhunti të mëdha. E shumë dhunti që Allahu ia jep ndonjë populli munden me qenë sprova.”
Allahu thotë: “Allahu sjell si shembull një fshat (vendbanim) që ishte i sigurt e i qetë, të cilit i vinte furnizimi nga të gjitha anët me bollëk, kurse ata (banorët) i përbuzën të mirat e Allahut. Atëherë Allahu për shkak të sjelljes së tyre, ua veshi petkun e urisë e të frikës.” (Nahl: 112). Gjithashtu thotë: “Por, mund që ju të urreni një send, e ai është shumë i dobishëm për ju dhe mund që ju të doni një send, e ai është dëm për ju. Allahu e di e ju nuk e dini.” (Bekare: 216).
Jo çdo gjë që ta urrejë shpirti është e urryer në realitet dhe jo çdo gjë që ta do shpirti është e dobishme në realitet, ngase ajo që është e dobishme dhe e dëmshme më së miri e di Zoti, sikurse ka thënë poeti: “Nëse për disa sende të durosh është gjë e hidhët, mirëpo mos harro se ajo mundet me dhanë fryte të ëmbla.”
Dijetarët kanë thënë: “Kush e shijon nënçmimin duke kërkuar diturinë një orë, e fiton pastaj postin e lartë sa të jetë jeta.”
Dijetarët e selefit kanë thënë: “Nëse të godet ndonjë mysibet dhe e duron, atëherë ty të ka goditur vetëm një mysibet. Mirëpo, nëse të godet ndonjë mysibet dhe ti nuk bën durim, atëherë të kanë goditur dy mysibete, këtë e vërteton ajeti kuranor: “Ka prej njerëzve që e adhurojnë Allahun në teh, nëse i vijnë të mirat qetësohet, e nëse i vijnë sprova, ai kthehet prapa. Ky njeri e ka humbur edhe këtë, edhe botën tjetër, pra kjo është humbje e qartë.” (Haxh: 11).
4. Myslimani duhet ta kuptojë mysibetin si stacion i shlyerjes së mëkateve:
Pra, me gjithçka që goditet myslimani në jetën e kësaj bote është në të mirën e tij. Me anë të tyre Zoti ia pastron të metat dhe ia falë mëkatet. I Dërguari ka thënë: “Çdo gjë që e godet myslimanin si: sëmundje, lodhje, brengë, mërzi, bile edhe kur e shpon thera, Zoti si shkak i këtyre ia shlyen mëkatet.” (Mutefekun alejhi).
Njëherë i Dërguari ka hyrë te Umu Seleme e cila rënkonte nga ethet. I Dërguari e pyeti: “Çfarë ke?” Ajo u përgjigj: “Po rënkojë prej etheve, e Allahu mos dhashtë kurrë bereqet në to.” Atëherë i Dërguari i tha: “Mos i shajë ethet, sepse ato i largojnë mëkatet prej birit të Ademit, ashtu sikurse zjarri e largon ndryshkun nga hekuri.” (Muslimi).
Kështu, është e vërteta e mysibeteve që e godasin myslimanin, ai bën durim, ndërsa Zoti nëpërmjet tyre ia largon të këqijat. Duhet ta dimë se ne jemi bijtë e Ademit gabimtarë, e sprovat e këtilla janë çastet më të mira që të pastrohemi prej mëkateve. I Dërguari ka thënë: “Secilin mysliman që e godet ndonjë dëm i sëmundjes, ose diçka tjetër, Allahu bën që t’i falen të këqijat, ashtu sikurse druri i lëshon gjethet e saja.” (Mutefekun alejhi).
5. Mysibetet ia ngritin myslimanit gradat dhe vlerat në xhenet:
Çështja e mysibeteve përveç që e pastrojnë myslimanin në këtë botë, ato ia ngritin gradat edhe në botën tjetër. Shpërblimi i mysibetit nuk lidhet vetëm me këtë botë, shpërblimi i tij është i dyfishtë, si në këtë, po ashtu edhe në botën tjetër. Allahu në hadith kudsij ka thënë: “Shembulli i robit Tim besimtar, nëse e sprovojë me të dashurin e kësaj bote dhe ai për këtë bën durim, duke e llogaritur shpërblim për këtë është me xhenet.” (Buhariu).
Por, duhet të dihet se Zoti shpërblimin më të madh që ua ka përgatitur t’i shpërblejë janë durimtarët, ata që sprovat i kalojnë me sukses dhe korrin fitore në to. Allahu thotë: “Dijeni se durimtarëve u jepet shpërblim pa llogari.” (Zumer: 10).
6. Myslimani duhet ta kuptojë mysibetin si dashuri e Zotit për robin:
Këtë çështje të mysibetit më së miri e ka potencuar i Dërguari kur ka thënë: “Shpërblimi i madh vjen nga belaja e madhe, ngase kur Allahu e do një popull e sprovon. Kush kënaqet me këtë sprovë, i takon kënaqësia prej Zotit. E kush ankohet në këtë sprovë, atij i takon hidhërimi i Zotit.”
Ibën Kajimi ka thënë: “Sprova e myslimanit i ngjanë ilaçit, i cili i nxjerr sëmundjet që nëse do të mbeteshin te ai do ta shkatërronin. Ashtu është edhe sprova që i nxjerr nga myslimani të këqijat, ngase po të mbeteshin te ai, ose kishin me ai zvogëluar shpërblimin, ose kishin me ia ulë shkallët në botën tjetër. Sprovat ia largojnë të këqijat myslimanit dhe me këtë e përgatisin me shpërblim të plotë dhe me grada të larta në xhenet.”
I Dërguari ka thënë: “Kur Zoti ia do të mirën robit të Vet, ia shpejton dënimin në këtë botë. E kur Zoti ia do të keqën robit të Vet, nuk e dënon në këtë botë, por ia mbledh mëkatet dhe e dënon në botën tjetër.”
7. Myslimani me anë të mysibeteve fiton këshilla të mëdha:
– kupton se jeta e kësaj bote është e rrejshme, është botë mashtruese ashtu siç e ka përshkruar Zoti në Kuran: “Jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se dëfrim e lojë, e jetë e vërtetë është ajo e botës tjetër, sikurse ta dini.” (Ankebut: 64);
– mysibeti t’i kujton dhuntitë që Zoti t’i ka dhënë ty;
– fatkeqësia të mundëson që ta kuptosh rëndësinë që e ka shëndeti;
– mysibeti nuk na lejon që të gëzohemi e t’i kalojmë kufijtë që na i ka caktuar Allahu dhe as që të brengosemi shumë saqë ta shkatërrojmë vetveten;
– mysibeti t’i kujton të metat dhe dobësitë që i ke dhe të nxit që të pendohesh te Zoti për to, Allahu thotë: “Çfarëdo e keqe që mund t’ju godasë, ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqija), e për shumë të tjera Ai u falë.” (Shura: 30).
– fatkeqësia të mundëson që të durosh në praktikë ato që të godasin, Allahu thotë: “Mirëpo këtë nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që janë të durueshëm, dhe nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që kanë virtyt të lartë.” (Fusilet: 35).
(Transkrimiptim i ligjëratës së hoxhë Bekir Halimit)