PËRSE NJERËZIT BËJNË MËKATE?
Në trajtimin kur’anor dhe profetik që i bëhet natyrës së njeriut, çështja e mëkatit veçohet si pikë identifikuese e tij. Njeriu mëkaton, qoftë me qëllim, qoftë pa qëllim. Por mëkati nuk është gjendja në të cilën duhet të qëndrojë ai. Thirrjet e fesë për pendim dhe kërkim falje të mëkateve janë dëshmia më e mirë për këtë që po diskutojmë.
Megjithëkëtë, disa njerëz injorojnë këto thirrje për të vazhduar me mëkate, dhe, problemi më i madh nuk qëndron në këtë por në atë se si i shohin mëkatet. Pavarësisht që disa mëkate janë të mëdha, ata marrin guximin dhe i kryejnë sikur të mos jenë fare mëkate. Hudhejfe, një nga shokët e dalluar të Pejgamberit a.s., duke na folur përkitazi me këtë thotë: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut, ndodhte që njeriu për shkak të një fjale që nxirrte nga goja të bëhej hipokrit, ndërsa sot unë ndodhë ta dëgjoj nga goja e dikujt hiq më pak se katër herë brenda një takimi.”[1] Trajtimin e kësaj dukurie e gjejmë dhe tek Enesi, shoku tjetër i Pejgamberit a.s., i cili, siç qëndron në Sahihun e Buhariut, ka thënë: “Ju po i bëni disa vepra që në sytë tuaj janë më të imta se qimja e flokut ndërsa ne, në kohën e Pejgamberit a.s., i konsideronim prej mëkateve shkatërruese.”
Në këtë hutbe do të merremi me shkaqet që çojnë në perceptime të këtilla për mëkatet dhe me trajtimin përkatës që duhet të ketë secili shkak.
1) Dobësimi i besimit
Mëkati nuk është tjetër vetëm se tregues i rënies së nivelit të besimit. Pejgamberi a.s., kur përshkruan mëkatarët e mëdhenj, jep shpjegime se të tillët vuajnë nga besimi i dobët. P.sh., në hadithin ku përshkruhen mëkatet e zinasë, vjedhjes dhe konsumimit të alkoolit, Pejgamberi a.s., thotë se ata gjatë realizimit të këtyre mëkateve janë pa besim.
»لاَ يَزْنِي الزَّانِي حِينَ يَزْنِي وَهُوَ مُؤْمِنٌ، وَلاَ يَشْرَبُ الخَمْرَ حِينَ يَشْرَبُ وَهُوَ مُؤْمِنٌ، وَلاَ يَسْرِقُ حِينَ يَسْرِقُ وَهُوَ مُؤْمِنٌ «
“Ai që bën zina, gjatë aktit të zinasë nuk është besimtar. Ai që vjedh, gjatë aktit të vjedhjes nuk është besimtar. Ai që konsumon raki, gjatë aktit të konsumimit nuk është besimtar…”[2]
Humbja e besimit është humbja më e madhe që mund t’i ndodhë dikujt, megjithëkëtë, në rastin e mëkatarëve, besimi vihet në pikëpyetje për shkak të një kënaqësie fare të shkurtër, një interes material, një pije që të humb mendjen e të zbraz xhepin. Për këtë shkak, besimi dhe mëkati janë në dyluftim. Sa herë të forcohet njëri, tjetri dobësohet. Ibn el-Kajjimi ka thënë: “Fuqia e durimit të robit për të mos bërë mëkate është sipas fuqisë së besimit që ka. Sa më i fortë besimi, aq më i plotë durimi. Sa më i dobët besimi, aq më i dobët durimi.”[3]
2) Mungesa e njohurive fetare
a) Injoranca në raport me Allahun
Pse njerëzit bëjnë mëkate shkak është mosnjohja e mjaftueshme e Allahut. Në Kur’an, duke folur për mëkatin dhe pendimin, Allahu xh.sh., na flet për këtë çështje.
﴿ إِنَّمَا التَّوْبَةُ عَلَى اللَّـهِ لِلَّذِينَ يَعْمَلُونَ السُّوءَ بِجَهَالَةٍ ثُمَّ يَتُوبُونَ مِن قَرِيبٍ ﴾
“Me të vërtetë All-llahu pranon pendimin vetëm prej atyre të cilët bëjnë ndonjë vepër të keqe nga mosdija dhe shpejt pendohen…” [Nisa: 17]
Në shpjegim të “bërjes së mëkateve nga mosdija”, dijetarët kanë thënë:
– Bëjnë mëkate duke mos qenë në dijeni për pozitën dhe fuqinë e Allahut, për mundësinë e Tij për ta shikuar dhe mbajtur robin nën vëzhgim,
– Bëjnë mëkate duke mos ditur për pasojat që mund t’i kenë mëkatet dhe tërheqjen e hidhërimit të Zotit të mund ta bëjnë. Pra është injoranca e cila shpie në rebelim ndaj Zotit.
Pra, pse bëjnë njerëzit mëkate, qëndron në mosdijen e tyre për mundësitë e Allahut xh.sh.
b) Injoranca në raport me fenë dhe mësimet e saja
Një nga karakteristikat e fesë është ofrimi i çdo gjëje që i nevojitet njerëzve. Madje, për çdo ndalesë fetare, Zoti sjell alternativa nga hallalli. Nëse ndalohen zinaja, vjedhja, rakia, lejohen martesa, tregtia, pije të panumërta. Për më tepër, këto alternativa janë fetare. Pra, zëvendësimet janë bërë nga feja. Ta zëmë, tani që jemi në kohën e këtyre të ashtuquajturave festa të fundvitit, ne besimtarët nuk i festojmë për arsye se festat janë pjesë e fesë. Kur Muhammedi a.s., shkoi në Medinë dhe pa njerëzit tek festonin ditë të caktuara, i informoi për anulimin e tyre me arsyetimin se ato ditë janë ndërruar me ditë të caktuara prej Allahut xh.sh.[4] Pyetja ime. Kush ka mandatin që sot të del dhe të caktojë festa?! Natyrisht, këtë e bëjnë vetëm ata që kanë zemra dhe mendje të verbuara.
3) Nënvlerësimi i mëkateve dhe rrezikut të tyre
Problemi, siç e theksuam më lartë, nuk qëndron në kryerjen e një mëkati por shkakun dhe motivin e kryerjes së tij. Nëse njeriu ka një perceptim të caktuar për një mëkat, atëherë gjasat që ai të vazhdojë me të janë të mëdha. Të shohim sa është e gabuar dhe rrezikshme kjo qasje nga perspektiva fetare.
– Shembulli i mëkateve, qofshin ato edhe të vogla, i ngjan shembullit të një grumbulli drurësh, që mblidhen një nga një, por që kur të ndezën përnjëherë, kur të ndizet bën flakë dhe zjarr të madh.[5]
– Për nga aspekti i pasojave, mëkatet i ngjajnë postës, e cila dërgon tek adresa e caktuar,. Që në rastin e mëkateve është humbja e besimit. Ibn el-Kajjimi ka thënë: “Mëkatet janë postë e kufrit…”[6]
– Për nga rreziku, mëkatet kanë potencial shpërthyes në çdo moment. Ibn el-Xheuzi thotë: “Njeriu i mençur nuk duhet ta nënvlerësojë rrezikun e mëkateve sepse zjarri i tyre është (i fshehur) nën hi. Dënimi mund të vonohet, por edhe të përshpejtohet.” [7]
4) Ndikimi i opinionit të jashtëm
Jo rrallë shkak i mëkateve është shoqëria ose rrethi. Mëkatarët janë, jo siç duan vet, por siç i duan të tjerët. Për këtë shkak edhe devijojnë. Është tregues i varshmërisë nga njerëzit. Nëse dikush gjen të vërtetën, përkrahja ose jo e njerëzve nuk duhet të jenë faktorë vendimtarë për të vazhduar me të. Kështu vepronin pejgamberët. Ja rrëfimi i Kur’anit për Salihun a.s., me popullin e vet:
﴿ قَالَ يَا قَوْمِ أَرَأَيْتُمْ إِن كُنتُ على بَيِّنَةٍ مِّن رَّبِّي وَآتَانِي مِنْهُ رَحْمَةً فَمَن يَنصُرُنِي مِنَ اللَّـهِ إِنْ عَصَيْتُهُ ۖ فَمَا تَزِيدُونَنِي غَيْرَ تَخْسِيرٍ ﴾
“O populli im, – u tha ai – a e shihni, nëse unë e kam të sqaruar nga Zoti im dhe Ai vetë më ka dhënë mëshirë; kush do të më mbrojë nga Allahu nëse unë nuk i bindem, ndërsa ju vetëm ma shtoni shkatërrimin.” [Hud: 63]
Me fjalë tjera, nëse unë, shkaku i fjalëve tuaja, devijoj nga e vërteta, atëherë kush mund të më mbrojë nga Allahu?! Kështu, fjalët tuaja nuk kanë rëndësi për mua q synoj kënaqësinë e Allahut para çdo gjëje tjetër.
Edhe ne, nëse e duam kënaqësinë e Allahut, fjalët dhe vlerësimet e njerëzve duhet t’i lëmë anash. Nëse dikush na fton të festojmë pse shoqëria feston, ambienti ku jetojmë feston, duhet t’i përgjigjemi se kënaqësia e Allahut ka përparësi. Ibn Bettali ka thënë: “Nuk duhet prezantuar në vende ku mëkatohet, sikur që nuk duhet qëndruar me mëkatarë. Kjo për shkak se ky veprim mund të duket si shfaqje e pajtimit me veprimet e tyre…”[8]
5) Kriza fetare
Shumë njerëz i bashkëngjiten të tjerëve në mëkate për shkak të krizës fetare që përjetojnë. Duke mos njohur fenë, ata ikin prej saj dhe ndjekin shembuj e modele të rrezikshme. Pejgamberi a.s., ka thënë: “Do t’i pasoni të tjerët, pëllëmbë për pëllëmbë dhe kut për kut, saqë nëse ata hyjnë më vrimën e hardhucës, do të hyni edhe ju. A për çifutët dhe të krishterët e ke fjalën?- e pyetën. E për kë tjetër- u përgjigj.”[9]
Imitimi i të tjerëve ka bërë që sot të festohen festa të huaja, të sillemi si të huajt, të hamë e të vishemi sikur të huajt, të organizojmë jetën sikur të huajt…Pra, vetëm formalisht kemi ngelur në parimet tona.
6) Mashtrimi me faljen e mëkateve
Falja e mëkateve është zgjidhja e duhur por vetëm kur përdoret në kohën dhe sipas mënyrës së kërkuar. Një njeri të urtë e kishin pyetur:
Si e ke fenë?
E kam shqyer me mëkate, e po e arnoj me istigfar- ishte përgjigjur.
Ajo që na duhet është të mos mashtrohemi e ta lëmë pendimin dhe istigfarin për më vonë sepse kështu na zë vdekja pa u penduar. Hasan Basriu r.a. ka thënë: “Nuk ndodhë robi ta zgjat shpresën e të mos e keqësojë veprën.”[10]
Përfundim
Pavarësisht këtyre shkaqeve, mëkati nuk arsyetohet. Sado që mëkatari të mundohet t’iu gjejë justifikime, ato ngelin mëkate. Për këtë shkak, Allahu na udhëzon të largohemi nga mëkatet dhe të kërkojmë falje, ndryshe këto justifikime nuk na kryejnë punë dhe se ne në botën tjetër do të gjejmë atë që nuk e kemi menduar.
﴿ وَبَدَا لَهُم مِّنَ اللَّـهِ مَا لَمْ يَكُونُوا يَحْتَسِبُونَ ﴾
“…E prej Allahut do t’u prezantohet (lloji i dënimit), çka as nuk kanë mundur ta mendojnë.” [Zumer: 47]
– Mund ta kesh menduar një mëkat si të vogël, por tek Allahu mund të jetë i madh.
– Mund të mos e kesh menduar fare për mëkat, e tek Allahu e gjen me dënim të madh.
– Mund të kesh menduar një përgjigje por që tek Allahu nuk vlen.
Së këndejmi, për t’i shpëtuar mëkateve dhe rreziqeve të paparashikuara të tyre, duhet që:
– ta forcojmë besimin duke mësuar më shumë rreth Allahut dhe fesë së Tij,
– të ikim mundësisht nga çfarëdo mëkati, qoftë edhe i vogël në sytë tanë, sepse zjarri i mëkateve është përherë i ndezur,
– të përzgjedhim shokë për tu shoqëruar dhe ambient për të jetuar e vepruar sepse, siç na mëson Muhammedi a.s.,: “Njeriu ka fenë (moralin) e shokut të vet.”[11]
[1] Ahmedi në Musned, 38/339; Musannef Ibn Ebi Shejbe, 8/608.
[2] Hadithin e shënojnë Buhariu dhe Muslimi.
[3] Tarik el-hixhretejn, f. 275.
[4] Hadithin e shënojnë Imam Ahmedi, Ebu Davudi dhe Nesaiu.
[5] Në fakt është hadith, të cilin Imam Ahmedi e shënon në Musned.
[6] Ed dau ve eddevau, 1/125.
[7] Sajd el-hatir, f. 196.
[8] Sherhu i Sahihut të Buhariut, 7/292.
[9] Hadithin e shënojnë Buhariu dhe Muslimi.
[10] Ibn Ebi Dunja, Kasru el-emel, f. 82.
[11] Hadithin e shënojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu.
Burimi: http://sedatislami.com/
Hoxhë Sedat Islami