#TI QË AGJËRON E NUK FALESH…
Nuk dua e as që më takon të të gjykoj për atë që bën, por ta kam borxh të mirrem me ty, të të këshilloj, ose, më konkretisht, të të ngacmoj mendjen dhe ndërgjegjen, të të bëj të mendosh për këtë gjë…
Zoti, të Cilit i bindesh me agjërim, është po Ai që të ka ftuar në takim. Të fton vazhdimisht dhe atë, pesë herë në ditë. Falja e namazit është ripërtëritja e asaj lidhje që e ke pranuar me besim dhe e ke konfirmuar me agjërim. Zoti të thërret të takohesh me Të. Takimin, vendin, kohën dhe mënyrën e cakton Ai, se është Zoti. Ndërsa, ti je robi, duhet ti bindesh dhe të përgjigjesh. Njësoj si bën kur bindesh për të agjëruar.
Namazi është më i rëndësishëm se sa agjërimi. Por është edhe më i lehtë. Është edhe më funksional. Paramendo, me agjërim mba lidhje me Zotin, Krijuesin tënd një herë në vit, anipse ajo lidhje zgjat plotë një muaj. Derisa me namaz, lidhja përditësohet pesë herë dhe atë, për çdo ditë gjatë gjithë vitit, gjatë gjithë jetës. Ai përditësim është i lidhur me të gjitha zhvillimet dhe ndryshimet gjatë njëzetekatër orëshit tënd. Në çdo fazë të re të ditës tënde, Zoti të fton të takohesh me Të, për të lëshuar mbi ty bekimet, mëshirën, për të të dhënë forcën të vazhdosh tutje.
Ty mund të të duket se edhe pa gjitha këto, ti megjithatë vazhdon të jetosh, por, të garantoj se jeta jote nuk e ka të njejtën vlerë, të njejtin kuptim, pa i dalë në takim Krijuesit. Aplikoje, jo vetëm për ta provuar, dhe do të bindesh.
Mos harro se agjërimi ka alternativë. Po qe i sëmurë, në udhëtim e të ngjashme, mund të mos agjërosh. Namazi nuk ka alternativë. Edhe po qe i sëmurë, Allahu pret të të takojë. Ai të pranon në këmbë, ulur apo shtrirë, sido që të jepet mundësia.
Bëhu i sinqertë me veten qoftë edhe për një çast. Pyete: pse agjëroj e pse nuk falem? A është Zoti Ai që më kërkoi të agjëroj dhe iu binda? Po për namaz pse nuk i bindem?
Mbase, për këtë nuk ke menduar asnjëherë. Fillo të mendosh tani, nuk është vonë. Por, vëja mendjen, në çdo çast mund të bëhet vonë.
Qofsh i bekuar!
Përzemërsisht…
Hoxhë Ekrem Avdiu