Mirësevjen Ramazan!
Muaji i ramazanit ka arritur përsëri, muaji i agjërimit dhe i lutjeve (namazit). Është muaji që jep një mundësi për falje nga Allahu dhe shpëtim nga mëkatet tona. Është muaji që të bëjmë vepra të mira dhe të japim lëmoshë. Është muaji kur hapen dyert e xhenetit dhe shpërblimet për punët tona janë të lartësuara shumëfish. Është muaji ku lutjet pranohen dhe statusi i besimtarit është i lartësuar. Është muaji ku mëkatet falen. Allahu dhuron më shumë mëshirë (bekime) për robërit e Tij në muajin e ramazanit. Ky është muaji i agjërimit që është një nga pesë shtyllat e Islamit. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, agjëroi gjatë këtij muaji dhe i udhëzoi ndjekësit e tij që ta bëjnë të njëjtën. Ai na tregoi se kushdo që e agjëron këtë muaj me besim, duke kërkuar shpërblimin e Allahut, subhanehu ue teala, do t’i ketë të gjitha mëkatet e kaluara të tij të falura. Ai, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, gjithashtu na informoi (tregoi) se kushdo që qëndron (bën) në namaz gjatë gjithë këtij muaji do t’i falen të gjitha mëkatet e tij.
Në muajin e ramazanit është një natë e cila është më e mirë se një mijë muaj. Kushdo që e mohon mirësinë (begatinë) e kësaj nate vërtetë është i humbur.
Duhet ta mirëpresim këtë muaj dhe ta shfrytëzojmë në lumturi dhe në gëzim. Duhet të kryejmë agjërimin dhe namazin dhe të konkurrojmë (garojmë) në vepra të mira. Gjatë këtij muaji duhet me vullnet të plotë të pendohemi për të gjitha mëkatet tona dhe ta nxisim njëri-tjetrin që të punojë punë të mira dhe të thërrasim në çka është e mirë dhe të ndalojmë të keqen. Në këtë mënyrë do të arrijmë ta fitojmë mëshirën e dhe shpërblimet e mëdha të ramazanit.
Agjërimi na dhuron (jep) shumë dobi dhe është përplot urtësi. Pastron dhe forcon zemrat tona. Na shpëton (çliron) nga prirjet tona të ulëta si: pasuria e tepërt, mburrja, dhe koprracia. Përforcon cilësitë tona të mira si: qëndresa, mëshira, dhe bujaria. Na ndihmon në luftën tonë të brendshme që të kënaqim Allahun dhe të arrijmë afërsinë tek Ai.
Agjërimi na mëson për nevojat tona. Na tregon se sa te dobët jemi dhe vërtetë se sa jemi të varur për Zotin tonë. Na tregon se sa shumë Allahu na ka begatuar. Detyrohemi ta falënderojmë Allahun dhe t’i shfrytëzojmë begatitë që Ai na ka dhënë në bindje (dëgjueshmëri) ndaj Tij.
Allahu na tërheq vëmendjen te këto dobi të shumta kur thotë: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” Bekare, 183.
Në këtë ajet kuranor, Allahu na bën të qartë se na është urdhëruar agjërimi në mënyrë që të na pastrojë.
Agjërimi është një mjet (mënyrë) për ne që ta mësojmë vetë-përmbajtjen dhe të kultivojmë devotshmërinë tonë. Devotshmëria është të zbatohen urdhrat e ndalesat e Allahut dhe të dërguarit të Tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, me zemër të pastër, larg dëshirave tona dhe në përkulje ndaj Allahut, si dhe t’i shmangemi dënimit dhe hidhërimit të Tij.
Agjërimi është një vepër e madhe në vetvete dhe një mënyrë kryesore në ngritjen e devotshmërisë tonë në të gjitha aspektet e jetës tonë materiale dhe fetare.
I dërguari i Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, na tregoi njërën nga dobitë e agjërimit kur thotë: “O të rinj, kush prej jush ka mundësi që të martohet, le ta bëjë, sepse kjo është më së miri për ruajtjen e shikimit dhe organeve intime. E kush nuk ka mundësi, atëherë le të agjërojë, sepse agjërimi e zvogëlon epshin (aftësinë seksuale)”.
Arsyeja që agjërimi ka këtë efekt është sepse djalli lëviz (qarkullon) si gjaku nëpër damarët tanë. Agjërimi përmban këtë lëvizje, ndërkohë që vepron si një përkujtim i Allahut dhe madhështisë së tij, në këtë mënyrë redukton ndikimin e djallit mbi personin që agjëron gjersa në të njëjtën kohë besimi i tij forcohet (rritet). Ai natyrisht fillon të merret me më shumë vepra të mira dhe më pak mëkate.
Ka shumë dobi të tjera të agjërimit që ne i zbulojmë me një të menduar dhe reflektim të vogël.
Agjërimi është i mirë edhe për shëndetin trupor. Ai i jep trupit një mundësi që ta pastrojë veten nga helmet e mbledhura, një fakt e cila është e vërtetuar nga mjekë të shumtë. Ajetet kuranore na flasin gjerësisht për mirësitë (vlerat) e agjërimit në muajin e Ramazanit dhe të qenët një detyrim për besimtarët. Allahu thotë: “ O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm. (Jeni të obliguar për) Ditë të caktuara…, (ato ditë të numëruara janë) muaji i ramazanit që në të (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues ( i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le ta agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (Të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, të madhëroni Allahun për atë se u udhëzoi dhe që të falënderoni.” Bekare, 183-185.
I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Islami është ngritur mbi pesë shtylla: Dëshmisë se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguar i Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i muajit të ramazanit dhe kryerjes së haxhit.” Buhariu dhe Muslimi
Kur engjëlli Xhibril e pyeti të dërguarin e Zotit për Islamin, ai u përgjigj: “Islami është të dëshmosh se nuk ka nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguar i Tij, ta falësh namazin, ta jepësh zekatin, ta agjërosh ramazanin dhe ta vizitosh shtëpinë e shenjtë- Qaben, nëse ke mundësi ta bësh këtë. Suneni i Tirmidhiut
Xhibrili pastaj i tha : “Të vërtetën e the”, pastaj ai i tha : “Më trego për besimin?” I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, u përgjigj: “Të besosh në Allahun, në engjëjt e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, ditën e fundit dhe të besosh në caktimin e Tij të së mirës dhe të së keqes.” Ai i tha : “Të vërtetën e the” tha: “Më trego ç’është ihsani (bamirësia)?” I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, tha: “Ta adhurosh Allahun sikur ta shohësh, sepse edhe pse ti nuk e sheh, Ai vërtet të sheh ty” Ai tha: “Të vërtetën e tha”. Në Sahihun e Muslimit
Ky hadith është me rëndësi mjaft të madhe dhe meriton një vëmendje serioze.
Njëherë Muadh ibn Xhebeli i tha të dërguarit të Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të: “Më trego disa vepra që më mundësojnë që të hyj në xhenet dhe që më largojnë nga xhehenemi” I dërguari i Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, iu përgjigj: “Ju keni pyetur për diçka të rëndësishme, sidoqoftë është shumë e thjeshtë për njërin të cilit Allahu ia bën të lehtë. Adhuroje Allahun dhe mos i shoqëro askënd në adhurim, fale namazin, jepe zekatin, agjëroje ramazanin, dhe vizitoje shtëpinë e shenjtë- Qaben, nëse ke mundësi ta bësh”, pastaj i dërguari i Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, shtoi : “A nuk duhet t’ju informoj për dyert e mirësisë? Agjërimi është xhenet. Lëmosha i asgjëson mëkatet sikur uji që e shuan zjarrin.” Suneni i Tirmidhiut
Agjërimi është një vepër shumë e virtytshme me një shpërblim proporcional (të barabartë) me madhështinë e saj. Kjo është veçanërisht në Ramazan, që kur Allahu e ka bërë agjërimin një obligim për besimtarët dhe një mjet për të arritur shpëtimin.
I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Çdo vepër e njeriut është për veten e tij dhe shpërblimi i saj është i shumëfishuar për atë nga dhjetë deri shtatëqind herë. Allahu thotë: ‘Përveç agjërimit, vërtetë ai është për Mua, dhe vetëm Unë do të shpërblej për atë posaçërisht, vërtetë ai i len epshet e tij, ushqimin e tij, dhe pijen e tij për hir Timin’. Ai i cili agjëron përjeton dy gëzime, njërin kur ai të ndërpret agjërimin e tij dhe tjetrin kur të takojë Zotin e tij. Padyshim, era e gojës së agjëruesit është më e këndshme tek Allahu se aroma e miskut. Në Sahihun e Buhariut dhe të Muslimit
I dërguari i Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kur vjen ramazani hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e xhehenemit dhe lidhen djajtë.” Në Sahihun e Buhariut dhe të Muslimit
I dërguari i Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, thotë: “Në natën e parë të ramazanit, djajtë dhe xhinët e pabindur janë të lidhur me zinxhirë. Dyert e xhenetit janë të hapura gjersa asnjë derë e vetme nuk mbetet e mbyllur. Dyert e xhehenemit janë të mbyllura gjersa asnjë derë e vetme nuk është e hapur. Pastaj një thirrës thërret: ‘O kërkues të së mirës, ecni përpara! O kërkues të së keqes, burgosni veten! Allahu liron njerëzit nga xhehenemi çdo natë.” Suneni i Tirmidhiut
Në prag të ramazanit, i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbajti një fjalim dhe tha: “O njerëz, një muaj i shkëlqyer dhe i bekuar është duke ardhur tek ju, një muaj që përmban një natë më të mirë se njëmijë muaj.”
Allahu ka bërë agjërimin në ditët e caktuara një obligim dhe të falet namazi në netët e tij si një vepër vullnetare. Kushdo që kërkon afërsinë tek Allahu në këtë muaj përmes ndonjë vepre të moralshme do të ketë sikur njëri i cili kryen një obligim fetar në kohën tjetër dhe kushdo që bën një vepër të obliguar të adhurimit në këtë muaj do të ketë sikur ai që bën shtatëdhjetë vepra të tilla në kohën (herën) tjetër. Është muaji i durimit dhe shpërblimi për durimin është xheneti.” Sahih, Ibn Khuzejmeh
Duhet ta shfrytëzojmë rastin e prezantuar tek ne në këtë muaj të bekuar dhe ta çmojmë madhështinë e kësaj kohe me adhurime të shumta që mund të bëjmë. Duhet të nxitojmë që të bëjmë punë të mira.
Allahu e ka bërë këtë muaj një kohë për adhurim dhe për garim me njëri-tjetrin në të mira. Duhet t’i shpeshtojmë lutjet tona dhe të shpenzojmë kohën në bamirësi. Duhet ta shpeshtojmë leximin e Kuranit famëlartë, të nxitojmë që t’i ndihmojmë të varfrit, nevojtarët, dhe jetimët.
I dërguari i Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ishte më bujari nga të gjithë njerëzit në muajin e Ramazanit. Duhet të ndjekim shembullin e përsosur të të dërguarit të Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, duke shtuar përpjekjet tona në vepra të mira në këtë muaj. Duhet t’i ruajmë të mirat e agjërimit tonë nga mëkatet tona dhe nga të metat tona. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kushdo që nuk e lë të gënjyerit dhe të vepruarit sipas saj, Allahu nuk ka nevojë që ai të lë të ngrënit e të pirët. Në Sahihun e Buhariut
I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Agjërimi është mbrojtje, e ai që është duke agjëruar nuk guxon të flasë fjalë të turpshme e as ta ngrejë zërin, ndërsa nëse dikush e ofendon (shan), ose e kundërshton (fjaloset me të), le të thotë: ‘Unë jam agjërueshëm’..” Në Sahihun e Buhariut dhe të Muslimit
Duhet që ta lusim Allahun për falje në këtë muaj dhe të bëjmë të gjitha ato që mund t’i bëjmë që të përfitojmë nga kjo kohë e çmuar. Duhet t’i largohemi ndonjë keqbërjeje kundër agjërimit që do të na asgjësojë të mirat e tij dhe të shkaktojë hidhërimin e Zotit, Zoti na ruajtë! Prandaj, nuk duhet të jemi mospërfillës ndaj lutjeve tona ose të bëjmë ndonjë koprraci në zekatin tonë.
Nuk duhet të shpenzojmë pjesën e pasurisë së jetimëve, t’ua grabisim pasurinë atyre, ta shtypim dikë, ose të mos i respektojmë prindërit tanë. Nuk duhet t’i shkëputim lidhjet farefisnore. Duhet t’iu shmangemi thashethemeve, përgojimeve, gënjeshtrave dhe ideve të gabuara. Duhet t’i shmangemi betimeve të rrejshme dhe pretendimeve. Nuk duhet të rruhemi ose të shkurtojmë mjekrat tona dhe nuk duhet t’i lëmë mustaqet që të rriten. Nuk duhet të dëgjojmë muzikë, apo edhe instrumente muzikore. Gratë nuk duhet të ekspozohen pa shkak dhe burrat nuk duhet të përzihen me to.
Këto mëkate janë të ndaluara edhe gjatë tërë vitit, por në ramazan ato bile janë edhe më të ndaluara dhe më të mëdha. Duhet t’i frikësohemi Allahut dhe t’i shmangemi asaj çka Allahu dhe i dërguari i Tij na ka ndaluar. Duhet të jemi të drejtë në bindjen tonë në muajin ramazan dhe gjatë pjesës tjetër të vitit. Duhet ta ftojmë njëri-tjetrin në këtë mirësi, kështu që do të arrijmë suksesin dhe shpëtimin që ky muaj na premton.
Shejh Abdulaziz bin Baz
Përktheu nga anglishtja: Fitim Nuhiu