Largimi
Pyeta të afërmit të më tregonin rreth të dashurve:
-Çfarë kanë bërë?
– Njerëzit bëhen kufomë një ditë dhe largohen.
-Ku t’i kërkoj? Në cilin vend kanë zbritur?
-Janë në varreza dhe, për Zotin, aty gjetën atë që kanë bërë.
Kështu e nisi bisedën motra ime fytyrëzbehtë, truphollë, por si zakonisht, ajo lexon Kuranin.
Në qoftë se e kërkon atë, e gjen në vendin e faljes, të përkulur (në ruku), në sexhde, me duart e ngritura lart drejt qiellit. Kështu vepron në mëngjes, në mbrëmje, në mesnatë, as nuk lodhet, as nuk mërzitet.
Ndërsa unë, u përkushtova leximit të revistave artistike, librave me histori, shikoja shumë video, derisa u lidha me to e nuk mund të shkëputesha më prej tyre. Nuk i kryeja plotësisht detyrat e mia dhe namazin nuk e kryeja rregullisht. E mbylla videon, pasi pashë filma të ndryshëm, për një kohë të gjatë prej tre orësh.
Ja, ky është ezani. Zëri vinte nga xhamia që kishim pranë. Shkova në shtrat. Ajo po më thërriste nga vendi ku falej.
-Urdhëro, çfarë do Drita?
-Mos fli përpara se të falësh namazin e sabahut, – tha me një zë të mprehtë.
-Ohuuu! S’mbeti shumë kohë për të falur namazin e mëngjesit.
-Ai që dëgjove ti ishte ezani i parë, – më thirri me zërin e saj të ngrohtë.
Kështu ishte ajo, kështu, edhe para se të goditej nga sëmundja e rëndë dhe të qëndronte e shtrirë në shtrat.
Eja këtu afër meje, o Besa! Kurrë nuk mund ta refuzoja kërkesën e saj. E ndjeja pastërtinë dhe sinqeritetin që ajo kishte. Padyshim, iu binda .
-Çfarë dëshiron?
-Ulu!
-Ja u ula, çfarë do?
Me një zë të ëmbël tingëllues përmendi ajetin e Kuranit: “Çdo njeri do ta shijojë vdekjen dhe shpërblimet tuaja ju plotësohen Ditën e Kiametit.”
Qëndrova në heshtje. Pastaj më pyeti:
-A nuk beson tek vdekja? A nuk beson se do të japësh llogari për çdo gjë të vogël e të madhe?
-Po, si jo, por Allahu është Falës e Mëshirues dhe jeta është e gjatë.
-O motra ime! A nuk ke frikë nga vdekja dhe dënimet e saj? Shiko Shpresën, e cila ishte më e vogël se ty e vdiq nga një aksident me makinë, e po kështu tjetra… dhe tjetra. Vdekja nuk njeh moshë, nuk mund ta përcaktojmë.
-Kam frikë nga errësira dhe më frikësove me vdekjen, si do të fle tani? – iu përgjigja me një zë të frikësuar. Mendoja se ishe dakord të udhëtoje me ne për pushime. U befasova! Zëri i saj u mbyt dhe zemra ime filloi të dridhej.
-Ndoshta këtë vit do të shkoj në një udhëtim të largët, në një vend tjetër. Ndoshta, o Besa! Jeta është në Dorë të Zotit.
Shpërtheva në lot. Mendova për sëmundjen e saj të rëndë. Mjekët e kishin lajmëruar në fshehtësi babanë se ndoshta sëmundja nuk do t’i japë asaj afat të gjatë. Por, kush ia tregoi asaj këtë, apo ajo e parandien vetë këtë gjë?!
-Pse ke rënë në mendime? -Zëri i saj erdhi më i fuqishëm këtë herë. Mos mendon se këto po t’i them ngaqë jam e sëmurë? Jo. Ndoshta nuk mund të jetoj më shumë se ata që janë të shëndetshëm. Po ti, sa do të jetosh? Ndoshta njëzet vjet, ndoshta dyzet, pastaj çfarë? Preka dorën e saj në errësirë e ajo u drodh fuqishëm.
S’ka ndryshim se të gjithë do të largohemi nga kjo botë, ose për në xhenet ose për në xhehenem. A nuk e ke dëgjuar fjalën e Allahut: “E kush i shmanget zjarrit e futet në xhenet ai ka arritur shpëtimin.”
-Natën e mirë! Nxitova për në shtrat, por ndërkohë zëri i saj më kumboi: “Allahu të drejtoftë! Mos harro namazin!”
Ora tetë e mëngjesit. Dëgjova të trokitura në derë. Kjo nuk është koha ime e zgjimit, të qara… zëra… çfarë ka ndodhur! Gjendja e Dritës u keqësua! Babai ka shkuar me të në spital! Të Allahut jemi e tek Ai do të kthehemi!
S’ka udhëtim këtë vit. Është e shkruar për mua, që të rri në shtëpi këtë vit. Pas një pritje të gjatë në orën 1300… telefonoi babai nga spitali: “Mundeni ta vizitoni Dritën tani! Ejani shpejt…! Nëna më tha se babai foli me zë të ndryshuar dhe dukej shumë i shqetësuar. Pardesyja në dorën time…! Ku është shoferi…?! Hipëm me shpejtësi. Ku është ajo rrugë të cilën kur e bëja më parë më dukej e shkurtër, pse sot është kaq e gjatë?! Ku është rripi i sigurimit, të cilin e lidhja gjithmonë?!! Sot ai është bërë i bezdisshëm.
Nëna qëndronte pranë meje dhe lutej për të. Ajo ishte një vajzë e drejtë dhe e bindur. Kurrë nuk e shihje atë të humbiste kohën kot. Kaluam derën e jashtme të spitalit. Një i sëmurë rënkonte, një tjetër ishte aksidentuar me makinë, i treti i kishte sytë të perënduar; nuk di në i përkiste kësaj bote apo botës tjetër? Pamje të çuditshme! S’i kisha parë ndonjëherë më parë.
Ngjitëm me shpejtësi shkallët. Ajo ndodhet në dhomën e reanimacionit.
Do t’ju çoj tek ajo, – u dëgjua një zë. Pastaj erdhi infermierja. Ajo ishte një vajzë e mirë dhe e sjellshme, e cila e qetësoi nënën time duke i thënë se Drita është përmirësuar dhe ka dalë nga gjendja e komës në të cilën ndodhej. Atje tej shkruhej: Ndalohet hyrja e më shumë se një personi!
Kjo është dhoma e reanimacionit. Nëpërmjet dritares së derës, në mes të grupit të mjekëve, pashë sytë e motrës time, Dritës, të cilët më vështronin mua, ndërkohë që nëna ime ndodhej pranë saj. Pas dy minutash, nëna, e cila si mbante dot lotët, doli. Më lejuan të hyja tek ajo, me kusht që të mos flisja shumë me të. Dy minuta mjaftojnë për ty, – tha infermierja.
-Si je Drita? Ti ishe mirë mbrëmë ç’të ndodhi? Pasi mbështeti dorën tek unë mu përgjigj:
-Falënderoj Zotin, jam mirë.
-Falënderimi i takon Zotit, por dora jote është e ftohtë. Qëndroja ulur në anë të krevatit dhe preka këmbët e saj. Drita i largoi ato nga unë. Më fal, nëse të ngushtova!
-Jo. Në këtë moment mu kujtua fjala e Allahut: “E kur të puqet kërciri me kërcirin (t’i vështirësohet gjendja) atë ditë shkohet vetëm tek Zoti yt.”
-Lutu për mua Besa, ndoshta së shpejti do të takoj ditët e para të jetës tjetër. Udhëtimi im është i largët e s’më mbetet vetëm se pak.
Pasi dëgjova fjalët e saj, një lot mu shkëput nga syri e fillova të qaj. Nuk e dija ku isha. Sytë e mi vazhdonin të lotonin. Babai filloi të shqetësohet për mua më shumë sesa për Dritën. Kjo e qarë dhe vetmi në dhomën time, ishte e pazakontë. Me perëndimin e diellit kaloi kjo ditë e mërzitshme. Për një kohë të gjatë qetësia mbizotëroi shtëpinë tonë. Tek unë hyri vajza e tezes, vajza e hallës… ngjarje të shpejta…vizitorë të shumtë… përzierje zërash… Vetëm diçka mësova: Drita vdiq. Nuk dallova kush erdhi dhe as çfarë thanë. O Zot! Ku jam dhe çfarë po ndodh?! Nuk mundesha as të qaja. Pastaj më thanë se babai kishte marrë dorën time për t’i dhënë motrës lamtumirën e fundit. E putha atë. Nuk mund të kujtoj veçse një gjë. Kur e vështrova atë, ajo ishte e qetë në shtratin e vdekjes. Kujtova ajetin që ajo ma kishte thënë: “E kur të puqet kërciri me kërcirin (t’i vështirësohet gjendja) atë ditë shkohet vetëm tek Zoti yt.”
Nuk e dija se do të kthehesha pikërisht këtë mbrëmje tek vendi ku ajo falej. Ndërkohë kujtova atë që qëndroi bashkë me mua në motrën e nënës (ne ishim binjake). Kujtova atë që më shoqëronte dhe merrte pjesë në mërzitjen time. Kush më thirri mua drejt udhëzimit? Kush i bënte lotët e saj të rridhnin netëve të gjata, ndërsa më tregonte mua për vdekjen dhe gjykimin. Zoti është Ndihmuesi! Kjo është nata e saj e parë në varr. O Zoti ynë, mëshiroje atë dhe ndriçoja asaj varrin! Ky është Kurani i saj, kjo është sexhdeja e saj, kjo është … dhe kjo është! Ndërsa ky është fustani ngjyrë rozë, të cilin më kishte thënë se do ta ruante për martesën time. Kujtova dhe qava për ditët e mia të humbura. Qava pa ndërprerë dhe luta Zotin të më mëshirojë, të pranojë pendimin tim dhe të më falë !
Luta All-Allahun, ashtu siç dëshironte ajo, që ajo të jetë e sigurt në varrin e saj.
Papritur pyeta veten: Po sikur e vdekura të isha unë? Cili do të ishte përfundimi im?
Zoti është i Madh! Zoti është i Madh!
Ky është ezani i mëngjesit, i cili u ngrit në kulmin e tij. Këtë herë nuk do të shmangem prej tij. Ndjeva siguri dhe qetësi dhe përsëritja fjalët që thoshte myezini. Mora rrobat e mia dhe u ngrita për të falur namazin e mëngjesit. Fala namazin nafile, ashtu siç e falte motra ime, dhe ishte ky ishte namazi i saj i fundit.
Përshtatje nga arabishtja