Fëmijët tanë dhe faqet çoroditëse
Interneti është bërë sikur një xhin i tmerrshëm, të cilin askush nuk mund ta ndalë. Një njeri që nuk e përdor internetin konsiderohet i pavlerë në mesin e të tjerëve.
Numri më i madh i shfrytëzuesve të internetit janë të rinjtë, djem dhe vajza. Çdo prind mund ta vërejë këtë duke parë se sa orë qëndrojnë fëmijët para internetit.
Çfarë është interneti? Nëse dëshirojnë prindërit ta parashtrojnë këtë pyetje, ose pse njerëzit janë pasionuar kaq shumë pas internetit, përgjigja e atyreve që mësojnë në universitet ose shkolla të mesme është: hulumtojmë materiale shkencore. Kjo mund të jetë e saktë pjesërisht, mirëpo sigurisht se kohën më të madhe e kalojnë në hulumtime të materialeve “joshkencore”, madje të jemi më të çiltër ata shkojnë e bëjnë ca hulumtime jo të pastërta.
Është e vërtetë se statistikat që flasin për përdorimin e internetit nga të moshërriturit “dështon” dhe nuk ngre kokë, mirëpo statistikat që flasin për përdorimin e internetit nga adoloshentët janë trishtuese dhe i detyrojnë prindërit që të kujdesen nga ndikimi i internetit në fëmijët e tyre. Në prani të më shumë se 4.2 milion faqeve imorale në internet, ato paraqesin rreth 12 % të mbarë faqeve që ekzistojnë në internet. Statistikat thonë se 90 % të adoloshentëve i vizitojnë këto faqe. Kurse mosha mesatare e atyreve që fillojnë vizitën e këtyre faqeve është 11 vjeç.
I nderuar lexues, mund të parafytyrosh çfarë ndikimi psikologjik, emocional dhe edukativ ka vizita e këtyre faqeve tek adoloshentët.
Ndoshta adoloshentë që nuk kanë më shumë se 12- 13 vjet e njohin jetën seksuale ma mirë se të martuarit për një kohë të gjatë.
Statistikat thonë se 80 % e të rinjve dhe të rejave në moshën 15- 17 vjeçare me përfundimin e kësaj etape kanë parë marëdhënie intime të plota në internet.
Disa prindër mund të thonë: firmat lokale në disa vende kanë vendosur programe të ndryshme për të penguar depërtimin te këto faqe. Mirëpo secili i ri, madje edhe fëmijët “shejtanë” qeshin me këtë muhabet. Sepse ka shumë mënyra, më e lehta njohja e proxi numrit nga një shtet tjetër për ta tejkaluar këtë pengesë dhe për të arritur në “xhennetin e premtuar”.
Është e vërtetë se ka edhe programe që vendosen në kompjuter që i përcakton faqet që ndalohen të vizitohen, mirëpo prania e djemve “ekspertë” në hilet e kompjuterit, tregon se këto mjete janë të padobishme.
Atëherë, ç’zgjidhje ka?
Zgjidhja qëndron në kuptimin se edukimi i fëmijëve më nuk është aq lehtë, siç ka qenë më herët, ndaj kërkohet që prindërit ta luajnë rolin e tyre të vërtetë në edukimin e tyre dhe të jenë të kujdeshëm se ata gjinden para një përgjegjësie të madhe, për të cilën do të japin llogari para Allahut të Lartësuar, në ditën e Kiametit, nëse ata nuk e kryejnë si duhet këtë përgjegjësi. Nuk ka zgjidhje, mbrojtje nga reziqet e internetit dhe telasheve të tij, përveç se duke poseduar edukatën e vetkontrollit, kurse biseda për mjetet e pengimit, ajo është bisedë e kotë nga e cila nuk ka asnjë dobi.
Përgatiti: Erion Sula