Shfrytëzojeni këtë muaj para se të shkojë pa e kuptuar
Falënderimi i takon Allahut i cili e bëri muajin e Ramazanit, muajin më të mirë të vitit dhe na begatoi që ta arrijmë këtë muaj kaq të madh. Ditët e të cilit janë të mbushura me agjërim, ndërsa netët të ndriçuara me namaz dhe paqja e bekimi i Allahut qofshin mbi vulën e Profetëve Muhamedin, më të mirin agjërues dhe falës, si dhe mbi familjen dhe shokët e tij deri në ditën e Gjykimit.
Madhështia e Ramazanit dhe bukuria e tij, ka filluar të duket qartë në horizont, sepse muslimanët kanë filluar të shfaqin dukshëm bindjen në çdo drejtim. Bindje kjo e cila përfshin çdo kuptim në lartësimin e shpirtit, dhe e cila i frenon tekat e trupit, e kështu vetvetja është më e përgatitur për të pranuar dhuratat e Krijuesit të saj.
O ju muslimanë! Para disa netësh u shfaq në qiell hëna e re e Ramazanit. Doli kjo hënë, për tu bërë me dije muslimanëve në të gjitha anët e globit se Krijuesi i tyre e solli këtë muaj, i cili ka ndikime të veçanta në mesin e tyre, duke ua përmirësuar moralet dhe ua zgjon ndjenjat dhe sikur ai të ishte një pranverë e vërtetë.
Lindi kjo hënë, pasi e kanë pritur me padurim për njëmbëdhjetë muaj, duke ecur nëpër rrugët e jetës, ku marrin prej saj dhe merr prej tyre.
Lindi kjo hëne e re dhe njerëzit të habitur do të thonë: Sa shpejtë që ikën ditët dhe kaloi koha?!
Nuk ka dyshim se koha kalon shpejt, ajo është gjithmonë në lëvizje, natën dhe ditën, saqë ata të cilët i kanë kaluar të tridhjetat nga jeta e tyre, apo më pak a më shumë habiten se si ato kanë kaluar e kështu shohin në ditët e shkuara të cilat nuk kthehen më.
Të gjithë njerëzit e kanë këtë ndjesi, të mëdhenjtë dhe të vegjlit, veçanërisht kjo do të jetë më e madhe kur të dalin përpara Zotit të tyre pa rroba e këmbëzbathur. “Ai (Allahu) do të thotë: “Sa vite qëndruat në tokë?” Do të thonë: “Një ditë ose një pjesë të saj. Pyeti ata që mbajnë llogari.” Muminun 112-113.
Me këtë atmosferë rriten fëmijët dhe thinjen të rinjtë e megjithatë çdonjëri prej tyre nuk gjen nga jeta e tij vetëm se një të kaluar të cilës nuk ia di fillimin dhe mbarimin. Porse ai njeri i cili nuk e di se cili ka qenë duhet të ketë parasysh se Allahu ka regjistruar çdo gjë që ai e ka vepruar. “Ky Shkrimi Ynë flet për ju me të vërtetën. Vërtet që Ne ishim që shkruam gjithë ç’bënit ju vazhdimisht.” Xhathije, 29.
Ramazani muaj i seriozitetit dhe përpjekjes
O ju muslimanë! Shumë njerëz e kanë bërë zakon që Ramazanin ta bëjnë muaj gjumi dhe dembelizmi dhe pakësim të punës e seriozitetit, megjithëse Ramazani në histori njihet si muaji i seriozitetit dhe përpjekjes. Më shumë se kaq ai njihet si muaj i heroizmave dhe krenarisë, me të gjitha ngjyrat e heroizmit e krenarisë. Heroizëm në fushëbetejë midis kufrit dhe Islamit, heroizëm në edukimin e veteve dhe frenimin e tyre. Të gjitha këto heroizma i ka shënuar historia në këtë muaj të bekuar në të kaluarën dhe të tashmen, ndaj nuk është e denjë që muslimanët të dembelosen në këtë muaj kaq të madh.
Ramazani muaj i Kuranit
Ramazani është muaj i begatë, në të vihen re shumë dukuri. Ai është muaj i zbritjes së Kuranit dhe studimit të tij, muaj në të cilin profeti alejhi salatu ue selam takonte Xhebrailin alejhi selam dhe e mësonin dhe lexonin së bashku Kuranin.
Vërtet, ai është muaj i Kuranit. Po ku e di ti se ç’është muaji i Kuranit? Njeriu pa Kuranin është si jeta pa ujë dhe ajër dhe pa të njeriu është i humbur dhe i mjeruar, kjo sepse ai është ilaç dhe shërim. “Dhe Ne kemi zbritur nga Kurani atë që është shërim e mëshirë për ata që besojnë (në Islam dhe punojnë sipas tij), ndërsa nuk u shton gjë dhalimunëve (keqbërësve, mohuesve) veçse humbje” Isra 82
“Ai për besimtarët është udhëzim dhe shërim.” Dhe sa për ata që nuk besojnë, veshët e tyre janë të rënduar (janë shurdhuar e nuk dëgjojnë) dhe ai (Kur’ani) është verbërim për ta.” Fusilet 44
Ai është shërim për zemrat dhe shërim për trupat, sa herë që njeriut i mbyllen rrugët e jetës e rrugicat e saj dhe humb dritën nëpër errësira, do ta gjejë Kuranin shokun më të mirë. Nuk velitet njeriu së lexuari atë, përsëritja e tij ia shton bukurinë dhe hijeshinë. Nuk ka dyshim se ai do ë gjejë tek Kurani siguri dhe vendmrojtje. “Sigurisht që ky Kuran udhëzon drejt më të drejtës dhe më të vërtetës dhe përgëzon besimtarët (e vërtetë të Allahut dhe të Dërguarit të Tij Muhamed.) që punojnë me drejtësi, se do të kenë shpërblim të madh (Xhenetin).” Isra, 9.
Kurani i nxit dhe i drejton njerëzit për nga kapja pas fesë. Ai i përmend ata me të drejtat që kanë karshi Allahut. Nuk ka dyshim se në këtë do të ndiesh aromën e fesë në çdo grumbullim apo vend ulje, ndien se njerëzit janë bërë më të dashur pas librit të Allahut, e lexojnë dhe e dëgjojnë me meditim, nuk ka dyshim se ai shton tek ata përgatitjen për të ndryshuar vetvetet drejt më së mirës. “Sigurisht që Allahu nuk do të ndryshojë (për mirë) gjendjen e një populli (që bën gjynahe, që është mosmirënjohës e i pabindur ndaj Allahut) përderisa ata vetë ta ndryshojnë atë për mirë (duke ndryshuar shpirtin e tyre dhe punët e tyre). ” Rrad, 11.
Kurani i bën njerëzit të kuptojnë rëndësinë që ka kjo fe për ta, se ajo është për ta më e domosdoshme se uji dhe ajri. Çdo bashkësi që e lë pas dore çështjen e fesë së Allahut, sigurisht që ajo po lë pas dore fuqinë më të madhe që posedon dhe në të njëjtën kohë po humb shkaqet e suksesit në dynja dhe ahiret.
Ramazani muaj i bamirësisë dhe fisnikërisë
Ramazani është vërtet muaj i dhënies dhe bamirësisë. Transmetohet se Ibnu Abasi – Allahu qoftë i kënaqur me të! – ka thënë: “I Dërguari i Allahut ishte njeriu më bujar, në mënyrë të veçantë kur i vinte Xhibrili alejhi selam. Xhibrili i vinte Pejgamberit alejhi selatu ue selam në Ramazan çdo natë dhe me të studionte Kuranin. Vërtet kur Pejgamberi takohej me Xhibrilin, ishte më bujar në veprat e mira se sa era që sjell shiun.” (Muttefekun alejhi)
Nuk ka dyshim se Profeti ynë ka qenë njeriu më bujar dhe xhymerti më i madh ndër bijtë e Ademit. Ai tregonte bamirësi në çdo drejtim, ai tregohej bamirës duke dhënë dije dhe pasuri, e sakrifikonte veten e tij që ta nxirrte në pah fenë e Allahut. I udhëzonte njerëzit dhe u bënte atyre bamirësi në çdo drejtim, duke i ushqyer të varfrit, duke këshilluar injorantët, duke i kryer nevojat dhe duke e përmbajtur veten nga sjelljet e këqija që ata bënin.
Nga këtu ne mësojmë se ky muaj është një shtytës i mirë që njeriu ta mësojë veten me bamirësi. Qetësia e vetes, ngrënia e pakët dhe studimi i Kuranit i cili nxit për bujari, të gjitha këto faktorë kanë ndikimin e tyre tek njeriu, sikurse dhe shihet e qartë një gjë e tillë në realitet.
Të mbledhësh midis agjërimit dhe sadakasë, sigurisht që ke mbledhur ato që janë shkak për hyrjen e njeriut në xhenet. Profeti salallahu alejhi ue selam ka thënë: “Në xhenet ka dhoma nga të cilat shikohen çka rreth tyre dhe shihet nga jashtë se çka në to.” Ata (të pranishmit) thanë: “Për kë janë ato o i dërguar i Allahut?” Ai tha: “Për atë që është fjalë mirë, që ushqen nevojtarët, që agjëron vazhdueshëm dhe që falet natën, kur njerëzit janë në gjumë.” (Ahmed, Tirmidhiu dhe Hakim i cili ka thënë se është i saktë).
O ju të pasur në çdo vend qofshi! Nëse Allahu ju ka nderuar, ju ka furnizuar me të mira, ju ka dhënë pasuri dhe i ka ruajtur fytyrat tuaja që t’i prekë turpi i lypjes, dijeni se Allahu e ka bërë obligim falënderimin dhe mirënjohjen e Tij për ato që ju ka dhuruar. “Nëse falënderoni (duke pranuar besimin e duke adhuruar vetëm Allahun), Unë do t’ju jap akoma më shumë (nga bekimet e Mia), por në qoftë se jeni të pakënaqur e mosmirënjohës, atëherë me të vërtetë që ndëshkimi Im është i rreptë.” Ibrahijm, 7.
Frikësojuni Allahut ndaj të mjerëve të cilëve i kanë rënë fatkeqësi dhe ndaj të varfërve të cilët i kanë zënë hallet dhe kanë familje të mëdha.
Është ashpërsi nëse nuk i ndihmoni e ti shtrëngoni duart duke treguar koprraci.
A vallë është prej mëshirës që ju të jeni në bollëk dhe jetë të këndshme, ndërsa ata të jenë të mbërthyer nga nevojat e jetës dhe vështirësitë e dhimbjet e pamundësisë.
A është e njerëzishme që ju të kënaqeni me veshjet luksoze, ndërsa vëllezërit tuaj i djeg vapa e verës dhe i kafshon i ftohti i dimrit. Ai pasanik i cili nuk ndien se ka të drejta dhe detyrime karshi të varfërve, zemra e tij është e ngurtë e ka humbur ndjenjën e dhembshurisë dhe është shumë larg mëshirës. “Sigurisht që Mëshira e Allahut është kurdoherë pranë mirëpunuesve.” Araf, 56.
Ndërsa Profeti alejhi selatu ue selam ka thënë: “Ata që tregohen të mëshirshëm do t’i mëshirojë Mëshiruesi (Allahu). Mëshironi ata që janë në tokë t’ju mëshirojë Ai që është në qiell.” (Ebu Daud dhe Tirmidhi hadithi është i saktë).
Ka të pasur të cilët nuk i ndjejnë rënkimet e të lënduarve dhe nuk kanë dhimbsuri për të varfrit, është larguar prej tyre ndjenja e vëllazërisë. Përpara tyre ndodhin gjëra nga të cilat lëndohen zemrat dhe lotojnë sytë, ndërsa atyre nuk i bën aspak përshtypje një gjë e tillë, zemrat e tyre janë ngurtësuar aq shumë saqë nuk kanë asnjë ndjenjë. Por ata nuk e dinë se Sunduesi i Gjithësisë dhe Krijuesi i çdo gjëje, është i mundshëm që ta marrë prej tyre pasurinë dhe bollëkun dhe t’ua japë atë të varfërve e nevojtarëve. “Thuaj! O Allah! Zotërues i Mbretërimit! Ti ia jep mbretërimin atij që Ti do dhe Ti ia merr mbretërimin atij që Ti do. Ti e vesh me nder atë që Ti do dhe Ti e poshtëron atë që Ti do. Në Dorën Tënde është mirësia. Vërtet, Ti je i Zoti për të bërë gjithçka.” Ali Imran, 26.
Frikësojuni Allahut o ju të pasur dhe bëni bamirësi ndaj të varfërve sa të mundeni se ndoshta do të jeni prej të shpëtuarve, dhe dijeni se ato që humbin disa prej jush në gjërat e qejfit e që i prishni brenda pak çasteve, të varfërve do t’i mjaftonin për ditë apo muaj të tërë. Fusni gëzimin në zemrat e të varfërve duke u treguar ndaj tyre bamirës, se ndoshta Allahu do të na mëshirojë të gjithëve dhe largon prej të varfërve gjendjen e mjerueshme në të cilën ata gjenden.
Ramazani muaj i namazit
O robër të Allahut! Muaji i Ramazanit ashtu sikur është muaj i bamirësive është edhe muaj i faljes. Profeti alejhi selatu ue selam ka thënë: “Kush i kalon netët e Ramazanit me falje, duke qenë i bindur në besimin islam dhe duke pasur qëllim të sinqertë, do t’i falen të gjitha gabimet e tij të mëparshme.” (Mutefekun alejhi)
Ndërsa Allahu thotë: “O ti (Muhamed) i mbuluar me rroba! Ngrihu për falje natën, përveç një pjese të vogël të saj. Gjysmën e saj, ose më pak se aq, Ose pak më shumë dhe këndo Kuran (me zë) me ngadalë, bukur dhe qartë. Vërtet që Ne do të të zbresim ty mesazh të rëndë (ligje, detyrime etj). Vërtet që ngritja natën (për faljen Tahaxhud) është shumë e rëndë, e fortë dhe mjaft e mirë për të përmbajtur (vetveten, shpirtin) dhe më e përshtatshmja (për të kuptuar) Fjalë (e Allahut).” Muzemil, 1-6.
O ju muslimanë! Ky është muaji i Ramazanit ju ka ardhur që të jetë për t’ju edukuar. Ai e mëson njeriun se si jetë i qetë, si t’i frenojë kërkesat, dëshirat dhe epshet e vetvetes. Kështu e sheh besimtarin që e frenon vetveten nga ngrënia dhe pirja edhe pse çdo ushqim e ka rreth vetes, edhe pse nuk mund shohë e kontrollojë me imtësi kush pos Allahut. Allahu ka thënë: “Çdo punë e birit të Ademit është shlyeje gjynahesh për të, ndërsa agjërimi është për Mua dhe Unë do ta shpërblejë atë.” (Buhari)
O ju muslimanë! Frikësojuni Allahut dhe kryeni për të vepra të mira, sepse Allahu ka vënë për këtë muaj dhurata, të cilat kush i humb vërtet ka humbur mirësi të mëdha.
Në mënyrë që të mos humbni shpërblimin e agjërimit
Vëllezër dhe motra muslimanë, sikurse gjenden në Ramazan gjëra të cilat ndikojnë në përmirësimin e gjendjes së muslimanëve, gjen në këtë muaj edhe gjëra shqetësuese të cilat kanë filluar të bëhen të modës, shkaku i së cilave është neglizhimi i disa prej muslimanëve, të cilëve u duket i rëndë ky muaj i begatshëm dhe që e ekzagjerojnë vështirësinë e tij. Ai për këta njerëz është si mysafir i rëndë, mbarimin e të cilit e presin me padurim. Ata janë mësuar të hanë pafund e të pinë pambarim e të flenë pa pushuar edhe nëse zgjatet dita. Ata i ka mbytur tufani i marrëzisë së pasurisë, duke i bërë të tillët që ta mbledhin e të mos e japin, të cilët janë të përsosur në llogari dhe që nuk e njohin ndarjen e saj. I sheh të tillët natën si ujqër dhe ditën si kufoma. Ndaj të mos na duket habi se të tillët nuk shijojnë mirësinë dhe qetësinë e këtij muaji sikurse besimtarët.
Shqetësimi i dytë është për gruan muslimane; kush është roli i saj në muajin e Ramazanit? Mos vallë i gjithë mundi i saj duhet të jetë në artin e gatimit? Çfarë ka punuar për Krijuesin e saj në këtë muaj? Si mendon ajo se do të shpërblehet kur shkon në xhami dhe fëmijët e saj sillen sikur xhamia të jetë vetëm e saj (nuk kujdeset për ta e as nuk i flet). A mos vallë ajo mendon se shpërblehet nga shkuarja në xhami dhe në fytyrën e saj duken ngjyrat e ylberit nga makijazhi i shumtë që ka vendosur, e aroma e parfumit të saj ndihet që nga larg?!
Vëllezër dhe motra! Shfrytëzojeni këtë muaj para se të shkojë pa e kuptuar, sepse nëse do të tregoheni të pakujdesshëm, të jeni të sigurtë se në fundin e tij keni për t’u penduar.
Kjo temë është përzgjedhur nga hytbja e imamit të Haremit në Meke Su’ud bin Ibrahijm esh Shurejm
Përshtati: Bledar Haxhiu