Dënimi dhe shpërblimi në varr
Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut xhele shanuhu. Salavatet qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin salallahu alejhi ue selem, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë muslimanët që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Çdo musliman e ka obligim të besojë dënimin e varrit apo shpërblimin në varr. Transmeton Ibn Imeri se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush të vdesë, do t’i shfaqet vendbanimi i tij çdo mëngjes dhe mbrëmje; nëse është prej banorëve të xhenetit do t’i tregohet xheneti, nëse është prej banorëve të xhehenemit do t’i tregohet xhehenemi dhe do t’i thuhet: “Ky është vendbanimi yt derisa të të ringjallë Allahu i Lartësuar në Ditën e Gjykimit.” Buhariu nr. 1379 dhe Muslimi nr. 2866.
Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, se një ditë ka ardhur një çifute tek Aishja dhe e ka përmendur dënimin e varrit dhe i ka thënë: “Allahu të ruajttë nga dënimi i varrit!” Thotë Aishja: “E pyeta Pejgamberin salallahu alejhi ue selem për dënimin e varrit dhe ai më tha: “Po, dënimi i varrit është i vërtetë.” Thotë Aishja: “Dhe pas kësaj dite gjithmonë e kam parë Pejgamberin salallahu alejhi ue selem në namaz duke kërkuar nga Allahu i Lartësuar që ta mbrojë nga dënimi i varrit.” Buhariu nr. 1372 dhe Muslimi nr. 584.
Pejgamberi salallahu alejhi ue selem i ka treguar umetit të tij se si do të jetë dënimi i varrit. Transmeton Enesi, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Pasi njeriu të vendoset në varrin e tij dhe pasi ta braktisin familja dhe shokët e tij, saqë ai do të dëgjojë edhe kërcëllimën e nallaneve (këpucëve) të tyre, do t’i vijnë atij dy engjëj, të cilët do ta ulin atë dhe do t’i thonë: “Ç’ke thënë për Muhamedin salallahu alejhi ue selem?” Ai do t’i përgjigjet: “Dëshmoj se ai është rob dhe i Dërguar i Allahut.” Engjëjt do t’i thonë: “Shikoje vendin në xhehenem, Allahu i Lartësuar ta ka zëvendësuar me një vend në xhenet.” Thotë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem: “Dhe do t’i shikojë që të dy (xhehenemin dhe xhenetin). Kurse qafiri (jobesimtari ose munafiku) do të thotë: “Nuk e di, kam thënë për të ashtu si kanë thënë të gjithë njerëzit.” Do t’i thuhet atij: “Nuk e ke ditur se kush është ai njeri dhe as që e ke pasuar atë.” Pastaj do t’i mëshohet atij me një çekiç të hekurt në mes të dy veshëve dhe do të bërtasë aq shumë, saqë do ta dëgjojë çdo gjallesë afër tij, përveç njerëzve dhe xhinëve.” Buhariu nr. 1338 dhe Muslimi nr. 2870.
Transmeton Bera ibn Azibi, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem për ajetin në të cilin Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu i forcon ata që besuan në fjalën e fortë (të mirë) në jetën e kësaj bote edhe në botën tjetër.” (Ibrahim, 27), ka thënë: “Ky ajet ka zbritur për dënimin e varrit. I thuhet atij: “Kush është Zoti yt?”, ai do të përgjigjet: “Zoti im është Allahu dhe i Dërguari im është Muhamedi.” Muslimi nr. 2781.
Pra, Allahu i Lartësuar do t’i forcojë në botën e ardhshme, domethënë në jetën e varrit, ata të cilët kanë besuar me fjalën “La ilahe il-laAllah Muhammeder-resuluAllah”. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem e ka porositur umetin e tij që të kërkojë falje nga Allahu i Lartësuar për të vdekurin dhe ta lusë Atë që ta forcojë të vdekurin. Transmeton Othmani, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Luteni Allahun e Lartësuar që t’ia falë mëkatet vëllait tuaj dhe luteni Allahun e Lartësuar që ta forcojë vëllanë tuaj sepse ai tani do të pyetet.” Ebu Davudi nr. 3221 dhe Hakimi ka thënë se ky hadith është sahih.
Gjithashtu transmeton Ebu Seid El-Hudrij, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem u tha shokëve të tij: “Kërkoni nga Allahu i Lartësuar që t’ju mbrojë nga dënimi i xhehenemit dhe kërkoni nga Allahu i Lartësuar që t’ju mbrojë nga dënimi i varrit.” Muslimi nr. 2867.
Këto ishin disa nga argumentet që vërtetojnë dënimin dhe shpërblimin në varr. Çdo musliman duhet të ketë kujdes dhe të shpejtojë e të pendohet për mëkatet e tij dhe të mos zhytet në mëkate, që gjithmonë të jetë i gatshëm ta takojë Allahun e Lartësuar.
Përktheu dhe përshtati: Eroll Nesimi