Sihri (magjia), el-kehane (falli) dhe el-arrafe (parashikimi)
Sihri (magjia) është prej llojit të kufrit dhe njëkohësisht është prej shtatë mëkateve më të mëdha dhe sjell vetëm dëm e jo dobi. Allahu subhanehu ue teala thotë: “…dhe ashtu mësonin çka u sillte dëm e nuk u sillte dobi atyre.” (El Bekare, 102), si dhe: “…e magjistari nuk do të ketë sukses kudo qoftë.” (Ta Ha, 69)
Ai që bën sihër (magji) konsiderohet qafir (jobesimtar). Allahu subhanehu ue teala thotë: “Po Sulejmani nuk ishte i pafe, djajtë ishin të pafe, sepse u mësonin njerëzve magjinë. (ndoqën) Edhe çka u zbriti në Babil dy engjëjve, Harutit dhe Marutit. E ata të dy nuk i mësonin askujt (magjinë) para se t’i thoshin: “Ne jemi vetëm sprovë, pra mos u bëj i pafe!” (El Bekare, 102)
Dënimi i magjistarit (sihërbazit) është me vdekje, kurse fitimi i tij është haram dhe i fëlliqur. Injorantët, zullumqarët dhe njerëzit me iman të dobët shkojnë te magjistarët për t’i bërë dikujt sihër, që të marrin hak ndaj atij personi apo për t’i bërë dëm, kurse një grup tjetër njerëzish bëjnë haram duke shkuar tek magjistari për të larguar sihrin që u ka bërë dikush. Këta njerëz në këtë rast duhet t’i kthehen Allahut subhanehu ue teala dhe të kërkojnë prej Allahut subhanehu ue teala, që t’i shërojë me fjalët e Tij (Kuran) apo me lutje të tjera.
Falltari (el-kehan) dhe parashikuesi (el-arraf) janë qafirë (jobesimtarë), sepse që të dy pretendojnë se e dinë të fshehtën (gajbin), por të fshehtën (gajbin) nuk e di askush përveç Allahut subhanehu ue teala. Shumica e tyre përdorin naivitetin e njerëzve për t’ua marrë paratë me metoda të ndryshme e të planifikuara, si: leximi i fatit duke shikuar dorën apo filxhanin, shikimi i topit të kristaltë apo shikimi i pasqyrës etj.. Nëse ata thonë të vërtetën një herë, do të gënjejnë nëntëdhjetë e nëntë herë, kurse njerëzit e humbur dhe naivë mbajnë mend vetëm rastin kur këta gënjeshtarë ia kanë qëlluar e jo kur i kanë gënjyer. Kështu ata vazhdojnë të shkojnë tek ata për të ditur të ardhmen e tyre, se a do të jenë të lumtur apo të mjerë në martesë a biznes, ose shkojnë tek ata dhe i pyesin për gjërat e humbura dhe për nevoja të tjera.
Ai që shkon te këta persona dhe u beson atyre, ai është qafir (jobesimtar) i dalë nga feja islame. Argument për këtë është hadithi që transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai i cili shkon te një falltar dhe i beson atij, ai vetëm se ka mohuar atë që i ka zbritur Muhamedit (salallahu alejhi ue selem).” (Ahmedi 2/429, hadithi është sahih, shih Sahih El Xhami 5939).
Kurse ai i cili shkon te këta persona (falltari dhe parashikuesi) dhe nuk beson se ata kanë mundësi të dinë të fshehtën (gajbin), mirëpo shkon tek ata që të shikojë se ç’thonë, ky person nuk bën kufër (nuk del prej fesë islame), mirëpo nuk i pranohet namazi dyzet ditë. Argument për këtë është hadithi ku Pejgamberi salallahu alejhi ue selem thotë: “Ai i cili shkon tek një falltar për ta pyetur për ndonjë gjë, nuk do t’i pranohet namazi dyzet net.” (Muslimi 4/1751). Edhe pse nuk i pranohet namazi, ai e ka obligim të falet dhe të pendohet tek Allahu subhanehu ue teala.
Muhamed Salih El Munexhid
Përktheu: Eroll Nesimi