Shirku – Politeizmi (t’i bësh Allahut xh.sh. shok)
Shirku është prej harameve më të mëdha në përgjithësi. Transmeton Ebi Bekre, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “A dëshironi t’ju tregoj për (tre) mëkatet më të mëdha?” Thanë: “Gjithsesi, o i Dërguar i Allahut.” Tha: “…(ndër to) t’i përshkruash Allahut shok (shirku)…” (Muttefekun alejh, Buhariu nr: 2511)
Çdo mëkat Allahu xh.sh. ka mundësi t’ia falë njeriut, përveç shirkut; shirku nuk falet përveçse me pendim të sinqertë. Allahu xh.sh. thotë: “S’ka dyshim se Allahu nuk fal (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i fal kujt do.” (En-Nisa, 48)
Shirku ndahet në dy lloje: Shirku i madh dhe shirku i vogël. Më i rrezikshmi është shirku i madh, i cili largon nga feja islame dhe ai njeri që bën këtë shirk dhe vdes pa u penduar, është përgjithmonë në zjarr të xhehenemit.
Nga pamjet më të përhapura të këtij lloji të shirkut në vendet muslimane janë:
-Adhurimi i të vdekurve duke menduar se ata do t’ua zgjidhin atyre problemet apo kërkesat dhe kërkojnë ndihmë apo mbrojtje prej tyre. Allahu xh.sh. thotë: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij…” (El Isra, 23).
-Gjithashtu lutja e të vdekurve që të ndërmjetësojnë për ta apo që të ua largojnë vështirësitë, qofshin ata Pejgamberë, njerëz të devotshëm apo të rëndomtë. Allahu xh.sh. thotë: “A është Ai që i përgjigjet nevojtarit (të mjerit) kur ai e thërret, duke ia larguar të keqen e juve ju bën mbizotërues të tokës. A ka zot tjetër pos Allahut?” (En-Neml, 62)
-Kurse disa të tjerë i marrin disa emra dijetarësh apo njerëzish të devotshëm dhe sa herë që ngrihen, ulen, udhëtojnë apo sa herë që ta godasë ndonjë fatkeqësi, thonë: “O Muhammed!”, tjetri thotë: “O Ali!”, tjetri thotë: “O Husejn!”, tjetri thotë: “O Bedevi!”, tjetri thotë: “O Xhejlani!”, tjetri thotë: “O Shadhilij!”, tjetri thotë: “O Refai!”, tjetri lut Zejnebin, tjetri lut Ibn Ulvanin, kurse Allahu xh.sh. thotë: “S’ka dyshim se ata që po i adhuroni ju pos Allahut, janë të krijuar sikur ju (njerëzit janë më të përsosur). Thirrni pra ata, e le t’ju përgjigjen juve, nëse thoni të vërtetën.” (El A’raf, 194)
Disa adhurues varresh bëjnë tavaf (sillen) rreth varreve duke i plotësuar të gjitha kushtet e tavafit, i fshijnë rrobat e tyre për varri, me të hyrë ia puthin pragun, i vendosin fytyrat e tyre në dheun e varrit dhe si ta shohin varrin, i bëjnë sexhde atij, qëndrojnë para varreve në këmbë të nënshtruar, të nënçmuar, duke shtruar para tyre kërkesa apo kërkojnë shërim. Ata kërkojnë që varri t’u shërojë ndonjë të sëmurë apo që të kenë fëmijë, ose t’ua lehtësojë ndonjë çështje. Ndodh që edhe ta thërrasin të vdekurin duke i thënë: “O zotëria im, kam ardhur nga vendbanimi im i largët, pra mos ma asgjëso mundin!”, kurse Allahu xh.sh. thotë: “Kush është më i humbur se ai që pos Allahut lut diçka që nuk i përgjigjet atij deri në kiamet, pse ata (që luten) janë gafilë ndaj lutjes së tyre.” (El Ahkaf, 5)
Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Ai i cili vdes duke e lutur dikë tjetër përveç Allahut xh.sh., do të hyjë në zjarr.” (Buhariu, shih Fet’h el Bari 176/8)
Disa prej tyre i rruajnë kokat e tyre tek varret, disa prej tyre kanë edhe libra që i mësojnë se si të adhurohet varri, si p.sh. libri “Menasik Haxhxh El Meshahid” (Ritualet e haxhit dhe të vizitës së varrezave) dhe me fjalën “Meshahid” kanë për qëllim varret dhe monumentet e evliave (njeri i devotshëm). Disa prej tyre kanë bindje se njerëzit e devotshëm sillen nëpër tërë gjithësinë dhe kanë mundësi të bëjnë dëme apo dobi, kurse Allahu xh.sh. thotë: “Nëse Allahu të provon me ndonjë të keqe, atë s’mund ta largojë kush pos Tij, po nëse dëshiron të japë ndonjë të mirë, s’ka kush që mund ta pengojë dhuntinë e Tij.” (Junus, 107)
Gjithashtu prej shirkut është edhe zotimi në diçka tjetër përveç Allahut xh.sh., siç zotohen shumë prej njerëzve duke ndezur qirinj apo drita tek varre e të vdekurve.
-Ndër dukuritë më të përhapura të shirkut të madh është edhe therja për hir të tjetërkujt e jo për hir të Allahut xh.sh.. Allahu xh.sh. thotë: “Andaj ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd!” (El Keuther, 2), d.m.th. ther për hir të Allahut dhe në emër të Allahut. Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Allahu xh.sh. e ka mallkuar çdo person që ther për hir të tjetërkujt e jo për hir të Allahut.” (Muslimi nr: 1978)
Ka mundësi që gjatë therjes të bashkohen dy harame: 1) të theret për hir të tjetërkujt dhe 2) të theret në emër të tjetërkujt e jo në emër të Allahut xh.sh. dhe kështu që të dyja janë të ndaluara të hahen.
Gjithashtu nga therjet e ndaluara të cilat janë të përhapura në vendet tona, nga therjet e injorancës (xhahilijetit), është edhe “therja për xhinë (shejtanë)”. Këtë therje në kohën e injorancës e bënin kur blinin ndonjë shtëpi apo ndërtonin një shtëpi ose hapnin ndonjë pus. Njerëzit thernin kurban afër saj ose në prag të saj, duke u frikësuar se mos u bëjnë dëm xhinët (shejtanët) (Shih Tejsir El Azizil Hamd f:158).
Muhamed Salih El Munexhid
Përktheu: Eroll Nesimi