Feja islame
Feja islame është feja me të cilën Allahu e dërgoi Muhamedin, sal-lallahu alejhi ue sel-lem. Me të Allahu i vulosi të gjitha fetë dhe e përsosi për robërit e Tij. Ua plotësoi atyre dhuntinë, ua zgjodhi si fe, duke mos pranuar fe tjetër pos saj. Allahu i Lartësuar thotë: “Muhamedi nuk është babai i askujt prej burrave tuaj, por është i Dërguari i Allahut dhe vula e profetëve.” Ahzab, 40.
Gjithashtu, Ai thotë: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” Maide, 3.
Po ashtu, thotë: “Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami.” Ali Imran, 19.
Dhe thotë: “Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur.” Al Imran, 85.
Allahu ua bëri obligim të gjithë njerëzve që ta adhurojnë Allahun e Lartësuar sipas kësaj feje. Ai i drejtohet të Dërguarit të Tij, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, duke i thënë: “Thuaj (o Muhamed): “O njerëz, unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë ju, i Atij që i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës. Nuk meriton të adhurohet askush tjetër veç Atij; Ai jep jetë dhe vdekje, prandaj besoni në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, Profetin që nuk di shkrim e lexim e që beson në Allahun dhe Fjalët e Tij! Shkoni pas Tij, që të jeni në rrugën e drejtë!” Araf, 158.
Në Sahihun e Muslimit, përcjellë nga Ebu Hurerja, Allahu qoftë i kënaqur me të, shënohet se i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:
“Betohem në Atë, që në dorën e Tij është shpirti i Muhamedit, se cilido njeri i këtij umeti që dëgjon për mua, qoftë ai çifut a i krishterë, vdes duke mos e besuar atë në të cilën jam dërguar, do të jetë banor i Zjarrit.”
Të besosh në fenë islame do të thotë të besosh në atë me të cilën ai (Pejgamberi) ka ardhur, me miratim (pranim) dhe nënshtrim e jo vetëm thjesht të besosh. Kështu, as Ebu Talibi nuk e kishte besuar të Dërguarin, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, dhe atë me çka ky është dërguar, ndonëse ai kishte dëshmuar se kjo fe është më e mira ndër të gjitha fetë.
Feja islame përfshin të gjitha interesat dhe dobitë që përmbanin fetë e mëhershme, duke u veçuar nga ato me faktin se Islami është i përshtatshëm për çdo kohë, vend dhe popull. Allahu i Lartësuar, duke iu drejtuar të Dërguarit të Tij, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, thotë:
“Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin me të vërtetën, si përmbushës të shkrimeve të mëparshme dhe mbrojtës të tyre.” Maide, 48.
Fakti se ai është i përshtatshëm për çdo kohë, vend dhe popull nënkupton se të kapurit me të (Islamin) nuk i kundërshton interesat e popullit në asnjë kohë e në asnjë vend, madje ata përfitojnë prej tij. Kjo aspak nuk nënkupton se Islami i nënshtrohet çdo kohe, vendi apo populli, siç e dëshirojnë këtë disa njerëz.
Feja islame është fe e vërtetë, në të cilën Allahu i Lartësuar atij që kapet denjësisht për të i ka garantuar se do ta ndihmojë dhe do ta bëjë triumfues kundrejt të gjithë të tjerëve. Allahu i Lartësuar thotë:
“Allahu është Ai që e ka çuar të Dërguarin e Vet me udhërrëfimin dhe fenë e së Vërtetës, për ta ngritur atë më lart se të gjitha fetë, edhe nëse nuk e pëlqejnë idhujtarët.” Saf, 9.
Gjithashtu, Ai thotë: “Allahu u ka premtuar atyre prej jush, që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira, se do t’i bëjë mëkëmbës në Tokë, ashtu si i ka bërë ata para tyre dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur dhe që frikën do t’ua shndërrojë në siguri. Le të më adhurojnë Mua e të mos Më shoqërojnë asgjë (në adhurim). Sa për ata që, pas kësaj, mohojnë (besimin), pikërisht ata janë të mbrapshtët.” Nur, 55.
Feja islame është besim dhe ligj. Ajo është e përsosur në besimin dhe në ligjet e saj.
1. Urdhëron njëzimin e Allahut të Lartësuar dhe ndalon nga shirku (adhurimi i diçkaje, krahas Allahut).
2. Urdhëron thënien e së vërtetës dhe ndalon nga gënjeshtra.
3. Urdhëron drejtësinë1 dhe ndalon nga padrejtësia.
4. Urdhëron besnikërinë dhe ndalon tradhtinë.
5. Urdhëron mbajtjen e premtimeve dhe ndalon nga mashtrimi.
6. Urdhëron respektimin e prindërve dhe ndalon nga mosbindja ndaj tyre.
7. Urdhëron ruajtjen e lidhjeve farefisnore, që janë të afërmit, dhe ndalon nga shkëputja e tyre.
8. Urdhëron fqinjësinë e mirë dhe ndalon nga sjellja e keqe.
Me një fjalë, Islami urdhëron çdo virtyt dhe ndalon prej çdo vesi. Urdhëron për çdo punë të mirë dhe ndalon nga çdo punë e ligë. Allahu i Lartësuar thotë:
“Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” Nahl, 90.
“Shpjegimi i bazave të besimit”
Muhamed ibn Salih el Uthejmin