BallinaARTIKUJDijetarët dhe ThirrësitSufjan eth-Theuriu ky dijetarë i madh

Sufjan eth-Theuriu ky dijetarë i madh

Sufjan Ibn Seid Eth-Thevrij (Muhadith)

Emri
Sufjan ibn Seid ibn Mesruk ibn Habib ibn Raf’i ibn Abdallah

Ofiqi
Ebu Abdullah

Vendlindja
U lind në vitin 97 hixhri në Hemdan (Kufe), ndërroi jetë në vitin 161 h.

E filloi kërkimin e diturisë kur ishte ende i vogël, nën përkujdesjen e babait të tij, i cili quhej Seid ibn Mesruk. Ai ishte muhadith (njeri që merrej me shkencën e hadithit), ishte nga shokët e Sha’biut, Haj’theme ibn Abdurrahmanit. Njihej si i besueshmi i Kufes, ishte nga tabiinët e vegjël. Kanë transmetuar nga ai (Seidi) autorët e gjashtë seleksioneve që njihen në shkencën e hadithit si “Xhema’atus sitteh”. Kanë marrë nga ai edhe fëmijët e tij: Sufjani, Omeri, Mubareku e shumë e shumë të tjerë.

Mësuesit dhe nxënësit

Dy historianët, imamët e njohur, Ebul Haxhaxh Jusuf ibn Abdurrahman El Mizij dhe Ebu Abdullah Edh Dhehebij, i kushtuan një rëndësi të veçantë mbledhjes së mësuesve dhe nxënësve të dijetarit, imamit Sufjan Eth-Thevrij. Numri i tyre arriti mbi 280 mësues dhe 130 nxënës.
Thotë Imam Dhehebiu: “Thuhet se numri i mësuesve të Sufjan Eth-Thevrit ishte 600 mësues (shejh), prej tyre kishte të atillë që kishin marrë nga sahabët e njohur, si: Ebu Hurejra, Xherir ibn Abdilahu, ibn Abbasi etj., etj..” Kurse ata që morën nga ai (nxënësit) ishin një numër i madh. Ebul Ferraxh ibn el Xhevzi thotë se ishin më shumë se njëzet mijë njerëz.
Ndër mësuesit më të njohur ishin: Sulejman el A’mesh, Muhammed ibn Axhlan el Medenij, Shu’betu ibn Haxhaxh, Ebi Amr el Evza’ij, Abdullah ibn Mubarek, Sufjan ibn Ujejneh, Vekiu ibn Xherrah etj..

Ç’është thënë për diturinë e Sufjanit

Thotë Sufjan ibn Ujejneh: “Nuk kam parë njeri më të mençur për hallallin dhe haramin se Sufjan Eth-Thevrij.”
Thotë Abdullah ibn Mubareku: “Nuk njoh njeri më të mençur në fytyrën e tokës se Sufjan Eth-Thevrij.”
Thotë Muhamed Et-Tejmij: “E kam pyetur babain tim se kush është fekihu i arabëve. Më tha: “Sufjan Eth- Thevrij.”
Damrete ibn Sabah ka thënë: “Sufjani ishte dijetari i këtij umeti dhe shërbëtori i tij.”
Thotë ibn ebi Dhib: “Nuk kam parë dikë më shumë që i përngjante tabiinëve sesa Sufjan Eth-Thevrij.”
Thotë Jahja ibn Seid el Katani: “Nuk kam parë më talent sesa Sufjan Eth-Thevrij.” Pastaj u pyet: “Kush pas tij?” Tha: “Shubeh.”
Jahja ibn Jemani dhe Ebi Hashim Er-Rifaij thonë se ka thënë Sufjan Eth-Thevrij për veten: “Nuk kanë dëgjuar diçka veshët e mi përveçse e kanë regjistruar dhe e kanë mbajtur në mend, bile kur kaloja pranë poetëve dhe atyre që këndonin, detyrohesha t’i mbyllja veshët nga frika se mos i mësoja përmendësh.”

Ç’është thënë për adhurimin e Sufjanit

Ibadeti, asketizmi, modestia e selefit, Allahu i mëshiroftë, ishte e mbështetur në tri pika kryesore:
1) Pasimi i plotë i Pejgamberit alejhi selam, duke pasur parasysh moskalimin e kufijve me atë që ka ardhur Pejgamberi alejhi selam, me udhëzim dhe dituri. Iu ka mjaftuar atyre hadithi ku thuhet: “Ai i cili bën një punë e ajo nuk është në përputhshmëri me ne, ajo është e refuzuar”. Dhe hadithi tjetër: “Kush largohet nga Suneti im, nuk është prej meje.”
2) Dituri e vërtetë nga Allahu i Lartësuar dhe nga Pejgamberi alejhi selam.
3) Kuptimi i fesë ashtu siç e kanë kuptuar të parët tanë (selefi).

Sufjan Eth-Thevri për veten e tij ka thënë: “Kur vjen nata, shumë gëzohem.” Arsyeja është falja e namazit të natës.
Transmeton Ebi Nuajm Ed-Dukejmi se kur përmendej vdekja para Sufjan Eth-Thevrit, nuk kishim dobi disa ditë prej tij, ndërsa kur u pyeste për ndonjë mesele, thoshte nuk e di.
Thotë ibn Mehdi: “Kur falesha pas Sufjanit, nuk mund të dëgjoja nga ai leximin e Kuranit nga të qarët e shumtë.”
Thotë Vekiu: “E kam dëgjuar Sufjanin duke thënë: “Nuk di nga ibadetet (adhurimet) diçka më të mirë sesa t’ua mësoj njerëzve fenë dhe diturinë e pastër.”
Thotë Ata ibn el Hafafi: “Sa herë që e kam takuar Sufjan Eth-Thevriun, e kam parë duke qarë. Kur e pyeta pse, më tha: “Frikësohem se mos jam prej banorëve që e marrin librin në dorën e majtë.”
Tregon Abdurrahman ibn Mehdi, se e ka dëgjuar Sufjanin duke thënë: “Nuk kam dëgjuar për ndonjë hadith të Pejgamberit alejhi selam e që s’kam punuar me të bile veç një herë në jetë.”

Disa porosi të Sufjan Eth-Thevriut

Ki kujdes hidhërimin e Allahut në tri gjëra:
– ki kujdes në atë që je urdhëruar nga ana e Allahut të Lartësuar;
– ki kujdes mos të të shohë Allahu duke qenë jo i kënaqur me atë që ta ka caktuar ty nga risku (furnizimi);
– ki kujdes e mos u hidhëro në Zotin tënd për diçka që nuk e gjen në këtë dynja.

Dijetari është mjeku i fesë, kurse dërhemi (paraja) është sëmundja e fesë. E, nëse mjeku zgjedh “sëmundjen” për vete, atëherë si ka mundësi t’i shërojë të tjerët?!

Nëse dëshiron të bësh një trup të mirë e të flesh më pak, atëherë ha pak.

Nëse e njeh vetveten, nuk të bëjnë dëm fjalët e të tjerëve.

Mësoni këtë dituri (shkencat islame) e kur të mësoni, mbani në mend. E, kur t’i mbani në mend, punoni me të. E, kur të punoni me të, transmetojani të tjerëve.

O djelmosha, ngrihuni dhe falni namaz nate sa jeni akoma të rinj!

Kush flet para se t’i jepet fjala, veçse nënçmohet.

Nëse përmirësohen dy grupe njerëzish, përmirësohen njerëzit në përgjithësi: udhëheqësit (kryetarët) dhe lexuesit (dijetarët).

Të qarët ndahet në dhjetë pjesë: një pjesë për Allahun, e nëntë të tjera për tjetër kë pos Allahut? Pra, nëse të vjen ajo pjesa për Allahun një herë në vit, ajo është shumë.

Shpërndaje diturinë, po ruaju nga autoriteti!

Isnadi (zinxhiri i hadithit) është arma e besimtarit, e nëse ai nuk e ka armën me vete, me çka do të luftojë?

Përgatiti: Eroll Rexhepi

Must Read