BallinaARTIKUJKëshilla dhe UrtësiDobitë e namazit të sabahut (2)

Dobitë e namazit të sabahut (2)

Dobitë e namazit të sabahut (2)

3. Falja e namazit të sabahut të largon nga nifaku (hipokrizia)

Dije se mosprania në namazin e sabahut në xhami është cilësi prej cilësive të munafikëve dhe shenjë e njerëzve të pakujdesshëm. Dhe kjo është një gjë e vërtetë që nuk mund ta kundërshtojë askush dhe që e vërteton edhe Suneti i Pejgamberit salallahu alejhi ue selem.
Dëgjoje thënien e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem kur thotë: “Nuk ka namaz më të rëndë për munafikët sesa namazi i sabahut dhe i jacisë.” Buhariu 657.

Këto dy namaze janë të rëndë për munafikët për shkak se koha e faljes së namazit të jacisë është në momentin kur njeriu dëshiron të pushojë dhe qetësohet, kurse koha e namazit të sabahut është në momentin e dëshirës së vazhdimit të gjumit. Dhe në këto dy raste nuk e len njeriu kënaqësinë e tij përveç besimtarit i cili i frikësohet Allahut subhanehu ue teala.

Ubej ibn Kabi ka thënë: “Një ditë na e fali Pejgamberi salallahu alejhi ue selem sabahun dhe na tha: “A e patë filanin (në xhami)?” i thanë të pranishmit: “Jo.” Tha: “Kurse filanin a e patë?” i thanë: “Jo.” Pejgamberi salallahu alejhi ue selem) tha: “Me të vërtetë këto dy namaze janë namazet më të vështira për munafikët dhe sikur ta kishit ditur çfarë shpërblimi kanë, do të vinit edhe duke u zvarritur në gjunjë.” Ebu Davudi 554, dhe shejh Albani ka thënë se hadithi është hasen, shih: Sahih Sunen ibn Davud 518.

Kurse ibn Omeri ka thënë: “Nëse një person nuk e kemi parë në namazin e jacisë dhe të sabahut, kemi menduar keq për të.” Transmeton Bezari , shih,Keshful Estar 462-463, dhe shejh Albani ka thënë se kjo fjalë është sahih, shih, sahih et-tergib uet-terhib 417.

Shiko pra, o vëlla musliman, a dëshiron të cilësohesh me një cilësi të munafikëve?! Sa shumë janë sot që e kanë lënë pas dore shkuarjen në namazin e sabahut, saqë është bërë e zakonshme që ai të flejë deri sa të lindë dielli. Llogarite veten tënde o ti i cili fle nga shpëtimi dhe analizo fjalët e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, i cili të ka treguar se kjo vepër është prej cilësive të munafikëve. E në qoftë se edhe kjo fjalë nuk të qorton, atëherë nuk ka qortues për ty!

4. Melaiket do të dëshmojnë për ty

Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ju përcjellin ju melaiket natën dhe melaiket ditën dhe mblidhen në namazin e ikindisë dhe namazin e sabahut, pastaj ngrihen ata të cilët kanë qëndruar natën tek ju dhe i pyet (edhe pse Allahu subhanehu ue teala e di më mirë se ata) dhe u thotë: “Si i latë robërit e Mi?” Melaiket do të thonë: “I lamë ata duke falur namaz dhe kur shkuam tek ata i gjetëm duke falur namaz.” Buhariu 555 dhe Muslimi 632.

Ai që do t’i pyesë melaiket është Allahu subhanehu ue teala, kurse melaiket që janë afër Allahut subhanehu ue teala do të dëshmojnë për ty para Allahut subhanehu ue teala dhe do të tregojnë që ti ke qenë i pranishëm në faljen e namazit dhe do të të lavdërojnë ty për shkuarjen në namazin me xhemat. Melaiket, të cilët janë pa mëkate dhe të pastër, janë ata të cilët do të dëshmojnë për ty, se je prej njerëzve që e falin namazin me xhemat. A je ti prej atyre që do të dëshmojnë melaiket për ty?

Kurse përgjigjja e tyre: “I lamë ata duke falur namaz dhe kur shkuam tek ata i gjetëm duke falur namaz”, dhe nuk i kanë treguar veprat e tjera që kanë bërë në mes të këtyre namazeve tregon për vlerën e atyre që falin namazin dhe se namazi është vepra më e mirë, sepse për të janë pyetur melaiket dhe për namaz janë përgjigjur dhe nuk janë përgjigjur për veprat e tjera.

5. Ai që e fal namazin e sabahut është nën mbrojtjen e Allahut subhanehu ue teala

Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që e fal namazin e sabahut është nën mbrojtjen e Allahut subhanehu ue teala.” Muslimi 657.
Pra, është nën mbrojtjen, sigurinë, mbikëqyrjen e Allahut subhanehu ue teala në dynja dhe ahiret. Me të vërtetë kjo është një mbrojtje e madhe. Dhe gjithashtu është një nder të jesh nën mbrojtjen e Allahut subhanehu ue teala.
O ti që e ke falur namazin e sabahut me xhemat, ti ke mundësi ta arrish këtë gradë dhe këtë mirësi, pra mos e lësho këtë rast.

6. Shpëtim nga zjarri i xhehenemit

Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që i fal dy kohët (e namazeve) e ftohta, ka për të hyrë në xhenet.” Buhariu 574 dhe Muslimi 635.
“Dy kohët e ftohta” janë namazi i sabahut dhe namazi i ikindinë. Namazi i sabahut për shkak se është në kohën më të ftohtë të natës, kurse namazi i ikindisë për shkak se është në kohën më të ftohtë të ditës.
“Kush i fal këto dy kohë, do të hyjë në xhenet”, pra ai i cili kujdeset që këto namaze t’i falë me xhemat, do të hyjë në xhenet dhe do të shpëtojë nga xhehenemi. Kurse atij të cilit i ikin këto dy kohë për shkak të gjumit apo punës, ai nuk do ta arrijë këtë shpërblim dhe do të humbë një shpërblim të madh.

Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk do ta prekë zjarri asnjë njeri i cili është falur para se të lindë dielli dhe para se të perëndojë” (d.m.th sabahun dhe ikindinë) Muslimi 634.
Ky është një përgëzim i madh për ata të cilët e falin namazin e sabahut dhe është gjëja më e lartë që mund të arrijë njeriu, e që është të shpëtojë nga zjarri i xhehenemit. Me të vërtetë namazi i sabahut është siguri dhe shpëtim nga zjarri i xhehenemit.

Kurse kuptimi i hadithit është se nuk do ta prekë zjarri i xhehenemit atë person që ka kujdes dhe nuk e lë namazin e sabahut dhe të ikindisë dhe vazhdimisht e fal. Dhe kjo është një shpërblim i madh që nuk ka mundësi të paguhet me asnjë çmim, nuk ka mundësi të paguhet një send që të shpëton ty prej zjarrit të xhehenemit.

Përktheu: Eroll Nesimi

Must Read