Dobitë e namazit (2)
3. Namazi të largon nga të shëmtuarat dhe të irrituarat
Allahu xhele shanuhu thotë: “Vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irrituarat e përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve); Allahu e di ç’punoni ju.”
Pra, namazi e largon njeriun nga gjerat e shëmtuara dhe e tërheq atë drejt punëve të mira. Nëse robi i Allahut e bën namazin në rregull, atëherë edhe veprat e tjera do t’i ketë në rregull. Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Vepra e parë për të cilën do të pyetet njeriu në Ditën e Gjykimit është namazi; nëse namazin e ka në rregull, edhe veprat e tjera do t’i ketë në rregull. E, nëse namazin nuk e ka në rregull, as veprat e tjera nuk do t’i ketë në rregull.”
I është thënë Pejgamberit alejhi selam: “O i Dërguar i Allahut, filani fal namaz tërë natën, mirëpo si gdhin mëngjesi, vjedh!” Pejgamberi alejhi selam i tha: “Namazi do ta largojë atë nga ajo çka po thua.”
4. Me namaz Allahu xhele shanuhu e ngre robin e Tij dhe ia shlyen mëkatet
Pejgamberi salallahu alejhi ue selem thotë: “Shpeshtoni sexhdet, se me të vërtetë çdo sexhde që e bën, Allahu xhele shanuhu do të të ngrejë një shkallë dhe do të ta shlyejë një mëkat.” Muslimi.
Transmeton Ukbe ibn Amiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Ai i cili ngrihet dhe merr abdest ashtu si duhet dhe i fal dy rekate namaz duke qenë i përkushtuar me zemrën e tij, e meriton xhenetin.” Muslimi.
5. Namazi është ndriçim për të në dynja dhe ahiret
Allahu xh.sh. thotë: “Muhamedi është i Dërguar i Allahut e ata që janë me të (sahabët) janë të ashpër kundër jobesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet vete, ti i sheh kah përulen (në rukuë), duke rënë me fytyrë në tokë (në sexhde), e kërkojnë prej Allahut që të ketë mëshirë dhe kënaqësinë e Tij ndaj tyre. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e gjurmës së sexhdes.” (El-Fet’h, 29)
Komentuesit e Kuranit kur e komentojnë fjalën e Allahut “Në fytyrat e tyre shihen shenjat e gjurmës së sexhdes” thonë se namazi i ndriçon dhe i përmirëson fytyrat e tyre.
Pejgamberi salallahu alejhi ue selem thotë: “Përgëzoni ata që shkojnë nëpër errësirë në xhami, sepse ata do të kenë ndriçim të plotë në Ditën e Gjykimit.” Tirmidhiu, shejh Albani ka thënë se hadithi është sahih.
6. Namazi i shlyen gabimet dhe mëkatet
Allahu xh.sh. thotë: “Dhe fale namazin në dy skajet e ditës, e edhe në orët e afërta (me ditën) të natës. S’ka dyshim se veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat. Kjo është një këshillë për ata që pranojnë këshillat.” (Hud, 114)
Ebu Seid El Hudri transmeton se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “A e shihni, sikur të kalonte ndonjë lumë pranë shtëpive tuaja dhe sikur ju të laheshit pesë herë në ditë, a thua do t´ju kishte mbetur ndonjë papastërti?” Thanë të pranishmit: “Nuk ka mundësi të mbetet ndonjë papastërti.” Pejgamberi salallahu alejhi ue selem tha: “Kështu është çështja e faljes së pesë kohëve të namazit, Allahu xhele shanuhu i shlyen me to mëkatet.” Muslimi.
Pejgamberi salallahu alejhi ue selem thotë: “Falja e pesë kohëve të namazit, xhumaja deri në xhuma, ramazani deri në ramazanin tjetër, janë shkaktarë për shlyerjen e mëkateve që bëhen mes tyre, nëse u largohemi mëkateve të mëdha.” Muslimi.
Pejgamberi salallahu alejhi ue selem thotë: “Çdo person që merr abdest ashtu si duhet dhe e fal namazin, Allahu xhele shanuhu do t’ia falë mëkatet që bën mes këtij namazi dhe namazit që vjen pas tij.” Muslimi.
7. Allahu xhele shanuhu do t’i përgatitë falësit të namazit gosti në xhenet sa herë që shkon për sabah dhe mbrëmje
Pejgamberi salallahu alejhi ue selem thotë: “Kush shkon në namazin e mëngjesit apo të mbrëmjes, Allahu xhele shanuhu do t’i përgatitë gosti në xhenet sa herë që shkon në mëngjes dhe mbrëmje.” Buhariu dhe Muslimi.
Me gosti nënkuptojmë atë që përgatit pronari i shtëpisë për mysafirët e tij.
8. Kush shkon për të falur ndonjë namaz në xhami, ai e ka shpërblimin sikur të jetë në namaz derisa të kthehet
Pejgamberi salallahu alejhi ue selem thotë: “Çdo person i cili merr abdest ashtu si duhet dhe shkon në xhami, ai është në namaz derisa të kthehet.”
Hakimi, shejh Albani ka thënë se ky hadith është sahih.
9. Melaiket luten për falësin e namazit derisa ai qëndron në vendin ku është falur
Pejgamberi salallahu alejhi ue selem thotë: “Melaiket luten për falësin e namazit derisa ai qëndron në vendin ku është falur, duke thënë: “O Allah, mëshiroje atë! O Allah, falja mëkatet! O Allah, pranoja pendimin!” Dhe kështu luten derisa të ngrihet apo të flasë.” Buhariu dhe Muslimi.
Së fundi, e lusim Allahun e Lartësuar që të na bëjë prej atyre që i kushtojnë kujdes namazit dhe e falin atë në kohën e vet, sepse me të vërtetë vdekja është shumë afër dhe gjëja e parë për të cilin do të japim përgjegjësi para Allahut do të jetë namazi. E, nëse namazin nuk e kemi falur, atëherë do të jemi në një humbje të madhe.
E lusim Allahun xhele shanuhu të na i falë mëkatet tona, të prindërve tanë, të familjeve tona dhe të të gjithë muslimanëve deri në Ditën e Gjykimit!
Eroll Nesimi