BallinaTEZKIJEMëkatët dhe PendimiPas tërë atyre mëkateve a më pranohet pendimi?!

Pas tërë atyre mëkateve a më pranohet pendimi?!

Pyetja:

Es-selamu alejkum ue-rahmetullah ue-bereketehu!
Një vajzë është afër 19 vjeç, është besimtare (e re në fe). Ajo ka afro 2 vite që ka filluar t’i kryejë namazet, të agjërojë dhe të mos bëj mëkate. Ajo më tregon se në të kaluarën e saj ka bërë shumë mëkate të mëdha dhe u ka bërë keq shumë njerëzve (si ajo tregon). Thotë se “kam bërë prostitucion (jam shitur), kam vjedhur para nga njerëzit, kam gënjyer dhe gjëra të tjera shumë të këqija. Ajo tani është penduar (elhamdulilah), fal namaz, bën vepra të mira, tash edhe është mbuluar (ka vendosur hixhabin). Pyetja që ajo më ka bërë mua është: “A do të më pranohet pendimi? A do të më pranohet namazi, hixhabi, veprat e mira që po bëj dhe a i lejohet një djali musliman të martohet me mua (me të), kur unë para dy vitesh kam qenë shumë e zhytur në mëkate?”

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Allahu xh.sh. pranon pendimin nga çdo person i cili i kthehet Allahut xh.sh. me një pendim të sinqertë. Allahu xh.sh. thotë: “O ju që keni besuar, pendohuni tek Allahu me një pendim të sinqertë.” (Tahrim: 8)

Dhe thotë: “Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet.” (Zumer, 53)

Kurse Pejgamberi salallahu alejhi ue ala alihi ue selem ka thënë: “O ju njerëz, pendohuni tek Allahu xh.sh. dhe kërkoni falje, se unë pendohem 100 herë në ditë.” (Muslimi)

Allahu xh.sh gëzohet kur një rob i Tij pendohet sinqerisht. Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Allahu xh.sh. është më i gëzuar prej gjynahqarit kur ai pendohet, sesa një person i cili ishte me devenë e tij në shkretëtirë, por ajo iu largua bashkë me ushqimin dhe ujin që kishte për të pirë dhe ky i humbi shpresat se mund ta gjente përsëri devenë e tij bashkë me furnizimet që kishte dhe u mbështet në hijen e një pemë. Ndërkohë që ky ishte në këtë gjendje, pa devenë tek koka e tij dhe nga gëzimi i madhe tha: “O Allah, Ti je robi Im dhe unë jam zoti yt”, gaboi në shprehje nga gëzimi i tepërt.” (Buhariu dhe Muslimi)

Prandaj motër vazhdo gjithmonë të kërkosh pendim nga Allahu xh.sh. dhe bëj vepra të mira.

Kurse sa i përket pyetjes, ku thua: “A i lejohet një djali musliman të martohet me mua?”, them: Po, motër, i lejohet një muslimani të martohet me ty pasi ti tashmë je penduar tek Allahu xh.sh. dhe atë që ke bërë më herët Allahu xh.sh. ta ka shlyer, inshallah.

Hoxhë Eroll Nesim

Must Read