Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
Imam Maliku (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Mos shikoni në mëkatet e njerëzve sikur të ishit zota, por shikoni në mëkatet tuaja sikur të ishit robër! Mëshirojini njerëzit e sprovuar, njashtu falënderojeni Allahun për shpëtimin!”
Ahmed ibn Hanbelit (Allahu e mëshiroftë!) i është thënë: “Sa ka mes nesh dhe Arshit (Fronit) të të Gjithëmëshirshmit? “Një lutje e sinqertë nga një zemër e sinqertë” – u përgjigj”.
Hasen el-Basriu (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Ai që ka frikë Allahun, Allahu do të bëjë që çdokush të frikësohet prej tij”.
Një njeri erdhi tek Hasen el-Basriu (Allahu e mëshiroftë!) dhe i tha: “O babai i Se`idit! Po ankohem tek ti për ngurtësinë e zemrës sime”. – “Edukoje me dhikr (përmendje të Allahut) – iu përgjigj”.
Bilal ibn S’adi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Mos ji i dashur i Allahut në publik, e armik e Tij në fshehtësi”.(Hiljetu-l-evlija, 5/228)
Jahja ibn Mu`adhi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Ai që turpërohet nga Allahu kur i bën adhurim, Allahu turpërohet prej tij kur ai bën mëkat”. (Medarixhu-s-Salikin, 2/271)
Fudajl ibn Ijadi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Njerëzit nuk janë zbukuruar me diç më me vlerë se çiltërsia dhe kërkimi i hallallit”.
Fudajl ibn Ijadi ka thënë: “Ridaja (të qenët i kënaqur me Allahun) është më e mirë se zuhdi në këtë dunja. Për faktin se ai që është i kënaqur (me Të) nuk shpreson më shumë se pozita e tij”.
Dhun-nuni (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Për çdo gjë ka një ndëshkim; e ndëshkimi i arifit (njohësit të Allahut) është largimi i tij nga përmendja e Allahut”. (Revdatu-l-muhibbin, 1/405)
Ibn Zejdi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Sikur të ishte zëri i lartë i mirë; s`do t`ia kishte dhënë Allahu gomarit!” (Zadu-l-mesir, 6/323)
Sufjan ibn Ujejne (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Fshihi të mirat tua, ashtu siç i fsheh të këqijat!”
El-Xhunejdi është pyetur për zuhdin (asketizmin), me ç`rast ka thënë: “Përçmimi i dunjasë dhe largimi i gjurmëve të saj nga zemra”.
Ebu Sulejman ed-Darani (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Lënia e një dyshimi prej dyshimeve është më e dobishme për zemrën se agjërimi i një viti dhe namazi i natës në të”.
Uehb ibn Munebbihi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Shto vëllezër (të fesë) sa të kesh mundësi; nëse pasurohesh me ta, s`do të të dëmtojnë; e, nëse kërkon diç prej tyre, do të të bëjnë dobi”. (Ibn `Asakiri, ‘Tarihu Dimeshk’, 63/390; Dhehebiu, ‘Sijeru a`lami-n-nubela’, 4/550)
Bekr ibn Abdullah el-Muzeni ka thënë: “Kur i pashë njerëzit e Arafatit, mendova se ata tashmë janë të falur; po sikur unë të mos isha në mesin e tyre!”
Se`id ibn Xhubejri (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Vërtet çdo ditë që e jeton besimtari është përfitim”.
Hassan ibn Ebu Sinnani ka thënë: “Po të mos ishin të mjerët, s`do të bëja tregti!”
Vijon në dashtë Allahu!
—
Zgjodhi dhe përktheu: Burim Koçinaj
Prizren, 2 Prill 2012.
Burimi: www.islamifejaevertete.com