BallinaARTIKUJGruaja dhe FamiljaDisa modele praktike të edukimit të fëmijëve mbi besimin

Disa modele praktike të edukimit të fëmijëve mbi besimin

Sjellja e modeleve praktike, shëmbëlltyrave është prej çështjeve më të rëndësishme që ndihmojnë në përforcimin e parimeve dhe vlerave. Këtu do të sjellim një prezantim të shkurtuar të një sërë modelesh të cilat sqarojnë se si ka qenë udhëzimi i Profetit dhe shokëve të tij në formimin e ndërtesës së besimit tek fëmijët:

1. Përcillet nga Ibn Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) të ketë thënë se Profeti kërkonte mbrojtje nga Allahu për Hasanin dhe Husejnin, duke thënë: “Vërtet, babai juaj (Ibrahimi alejhi selam) kërkonte mbrojtjen e Allahut për Ismailin dhe Is’hakun përmes kësaj lutjeje: ‘Eudhu bi-kelimãtillahi et-tãmmeti min kuli shejtanin ue hãmmetin ue min kuli ajnin lãmmeh.’ (Kërkoj mbrojtje me fjalët e përsosura të Allahut, prej së keqes së çdo shejtani dhe kafshe që vret me helmin e saj dhe prej të keqes së çdo syri të keq!)” E shënon Buhariu (3371)..


2. Përcillet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Profeti ka thënë: “Çdo i porsalindur lind në natyrshmërinë e çiltër (fitra), pastaj prindërit e tij ose e bëjnë atë çifut, ose katolik, ose zjarrputist.” E shënon Buhariu (1358).


3. Nga Umer ibn Ebu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet të ketë thënë: “Isha djalosh nën mbikëqyrjen e të Dërguarit të Allahut , ndërkohë që dora ime vërtitej me pakujdesi nëpër pjatë, Profeti më tha: ‘O djalosh! Përmende emrin e Allahut (thuaj: bismilah), ha me të djathtën dhe ha prej asaj që e ke pranë vetes!’” E shënon Buhariu (5376); dhe Muslimi (2022).


4. Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një ditë, ndërsa isha mbrapa të Dërguarit të Allahut më tha: ‘O djalosh, po t’i mësoj disa fjalë: Ruaje Allahun, që Ai të të ruajë ty! Ruaje Allahun, që ta kesh pranë! Kur të lypësh, lypi Allahut e, kur të kërkosh ndihmë, kërko nga Allahu! Gjithashtu, dije se, po qe se të gjithë njerëzit do të mblidheshin për të të bërë mirë, nuk do të mund të të bëjnë mirë, pos asaj që ta ka caktuar Allahu, dhe anasjellas, nëse bashkohen për të të bërë dëm, nuk do të mund të të dëmtojnë, përveç asaj që ta ka caktuar Allahu. Tashmë lapsat janë ngritur dhe fletët janë tharë.’”E shënon Tirmidhiu (2516). ”


5. Hasan ibn Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I dërguari i Allahut m’i mësoi disa fjalë të cilat i them gjatë namazit të vitrit, në duanë e kunutit: ‘Allahummeh-hdini fi men hedejte, ue ‘afini fi men ‘afejte, ue tevel-leni fi men tev-vel-lejte, ue barik li fi ma a’tajte, ue kini sherra ma kadajte, inneke takdi ue la jukda alejke, innehu la jedhillu men valejte, teberakte rabenna ue te’alejte!’” E shënon Ebu Davudi (1425), Albani e ka vlerësuar të saktë.
(O Allah! Më bëj prej atyre që i ke udhëzuar në rrugën e drejtë! Më bëj prej atyre që i shpëton nga të këqijat! Më bëj prej atyre që kujdesesh për ta! Ma bëj të begatshme gjithçka që më ke dhënë (si: jetën, pasurinë, njohuritë, punët)! Më ruaj nga sherri i asaj që Ti ke caktuar për mua! Vërtet Ti vendos, e askush nuk mund ta kthejë mbrapsht vendimin Tënd! Nuk mund të jetë i poshtëruar ai që Ti e ke miqësuar dhe nuk mund të bëhet krenar ai që Ti e ke armiqësuar! O Zoti ynë! Ti je i Bekuar dhe i Lartësuar.)


6. Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë se Profeti i Allahut i ka thënë: “O djalosh! Kur të futesh tek familja jote përshëndeti me selam, që të ketë kështu bereqet për ty dhe për anëtarët e shtëpisë tënde!”E shënon Tirmidhiu (2698), Albani e ka vlerësuar të mirë (hasen).


7. Xhundub el-Bexhelij (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Ishim me Profetin kur ishim djem të fuqishëm, e mësuam besimin para se ta mësonim Kuranin, e pastaj e mësuam Kuranin dhe me të e shtuam besimin.” E shënon Ibn Maxhe, Albani e ka vlerësuar të saktë.


8. Ummu Sulejm er-Rrumejsa, nëna e Enes ibn Malikut (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) e pranoi Islamin gjersa Enesi ishte i vogël, ende ushqehej me qumësht gjiri. Ajo ia pëshpëriste Enesit: “Thuaj: ‘La ilahe il-Allah!’, thuaj: ‘Esh-hedu enne Muhammeden resulullah!’” dhe ashtu veproi.Sijeru el-A’lam en-Nubela (2/305).


9. Përcillet nga Ibrahim et-Tejmij (Allahu e mëshiroftë! ) se ka thënë: “E preferonin që sapo të fillojë fëmija të flasë, t’ia mësonin atij ‘La ilahe il- Allah’ shtatë herë, në mënyrë që këto të jenë fjalët e para me të cilat flet.” Musanefi i Abdurrezakut (7977).

Marr nga libri: ” Pyetjet e fëmijëve rreth besimit” Autor: Abdullah er Rekaf

Must Read