Mirësisë së islamit nuk i afrohet asnjë mirësi tjetër. E dimë që të mirat e Allahut janë të shumta e të mëdha e nuk guxojmë t’i nënvlerësojmë e t’i përulim, por përkundrazi, duhet t’i përmendim dhe ta falënderojmë Atë për të mirat që na ka dhënë, mirëpo mirësia që islami mbart është mirësia më e madhe. Ky islam, të cilin Allahu na e mësoi përmes të Dërguarit të Tij, Muhamedit, alejhi salatu ue selam, dhe vetë dërgimi i tij janë prej mirësive më të mëdha, sepse ai na e sqaroi, na e mësoi dhe na ftoi në këtë fe.
Allahu thotë në Kur’an:
﴿لَقَدْ مَنَّ اللَّهُ عَلَى الْمُؤْمِنِينَ إِذْ بَعَثَ فِيهِمْ رَسُولًا مِنْ أَنْفُسِهِمْ يَتْلُو عَلَيْهِمْ آيَاتِهِ وَيُزَكِّيهِمْ وَيُعَلِّمُهُمُ الْكِتَابَ وَالْحِكْمَةَ وَإِنْ كَانُوا مِنْ قَبْلُ لَفِي ضَلَالٍ مُبِينٍ﴾
“Allahu u ka dhënë besimtarëve dhuratë të madhe, kur u solli një të Dërguar nga gjiri i tyre, i cili ua lexoi shpalljet e Tij, i pastron nga gjynahet dhe u mëson librin (Kur’anin) e urtësinë (diturinë e thellë fetare), edhe pse më parë, me të vërtetë, ata ishin në rrugë krejt të gabuar.” [Kur’ani, 3:164]
Mirëpo ka gjëra të cilat njeriu mund t’i veprojë dhe ta nxjerrin atë nga islami (nëse është musliman) ose i dobësojnë besimin apo e largojnë nga udhëzimi dhe pranimi i së vërtetës, nëse nuk është musliman.
Në jetën e njeriut sprovat janë të shumta, ndaj është obligim që të jemi syhapur dhe të kujdesshëm. Po ashtu e kemi obligim që të njohim rrugëdaljen nga ato sprova, nëse do të sprovoheshim.
Sahabi Hudhejfe ibnul-Jemani, radija Allahu anhu, thoshte: “Njerëzit e pyetnin të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, për gjërat e mira, ndërsa unë e pyesja për gjërat e këqija nga frika që të mos bija në to”.
Njohja e islamit më argumente duke mësuar gjykimet e sheriatit në mënyrë thelbësore është obligim për çdo individ, siç është obligim edhe njohja e gjërave që të nxjerrin nga islami, se çfarë detyrash ke ndaj tij dhe çfarë e dobëson Islamin në zemrën tënde. Njohja e gjërave që i bëjnë mirë apo dëm zemrës shërben për të vepruar atë që duhet dhe për t’u larguar nga veprimet që e dëmtojnë atë. Njeriu që nuk mëson gjërat që e dëmtojnë dhe e bëjnë të lajthitë nga rruga e drejtë, ka mundësi që të shkatërrohet prej tyre dhe të mos e dijë fare këtë.
Allahu i lartësuar jo rastësisht na ka urdhëruar të jemi praktikues të fesë deri në vdekje, kur thotë:
﴿ وَلَا تَمُوتُنَّ إِلَّا وَأَنْتُمْ مُسْلِمُونَ ﴾
“… dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” [Kur’ani, 3:102.]
Nuk ka asnjë dyshim se vazhdueshmëria për të qenë brenda Islamit deri në vdekje është në dorën e Allahut, jo në dorën tonë. Por kuptimi i kësaj është se ne veprojmë shkaqet të cilat na bëjnë të mbetemi në Islam deri në vdekje. Këto janë shkaqe të mundshme. E nëse e bëjmë këtë, Allahu i Madhëruar me mëshirën e Tij na dhuron të mira dhe na vdes duke qenë muslimanë sepse kemi vepruar shkaqet nëpërmjet të cilave kemi kërkuar shpëtimin. Allahu është i Butë dhe Dhënës.
Nëse e sheh që robi i Tij është i kujdesshëm dhe ka dëshirë të veprojë punë të mira dhe e urren të keqen dhe ruhet që të mos bjerë në të, atëherë Allahu e ruan dhe e mbron atë, e udhëzon në Islam dhe i dhuron të mirat e Tij.
▪️E nëse Ai sheh tek robi i Tij ngurrim ndaj të vërtetës, mungesë dëshire për të punuar vepra të mira e mungesë urrejtjeje ndaj të keqes, atëherë Allahu i jep atë që e meriton. Kjo do të jetë për të dënim i drejtë nga Ai.
Allahu i Lartësuar thotë:
﴿وَمَنْ يُشَاقِقِ الرَّسُولَ مِنْ بَعْدِ مَا تَبَيَّنَ لَهُ الْهُدَىٰ وَيَتَّبِعْ غَيْرَ سَبِيلِ الْمُؤْمِنِينَ نُوَلِّهِ مَا تَوَلَّىٰ وَنُصْلِهِ جَهَنَّمَ ۖ وَسَاءَتْ مَصِيرًا ﴾
“Këdo që e kundërshton të Dërguarin, pasi i është dhënë udhëzimi dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë të ecë andje nga është nisur dhe do ta përcëllojmë në zjarrin e xhehenemit; ……” [Kur’ani, 4:115]
Pra, shkaktar i dënimit është vetë njeriu sepse kundërshton të Dërguarin e Allahut dhe pason rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve.
[“el-fikhu fid-din ‘ismetun minel-fiten”, Shejkh Salih bin Feuzan el-Feuzan, fq. 11-14.