A je i vetëdijshëm kujt po ia kushton veprat të cilat mendon t’i kryesh në këtë Ramazan?
Shpeshherë, të preokupuar me vetë veprën, me barrën e saj, me mënyrën si do ta kryejmë atë, harrojmë t’ua kujtojmë vetëve tona për kë jemi duke e bërë atë vepër. A e di ti kush është duke të përcjellë çfarë je duke bërë gjatë Ramazanit (edhe jashtë tij)? A e di ti kush është duke e vlerësuar kualitetin e agjërimit tënd, namazit tënd, dhikrit tënd?
“Ti nuk angazhohesh në asnjë çështje, nuk lexon pjesë nga Kur’ani dhe nuk bën ndonjë vepër, vetëm se Ne jemi dëshmitar, kur ju e ndërmerrni atë. Zotit tënd nuk mund t’i fshihet asnjë grimcë në tokë a në qiell, as diçka më e vogël e as më e madhe e të mos jetë (evidentuar) në Librin e qartë”. (Junus, 61)
Pra, kjo është një pikë e rëndësishme përmes së cilës besimtarit do t’i mundësohet të jetë më i përgjegjshëm në këtë Ramazan.
Në çdo aspekt të jetës së tij njeriu ka nevojë për përgatitje. Në qoftë se paralajmërohesh për ardhjen e mysafirëve, përgatitesh. Dhe sa më i rëndësishëm që të jetë mysafiri, aq më e lartë do të jetë shkalla e përgatitjes. Për çdo gjë në këtë botë puna qëndron kështu, ndonëse për punët e botës tjetër njerëzit nuk përgatiten as 10% nga sa përgatiten për punët e kësaj botë.
Mendoj se ndjenja e besimtarit se Allahu është duke e përcjellë bën që veprat e tij të jenë më kualitative. Në anën tjetër, mungesa e ndjenjës së mbikëqyrjes së Allahut bën që të humbasë kualiteti i veprave tona. Andaj, të kërkojmë një Ramazan kualitativ, të shkaktuar nga ndjenja e përcjelljes dhe e vëzhgimit të Allahut mbi ne.
Vazhdon…
Autor: Enis Rama
Titulli: Një Ramazan më ndryshe
Formati: 5.9 x 5.9
Faqe: 18
Botues: QSNI