A takohen shpirtrat e të vdekurve pas vdekjes?
Ka shumë argumente të cilat tregojnë se shpirtrat e të vdekurve takohen pas vdekjes. Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur i vjen momenti i vdekjes një besimtari, i vijnë atij melaiket e mëshirës me një mëndafsh të bardhë dhe i thonë: “Dil me kënaqësi, transferohu tek Allahu, se Allahu është i kënaqur me ty dhe nuk është i hidhëruar.” Dhe del shpirti me një erë si misku (parfumi) dhe kështu shkon lart derisa arrijnë me shpirtin e tij te dera e qiellit dhe pyesin se çfarë është kjo erë e mirë me të cilën keni ardhur nga dynjaja. Pastaj do të vijnë shpirtrat e besimtarëve për ta takuar atë dhe ata do të gëzohen më shumë për këtë takim sesa njeriu që gëzohet kur i vjen ndonjë i afërm i tij nga udhëtimi. Pastaj fillojnë dhe e pyesin atë: “Si është puna e filanit dhe si është puna e filanit?” Ai u përgjigjet: “Lëre atë, sepse ai është në ankth, në mashtrim të dynjasë…” (Nesaiu 1833, Albani ka thënë se hadithi është sahih, shih Silsile Sahiha 2758.)
Pra, ky hadith është i qartë se shpirtrat e besimtarëve takohen pas vdekjes dhe bisedojnë njëri me tjetrin si dhe gëzohen kur takojnë të afërmin e tyre. Nga ky hadith kuptojmë se të vdekurit tanë kujdesen për gjendjen tonë dhe kur vdes dikush, shkojnë dhe e pyesin se a e ke parë filanin, si është puna e tij, siç u cek edhe në hadith: “…pastaj fillojnë dhe e pyesin atë: “Si është puna e filanit dhe si është puna e filanit?”
Kur Ibn Tejmija është pyetur se a takohen shpirtrat pasi vdesin, ka thënë: “Po, takohen. Dhe argument për këtë është hadithi që transmeton Ebu Ejjub El Ensariu, Allahu qoftë i kënaqur me të. Ebu Hatimi, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton me sened sahih, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur njeriut i del shpirti, atë e takojnë shpirtrat e tjerë dhe e pyesin për të gjallët, kurse disa të tjerë thonë: “Lëre atë, le të pushojë njëherë.” Pastaj e pyesin atë se si është puna e filanit. Ai u përgjigjet duke u thënë: “Ai është duke vepruar punë të mira.” Dhe e pyesin se çfarë ka bërë filani. Ai u thotë: “A nuk është ai me ju?” Ata i thonë: “Jo.” Dhe thonë: “E kanë dërguar atë në xhehenem.”
Banorët e xhenetit i dallojnë vendet e njëri-tjetrit, dikush është më lart e dikush më ulët. Ata që janë më lart mund të zbresin poshtë, kurse ata që janë më poshtë nuk kanë mundësi të ngrihen lart. Ata takohen, nëse do Allahu, ashtu siç takohen në dynja, edhe pse dikush e ka shtëpinë më të mirë se tjetri.
Gjithashtu nuk luan rol largësia e varrimit të të vdekurve në dynja; nëse ata janë prej banorëve të xhenetit ata do të takohen pa marrë parasysh largësinë e varrezave të tyre, sepse ka mundësi që të dy personat t’i kenë varrezat afër, mirëpo ata nuk do të takohen, sepse njëri është në xhenet kurse tjetri në xhehenem, ashtu sikurse kur dy persona flenë në një vend, njëri sheh ëndërr të mirë, kurse tjetri rrotullohet dhe nuk rehatohet nga ëndrrat e këqija. (Mexhmuatul Fetava 24/368)
Ibn Kajimi ka thënë: Shpirtrat janë dy llojesh:
a) shpirtrat që janë duke u ndëshkuar,
b) shpirtrat që janë duke u shpërblyer.
Shpirtrat që janë duke u ndëshkuar janë të zënë me ndëshkimet që kanë, kurse shpirtrat që janë duke u shpërblyer e vizitojnë njëri-tjetrin dhe i kujtojnë njëri-tjetrit veprat që kanë bërë në dynja. E, çdo shpirt është bashkë me shpirtrat që janë të gradës së tij, kurse Pejgamberi salallahu alejhi ue selem është në shkallën më të lartë, siç thotë Allahu xh.sh: “E kush do që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, të tillët do të jenë së bashku me ata që Allahu i shpërbleu: (me) Pejgamberët, besnikët e dalluar, dëshmorët dhe me të mirët. Sa shokë të mirë janë ata!” (En-Nisa 69)
Allahu na mundësoftë të jemi me Pejgamberin salallahu alejhi ue selem, shokët e tij dhe shehidët, në jetën e varrit dhe në ahiret.
Përktheu dhe përshtati: Eroll Nesimi