BallinaARTIKUJKuran dhe TefsirALLAHU KUJDESET PËR TË DASHURIT E TIJ

ALLAHU KUJDESET PËR TË DASHURIT E TIJ

ALLAHU KUJDESET PËR TË DASHURIT E TIJ

Thotë i Madhëruari: “Allahu është i dashuri i atyre që besojnë dhe i nxjerr ata prej errësirave në dritë. Ndërsa kujdestarë të atyre që nuk besojnë janë shejtanët, të cilët i nxjerrin ata prej drite për t’i futur në errësira. Këta janë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përjetësisht.” El Bekare 257.

Shpjegimi i ajetit

“Allahu është i dashuri i atyre që besojnë…”

Allahu është i dashuri i atyre që besojnë, sepse ata e kanë zgjedhur Allahun si mikun dhe të dashurin e tyre. Ata e kanë pranuar dhe janë të kënaqur që Ai të jetë i dashuri dhe kujdestari i çështjeve të tyre. Ata nuk e largojnë për asnjë çast vëmendjen, përkushtimin dhe dashurinë e tyre prej Tij. Ata nuk adhurojnë asnjë e asgjë tjetër, veç Tij. Vetëm Atij i shprehin dashurinë dhe madhërimin e tyre të plotë. Për hir të kësaj dashurie për Allahun, ata i përmirësojnë veprat e fjalët e tyre. Për hir të Zotit, ata i shfaqin urrejtjen dhe armiqësinë jobesimtarëve, armiqve të Tij. Nga ana tjetër, Allahu i Lartësuar i ka dalluar e veçuar ata me dashurinë dhe mirësitë e Tij.

“…dhe i nxjerr ata prej errësirave në dritë.”

Prej mëshirës dhe dashurisë së Allahut për ta, është edhe udhëzimi i tyre në rrugën e drejtë, duke i nxjerrë ata prej errësirave në dritë. Errësirat që mbulojnë njerëzit janë të shumta: errësira e kufrit, errësira e mosbindjes ndaj Zotit të Lartësuar, errësira e injorancës, etj. I Dashuri i besimtarëve i shpëtoi ata prej këtyre errësirave, duke i nxjerrë ata në dritën e qartë të besimit, bindjes ndaj Tij dhe në dritën e dijes së dobishme, të sigurt e të vërtetë të ardhur prej Tij. Shpërblimi ndaj punëmirëve është i shumëfishtë. Ata do të jenë të sigurt, të qetë e të ruajtur nga tmerri i errësirës së varrit dhe errësirës së Ditës së Ringjalljes. Ata do të jenë të ruajtur prej këtyre errësirave, për t’u lumturuar me mirësinë e përjetshme, në prehjen e amshuar. Ata do të shijojnë përgjithmonë gëzimin e dhuruar prej të Dashurit të tyre, Allahut të Mëshirshëm.

“Ndërsa kujdestarë të atyre që nuk besojnë janë shejtanët…”

Miku i atyre që mohojnë Zotin e gjithësisë është Shejtani i mallkuar, i dëbuar nga mëshira e të Madhërishmit. Ata e kanë zgjedhur shejtanin dhe ushtrinë e tij si mikun dhe të dashurin e tyre. Ata i kanë shprehur atij dashurinë dhe nënshtrimin e tyre, në vend që këtë ta bënin për Krijuesin, që aq shumë përkujdeset për ta. Për shkak të asaj padrejtësie nga ana e tyre, Allahu i Lartësuar u la shejtanëve rrugë të lirë kundër këtyre mosmirënjohësve.

“…të cilët i nxjerrin ata prej drite për t’i futur në errësira.”

Për këtë arsye, ata i zhysin mohuesit thellë e më thellë në mosbindjen dhe poshtërsitë e tyre ndaj Krijuesit. Ata vazhdimisht i nxisin ata në rrugët e së keqes, për të mos dalë kurrë prej tyre. Ata i privojnë miqtë e tyre nga drita e besimit, e bindjes ndaj Zotit dhe e dijes së dobishme, që të udhëzon në çdo të mirë të dynjasë dhe ahiretit. Ata i zhysin miqtë e tyre thellë e më thellë në errësirat e mohimit, mosbindjes ndaj Zotit dhe injorancës rreth çdo të mire. Ndëshkimi i tyre në këtë jetë do të jetë, si fillim, privimi nga të mirat dhe dhuratat e Zotit të gjithësisë. Ata i kanë humbur përfundimisht mirësitë e përjetshme, gëzimin dhe lumturinë që do të shijojnë besimtarët, të dashurit e Zotit, sepse ata vetë kanë parapëlqyer dashurinë dhe miqësinë me Shejtanin dhe ushtrinë e tij. Dhe më pas, ata do të ringjallen sërish bashkë, por tashmë duke vuajtur ndëshkimin e përjetshëm të ahiretit. Prandaj thotë i Madhëruari:

“Këta janë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përjetësisht.”

Tefsiri i Sa’dit
Përktheu: Uthman Agolli

Must Read