Amnistia hyjnore në Natën e Kadrit [1]
Vëllezër besimtarë!
Është çudi që gjërave në këtë botë sa herë që u vjen fundi, u harxhohen të mirat dhe dobitë, kurse Ramazani është ndryshe sepse sa herë i vjen fundi, i shtohet edhe më shumë vlera dhe begatia.
A nuk kemi hyrë në dhjetëshen e fundit të Ramazanit, në këto net që janë më ndryshe se ato që kaluam për shkak të një nate shumë të veçantë, sekreti i së cilës është falja e Allahut?
Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ai që fal namazin e natës në Natën e Kadrit me besim dhe shpresë për shpërblimin (nga Allahu), i falen të gjitha gjynahet që ka bërë.” [2]
Një ditë Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem përmendi një njeri nga bijtë e Izraelit, i cili kishte bërë ibadet natën dhe kishte luftuar ditën pandërprerë për tetëdhjetë vite. Të pranishmit u habitën nga kjo ndodhi dhe Allahu zbriti suren Kadër.
إِنَّا أَنزَلْنَاهُ فِي لَيْلَةِ الْقَدْرِ ﴿١﴾ وَمَا أَدْرَاكَ مَا لَيْلَةُ الْقَدْرِ ﴿٢﴾ لَيْلَةُ الْقَدْرِ خَيْرٌ مِّنْ أَلْفِ شَهْرٍ ﴿٣﴾ تَنَزَّلُ الْمَلَائِكَةُ وَالرُّوحُ فِيهَا بِإِذْنِ رَبِّهِم مِّن كُلِّ أَمْرٍ ﴿٤﴾ سَلَامٌ هِيَ حَتَّىٰ مَطْلَعِ الْفَجْرِ ﴿٥﴾
- Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit.
- E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është Nata e Kadrit?
- Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj.
- Engjëjt dhe Shpirti (Xhibrili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin
në këtë natë, me të gjitha vendimet.[3]
- Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.
Pse Allahu e solli Natën e Kadrit?
Vëllezër të nderuar!
A nuk jemi ne ajo krijesa gabimtare që gjatë tërë vitit rrotullohemi në mëkate dikush haptazi e dikush fshehurazi, dikush më shumë e dikush më pak, por jemi një krijesë që bëjmë gabime? A nuk jemi ne ata të cilët e ngarkojmë veten me gjynahe dhe e fusim shpirtin tonë në burgun e errët si rezultat i gabimeve tona dhe më pas nuk mund të jetojmë të lumtur dhe në rehati?
Pikërisht për këtë arsye shtrohet nevoja e pastrimit, e lirimit dhe shprangosjes nga ngulfatja e mëkateve dhe gabimeve tona të panumërta. Këtë pastrim Zoti e sjell për ne. Begatitë e kësaj nate janë të mëdha, por a jemi të gatshëm t’i shfrytëzojmë?
Të nderuar besimtarë!
Paramendoni sikur jeni në burgjet e kësaj dynjaje, mes mureve të errëta, ku nuk e shihini dritën e diellit me sy, larg familjes dhe shoqërisë, duke mos e gëzuar atë që quhet liri. A nuk do të kishit ëndërruar që t’ju vinte lajmi se jeni futur në listën e të amnistuarve, se për pak ditë do të dilni nga burgu. Sa do të gëzoheshit?
Vallahi vëllezër, burgu në të cilën na fusin mëkatet tona, burgu i shpirtit është më i rëndë se ai i trupit! Shumë njerëz i shohim duke jetuar të lirë, por shpirtrat e tyre janë në burgje. A nuk dëshirojmë që Zoti të na fusë në listën e të amnistuarve në këtë natë të bekuar, që të na lirojë njëherë e përgjithmonë nga zjarri i xhehenemit?!
I Dërguari i Allahut na përgëzon duke thënë: “Ai që agjëron Ramazanin duke i njohur kufijtë e tij dhe duke u ruajtur prej atyre gjërave që duhet të ruhet, arrin faljen e mëkateve që ka bërë më parë.” [4]
Ibn Mesudi thoshte: “Cili prej nesh është i pranuar, që ta përgëzojmë? E cili prej nesh është i privuar, që ta ngushëllojmë? Urime për ty që je pranuar! Ndërsa ti që je privuar, Allahu të ndihmoftë në fatkeqësinë që të ka rënë!”
Aishja, Allahu qoftë e kënaqur me të, i tha të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Çfarë duhet të them nëse e arrij Natën e Kadrit?” Ai tha: “O Allah! Ti je Falës dhe e do faljen, prandaj më fal!” [5]
“El-Afuë” apo Falës është njëri prej emrave të Allahut dhe ka kuptimin “Ai që fal mëkatet e robërve të Tij dhe shlyen gjurmët e tyre”. Allahu e do faljen dhe dëshiron t’i falë robërit e Vet. Po ashtu, Ai dëshiron që robërit e Tij ta falin njëri-tjetrin dhe kur ata e falin njëri-tjetrin, Ai i fal ata. Për Të falja është më e dashur se ndëshkimi.
Allahu i Madhëruar thotë:
فَفِرُّوا إِلَى اللَّـهِ ۖ إِنِّي لَكُم مِّنْهُ نَذِيرٌ مُّبِينٌ
“Andaj, ikni (prej dënimit) drejt (shpërblimit të) Allahut, se unë vërtet që jam dërguar te ju prej Tij, si paralajmërues i qartë!” [6]
Allahu i Lartësuar gjithashtu thotë:
وَسَارِعُوا إِلَىٰ مَغْفِرَةٍ مِّن رَّبِّكُمْ وَجَنَّةٍ عَرْضُهَا السَّمَاوَاتُ وَالْأَرْضُ أُعِدَّتْ لِلْمُتَّقِينَ ﴿١٣٣﴾ الَّذِينَ يُنفِقُونَ فِي السَّرَّاءِ وَالضَّرَّاءِ وَالْكَاظِمِينَ الْغَيْظَ وَالْعَافِينَ عَنِ النَّاسِ ۗ وَاللَّـهُ يُحِبُّ الْمُحْسِنِينَ
“Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit.” [7]
O Allah, o Zoti ynë që je në qiell, ne robërit e Tu të varfër karshi madhërisë Tënde të lutemi, falna në këtë ditë të bekuar!
Dhurona nga begatitë e Tua, dhurona paqe dhe harmoni në familjet tona!
O Zot, na bashko, mos na lejo të na prijnë injorantët!
Zot ynë, jepja hajrin dhe të mbarën kësaj shoqërie dhe këtij vendi!
Fali prindit tanë të gjallë dhe të vdekur, udhëzona rininë dhe drejtona parinë!
O Allah! Ti je Falës dhe e do faljen, prandaj na fal ne!
[1] Data: 10/08/2012
[2] Shënon Buhariu, nr. 1901.
[3] “Nata e Kadrit” do të thotë “Nata e Caktimit”. Në këtë natë, Allahu i Madhëruar ka filluar t’i shpallë Kuranin Muhamedit (a.s.). Ajo është një nga netët teke të 10-ditëshit të fundit të muajit Ramazan. Gjatë saj engjëjt zbresin me të gjitha vendimet hyjnore për çfarë do të ndodhë në Tokë brenda një viti.
[4] Shënon Imam Ahmedi, 3/55. Shejh Shuajb Arnauti te “Musnedi” (18/84) thotë: “Senedi i këtij hadithi është i dobët, por hadithi është hasen”.
[5] Shënon Termidhiu, 3513.
[6] Dharijat: 50.
[7] Al’imran: 133.
Autor: Rashit Zylfiu
Burimi: rashitzylfiu.com