Arafati dhe haxhi lamtumirës!
Njerëzimi ende nuk e kishte shpikur orën, mirëpo Bilall Habeshiu e dinte saktësisht kur hyn
koha e ezanit të drekës, prandaj u ngjit mbi një shkëmb dhe i thirri njerëzit me fjalët: “Allahu
ekber!”
Dhe përnjëherë, që të gjithë u rreshtuan në vendet e tyre për të falë namaz. Ebu Bekr el-kureshij,
Suhejb er-rumi, Selman el-farisi, Ebu Dherr el-gifari, Muhamed ibn Mesleme el-Evsi, Sa’d ibn
Ubade el-hazrexhij!
Kështu, pra, i bashkoi Islami nga të gjitha viset siç nuk mund ta bënte askush më parë dhe siç
nuk do të mund të bëjë askush më pas!
Pastaj, mbi kodrën Rahmeh u ngjit një njeri për të mbajtur një fjalim, njeriu i cili para njëzet e
tre vitesh doli nga një shpellë e errët në Meke për ta ndriçuar tërë botën!
Njeriu i pashkollë i cili i mahniti të shkolluarit, jetimi i cili i edukoi baballarët dhe nënat, i
varfëri i cili solli zeqatin, sadakanë dhe drejtësinë sociale, politikani gjenial i cili e nënshtroi
Gadishullin Arab pa pasur diplomë në marrëdhëniet ndërkombëtare, luftëtari sypatrembur i cili e
nxori zemrën e tij para se ta nxirte shpatën, me ç’rast ia mësoi botës moralin e luftës pa qenë i
diplomuar në akademi ushtarake!
Të gjithë e prisnin me padurim fjalimin e tij, ngase i njoftoi se mbase nuk do t’i takojë prapë
vitin e ardhshëm, kështu që heshtja mbretëroi vendin duke dashur të kuptojnë se çfarë do t’u
thoshte!
Atë ditë, ai nuk u dha dekorata të afërmve të tij. Madje, kamata e parë që e shfuqizoi ishte
kamata e xhaxhait të tij dhe gjakmarrja e parë që e zhduku ishte gjakmarrja e birit të xhaxhait të
tij.
Kështu, gjakmarrja dhe kamata janë haram në fenë e tij, qoftë edhe për fisin Benu Hashim. Ai
deshi t’na tregonte praktikisht se askush nuk është mbi ligjin, qoftë ai i afërm me kryetarin e shtetit!
Ai i porositi burrat që të sillen mirë me gratë, duke e bërë gruan njërën nga përgjegjësitë e
burrit, e jo njërën nga pronat e tij!
Iu drejtua njerëzve me fjalët: “Vërtet, Zoti juaj është një dhe babai juaj është një; të gjithë jeni
nga Ademi, e Ademi është nga dheu!”
Ai deklaroi botërisht se njerëzit vlerësohen sipas veprave të tyre, e jo sipas origjinës së tyre.
Edhe më parë, ai pati njoftuar se xhaxhai i tij kureshit është në zjarr, e në anën tjetër e dëgjoi në
xhenet zërin e nallaneve të shokut të tij që ishte rob etiopian!
Pastaj, tha: “O ju njerëz, vërtet gjaku juaj dhe nderi juaj janë të shenjtë për ju, siç është e shenjtë
kjo ditë juaja në këtë muaj tuajin dhe në këtë vend tuajin. Vini re! A e kumtova mesazhin? O Allah,
dëshmo!”
Sikur e dinte mirë se çfarë do t’i bëjmë ne njëri-tjetrit, prandaj i kërkoi Zotit të dëshmojë ndaj
nesh që e ka përcjellë mesazhin!
Dhe ja ku jemi ne sot, feja e cila filloi me një njeri, u bë umet i tërë! Ja edhe Arafati, vendi i
çlirimit nga zjarri. Myzhde për ata që ndodhen atje! Zoti krenohet me ta para melekëve.
Kurse ne, o Zot, ne na iku qëndrimi në Arafat, mirëpo nuk na iku qëndrimi pranë derës Tënde!
Kemi ardhur tek Ti me shumë gjynahe. Ne nuk i bëmë ato duke e shpërfillur mbikëqyrjen
Tënde, mirëpo në kryerjen e tyre na trimëroi butësia Jote me të cilën u mësuam dhe mbulesa Jote
që e lëshon përherë mbi ne, prandaj të lutemi, o Allah, mos na kthe pa i falur gjynahet tona!
(Ed’hem Sherkavi, Kur fletët shpalosen, përktheu: J.H)