Duhet që secili prej bashkëshortëve, të jetojë mirë me tjetrin, shoqëri të mirë, mos dëmtim dhe dhënia e hakut në kohën e duhur.
Gruaja ka për detyrë: Bindjen ndaj burrit në marrëdhënie intime, të mos dalë nga shtëpia apo të udhëtojë vetëm se me lejen e tij, shërbimi i burrit, si: gatimi. etj.
Kurse burri ka për detyrë: Të mbulojë shpenzimet, ta veshëmbathë siç thotë Allahu: “Dhe bëni jetë të mirë me to “. (En Nisa: 19)
Ka ardhë në hadith: “Ju këshilloj të silleni mirë me gratë”, dhe “Më i miri prej jush është ai që është më i mirë për familjen e tij”.
Po kështu ka thënë: “Kur ta thërrasë burri gruan e tij në krevat dhe ajo nuk pranon që të vijë, e mallkojnë melekët derisa në agim”. (Buhariu dhe Muslimi)
Gjithashtu burri duhet të mbajë drejtësi mes grave të tij, në qëndrimin tek ato, në shpenzime, veshmbathje dhe sa të ketë mundësi të mbajë drejtësi.
Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Kush ka dy gra dhe anon nga njëra prej tyre, vjen Ditën e Kiametit me njërën shpatull të shtrembëruar”. (Buhariu dhe Muslimi)
Enesi (radijallahu anhu) ka thënë: “Nga syneti është që kur të martohet burri me një beqare pas një të vejë, të qëndrojë tek ajo shtatë ditë, pastaj u ndan ditët mes tyre. Nëse martohet me të vejë, qëndron tek ajo tri ditë, pastaj u ndan ditët”. (Buhariu, Muslimi)
Gruas i lejohet, nëse nuk dëshiron që ta marrë hakun e saj, qëndrimin e burrit tek ajo, në shpenzime apo në veshmbathje, me lejen e burrit të saj.
Seodja bint Zum’ah (radijallahu anha) ia dha ditën e saj Aishes (radijallahu anha) dhe Profeti (alejhi salatu ue selam) kur ndante ditët, i jepte Aishes ditën e saj dhe të Seodes.
Nëse burri ka frikë kundërshtimin e gruas së tij dhe këto shenja kundërshtimi shfaqen tek ajo, atëherë ai e këshillon, nëse këmbëngul, e braktis nga krevati, po nuk pranoi t’i bindet, e godet lehtë.
Nuk lejohet kjo, kur burri nuk i ka dhënë hakun e saj. Nëse ekziston frika se mund të ndahen nga njëri-tjetri, u dërgojnë një gjykues nga të afërmit e tij dhe një tjetër nga të afërmit e saj, të cilët e njohin çështjen, dinë të bashkojnë dhe të ndajnë, kur e shikojnë të arsyeshme, qoftë me dëmshpërblim etj, apo dhe i ndajnë. Çfarëdo që të veprojnë lejohet.
Allahu e di më së miri!