Besimi në melekët (engjëjt)
Melekët janë krijesa të padukshme, krijuar për ta adhuruar Allahun e Lartësuar. Nuk kanë veçori krijimi e as cilësi hyjnore. Allahu i Lartësuar i krijoi prej dritës. Janë plotësisht të nënshtruar ndaj urdhrave të Tij dhe janë të aftë në kryerjen e atyre urdhrave.
Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që janë tek Ai (engjëjt), nuk ngurrojnë për të adhuruar Atë e nuk ndiejnë lodhje, por e lavdërojnë (Atë) natën dhe ditën, paprerë.” El Enbija, 19-20. Numri i tyre është i madh, që nuk e di askush përveç Allahut të Lartësuar. Në dy koleksionet e sakta të haditheve është konfirmuar nga Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se, në ndodhinë e Miraxhit, Pejgamberit alejhi selam iu shfaq Bejtu-l-mamuri në qiell, ku çdo ditë aty falen shtatëdhjetë mijë melekë. Me t’u larguar, nuk e përsëdytin më kurrë.
Besimi në melekët përfshin katër çështje:
Besimi në ekzistencën e tyre.
Besimi në melekët që ua dimë emrat, siç është Xhibrili, ndërkaq melekëve që nuk ua dimë emrat, i besojmë në formë të përgjithshme.
Besimi në cilësitë e tyre, për ata që kemi njohuri, fjala vjen, për Xhibrilin. I Dërguari alejhi selam e kishte parë në formën e tij të vërtetë në të cilën është krijuar, ku kishte gjashtëqind krahë, me të cilët e mbulonte horizontin. Engjëlli, me lejen e Allahut, mund të shndërrohet në formë njeriu, siç i kishte ndodhur Xhibrilit, kur Allahu i Lartësuar e dërgoi te Merjemja. Asaj iu shndërrua në formën e përsosur njerëzore. Gjithashtu, ai i kishte vajtur edhe Pejgamberit alejhi selam tek rrinte me shokët e tij. Kështu, i kishte ardhur në formën e një njeriu me rroba shumë të bardha e tejet flokëzi, tek i cili nuk vëreheshin shenja udhëtimi. Atë nuk e njohu asnjë sahab. U ul me Pejgamberin alejhi selam duke i vendosur gjunjët e tij afër gjunjve të të Dërguarit e duke i vënë shuplakat e duarve të tij mbi kofshët e veta, me ç’rast pyeste Pejgamberin alejhi selam rreth Islamit, imanit, ihsanit, Kiametit dhe shenjave të tij. I Dërguari iu përgjigj pyetjeve të tij dhe u largua. Pastaj Pejgamberi u tha shokëve: “Ky qe Xhibrili, erdhi për t’jua mësuar fenë tuaj.” (Shënon Muslimi) Po ashtu, melekët që Allahu i Lartësuar i ka çuar tek Ibrahimi dhe te Luti, qenë shfaqur në formë njeriu.
Besimi në funksionet (detyrat) e tyre, që ne ua njohim. Këto detyra ata i kryejnë meqë i urdhëron Allahu i Lartësuar, siç janë lartësimi dhe adhurimi ndaj Tij ditë e natë, pa u lodhur e pa u mërzitur. Kështu, disa prej tyre kanë detyra të veçanta:
– Xhibrili besnik ka për detyrë ta përcjellë shpalljen e Allahut të Lartësuar, që ua çon pejgamberëve dhe të dërguarve.
– Mikaili është i ngarkuar që të kujdeset për reshjet dhe për bimësinë.
– Israfili është i ngarkuar për t’i fryrë Surit kur të bëhet Kiameti dhe ringjallja e krijesave.
– Meleku i vdekjes ka për detyrë marrjen e shpirtrave kur njerëzve t’u vijë momenti i vdekjes.
– Maliku ka për detyrë të kujdeset për Xhehenemin dhe është roja i tij.
– Melekët e ngarkuar me detyrat lidhur me embrionin në mitrën e nënës. Kur embrioni t’i mbushë katër muaj në barkun e nënës, Allahu ia dërgon një engjëll dhe e urdhëron t’ia shkruajë furnizimin, jetëgjatësinë, veprat si dhe nëse do të jetë i dëshpëruar apo i lumtur.
– Melekët e ngarkuar me ruajtjen e veprave të njerëzve dhe me shkrimin e tyre për secilin individ. Ata janë dy melekë, njëri në krahun e djathtë, kurse tjetri në të majtin.
– Melekët e ngarkuar me marrjen në pyetje të vdekurin kur të vendoset në varr. Në atë moment i venë dy engjëj dhe i parashtrojnë pyetje për Zotin, për fenë dhe për të dërguarin e tij.
Frytet e besimit në melekët
Besimi në melekët sjell fryte madhështore, ndër to veçojmë:
Njohja e madhështisë së Allahut të Lartësuar, fuqisë dhe pushtetit të Tij. Madhështia e krijesave e aludon madhështinë e Krijuesit.
Falënderimi ndaj Allahut të Lartësuar për kujdesin e Tij ndaj njerëzve. Ai i ngarkoi ata engjëj të kujdesen për ta, duke i ruajtur, duke ua shënuar veprat e tyre dhe dobi të tjera për ta.
Dashuria ndaj engjëjve për shkak të adhurimit që bëjnë ndaj Allahut të Lartësuar.
Disa të devijuar e mohojnë faktin se engjëjt janë trupa. Pretendojnë e thonë se engjëjt janë koncept për forca të brendshme pozitive që fshihen brenda krijesave. Ky koncept bie ndesh me Librin e Allahut të Lartësuar, me Sunetin e Pejgamberit alejhi selam dhe me njëzëshmërinë (ixhmanë) e muslimanëve.
Allahu i Lartësuar thotë: “Lavdërimi qoftë për Allahun, krijuesin e qiejve dhe Tokës, i Cili i ka bërë engjëjt të dërguar me nga dy, tre dhe katër krahë.” Fatir, 1.
Gjithashtu, thotë: “Eh, sikur të shihje sesi engjëjt ua marrin shpirtrat mohuesve! I godasin ata në fytyrë dhe shpinë (duke u thënë): “Shijoni dënimin e zjarrit!” El Enfal, 50.
Po ashtu, thotë: “Ah sikur t’i shihje keqbërësit gjatë agonisë së vdekjes, kur engjëjt zgjasin duart (duke thënë): “Shpëtojeni pra veten (nëse mundeni)!” El Enam, 93.
Po ashtu, Ai thotë: “Kur t’u hiqet frika nga zemrat e tyre, ata do të thonë: ‘Çfarë tha Zoti juaj?’ dhe do të përgjigjen (engjëjt): ‘Të vërtetën! Ai është i Lartësuar dhe i Madhërishëm.’” Sebe, 23.
Dhe thotë: “Dhe engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë (e Xhenetit) (e do t’u thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që është ky!” Er Rrad, 23-24.
Në Sahihun e Buhariut Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari alejhi selam ka thënë: “Kur Allahu e do një njeri, e thërret Xhibrilin duke i thënë: “Allahu e do filanin, duaje edhe ti!” Xhibrili do ta dojë atë e pastaj u thërret banorëve të qiellit: “Allahu e do filanin, kështu që edhe ju ta doni atë.” Kështu, të gjithë banorët e qiellit do ta duan atë njeri e kësisoj i sigurohet edhe kënaqësia e njerëzve të tokës.”
Gjithashtu, po ai përcjell se i Dërguari alejhi selam ka thënë: “Kur vjen e premtja, melekët zënë vend në çdo derë të xhamisë për t’i shënuar emrat e njerëzve sipas radhës që hyjnë (kush më herët e kush më vonë për faljen e xhumasë). Kur imami ulet (në minber), ata i palosin shkresat e tyre duke u bërë gati për ta dëgjuar ligjëratën e imamit (hytben).”
Këto tekste qartazi vërtetojnë se engjëjt kanë trupa dhe se nuk janë ndonjë koncept fuqie, siç thonë disa njerëz të devijuar. Mbi domethënien e këtyre teksteve është i ngritur konsensusi i muslimanëve.
“Shpjegimi i bazave të besimit”
Muhamed ibn Salih el Uthejmin