Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu sesa besimtari i dobët dhe te çdonjëri ka hair
Ebu Hurejra, kënaqësia e Allahut qoftë me të, transmeton se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu sesa besimtari i dobët dhe te çdonjëri ka hair. Kujdesu për atë që të bën dobi, kërko ndihmë nga Allahu e mos u bë pesimist. Nëse të godet ndonjë gjë mos thuaj “sikur të veproja kështu do të ndodhte kështu”, por thuaj: “Ka caktuar Allahu, bëri çfarë deshi”. Vërtet, fjala “sikur” hap punën e shejtanit.” Shënon Muslimi.
Hadith me udhëzime të ëmbla, me fjalë të këndshme, renditje të shkëlqyer dhe dobi të bollshme. Fillimi i tij është thirrje për besimin e mirë dhe të fuqishëm, fundi i tij thirrje për besim të shëndoshë dhe besim në caktimin e Allahut, dëshirën dhe vullnetin e Tij, mesi i tij iman praktik dhe ai i zemrës. Prandaj, ky është një hadith i besimit në formën më të bukur.
“Besimtari i fortë” respektivisht me iman të fortë, ngase fuqia e trupit ndonjëherë sjell edhe dëm nëse shfrytëzohet në mëkate. Fuqia e imanit e nxit njeriun drejt vazhdimësisë së zbatimit të detyrimeve dhe lënien e mëkateve, ndërsa imani i dobët e shtyn drejt neglizhencës. Për këtë shkak fuqia e besimit është më e mirë dhe më e dashur për Allahun.
“…dhe te çdonjëri ka hair” në mënyrë që të mos mendohet se te besimtari i dobët nuk ka hair. Te jobesimtari nuk ka hair dhe për këtë nuk ka dyshim.
“Kujdesu për atë që të bën dobi”, porosi e rrallë nga i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, ashtu siç ajo është një porosi përmbledhëse për çdo mirësi dhe dobi. Gjendja e besimtarit të vërtetë gjithnjë sillet rreth dobisë në çështjet e kësaj bote dhe të botës tjetër. Besimtari nuk i jep përparësi të padobishmes ndaj të dobishmes, e as nuk i jep përparësi dëmit ndaj interesit. Ai i jep përparësi interesit të lartë ndaj atij të ulët kur ato kundërshtohen.
Në hadith ka sinjal edhe për asketizmin në këtë botë, që disa e kanë përkufizuar me fjalët “lënie e asaj që nuk sjell dobi në botën tjetër”. Prandaj, çdo gjë që i sjell dobi njeriut për në botën tjetër është asketizëm nëse e lë atë që s’ka dobi. Allahu jep suksesin dhe Ai është Mbështetësi më i mirë për ata që angazhohen.
“kërko ndihmë nga Allahu e mos u bë pesimist”, renditje e jashtëzakonshme, që do të thotë se kush është i kujdesshëm për atë që sjell dobi, patjetër duhet t’i kthehet të Plotfuqishmit dhe të kërkojë ndihmë nga i Urti e i Gjithëdijshmi për çdo çështje, qoftë ajo edhe e thjeshtë.
Nga hadithi gjithashtu mësojmë edhe ndërprerjen e vetëpëlqimit dhe ndalimin e mashtrimit me punën.
Në fund kemi dorëzimin e çështjes tek Allahu i Lartësuar duke qenë të kënaqur me caktimin e Tij, nëse ndodh e kundërta e asaj që kemi dëshiruar.
Përgatiti: Almedin Ejupi