I Dërguari i Allahut -alejhi salatu ue selam- ka thënë:
“Ai që përfiton padrejtësisht një të drejtë që i takon një muslimani me anë të betimit, Allahu ia ka obliguar Zjarrin (Xhehenemin) dhe ia ka ndaluar Xhenetin.” Një burrë e pyeti: Edhe sikur të jetë diçka e vogël o i Dërguari i Allahut? Profeti -alejhi salatu ue selam- iu përgjigj: “Edhe sikur të jetë një degë e vogël misuaku” (Muslimi).
Çfarë përfitojmë nga hadithi?
1- Të përfitosh padrejtësisht një të drejtë të muslimanit është haram, pa marrë parasysh nëse kjo e drejtë është diçka e vogël apo e madhe. Nëse kjo gjë arrihet duke u betuar rrejshëm, atëherë ndalesa është akoma më e rëndë.
2- Atij që përvetëson padrejtësisht të drejtat e të tjerëve, i bëhet obligativ zjarri i Xhehenemit. Ai privohet prej Xhenetit në qoftë se e quan hallall (të ligjshme) këtë gjë. Ose i tilli e meriton këtë ndëshkim, por mbetet nën Vullnetin e Allahut të Madhëruar, i Cili nëse do e ndëshkon e nëse do e falë atë.
3- Gjykimi për atë që përvetëson padrejtësisht të drejtat që i takojnë një jomuslimani është i njëjti me atë që përvetëson padrejtësisht të drejtat që i takojnë një muslimani.
4- Vendimi i (gabuar) i gjykatësit nuk e legjitimon marrjen prej tjetrit të asaj që nuk të përket.
(Përzgjedhje e haditheve të normave dhe të moraleve: 170-171)